Është pa dyshim një nga reperat veteranë dhe këngët e tij vazhdojnë të dëgjohen ende me dëshirë. E, nëse ai vetë ka idhull Eminem, Mr Elvis tashmë është kthyer i tillë për të rinjtë që aspirojnë të merren me Hip-Hop. Ndërkohë, në këtë intervistë, do të mund të mësoni edhe më shumë rreth jetës së tij private për të cilën nuk flet shpesh dhe, më e rëndësishmja që duhet të dini, është se ai është fejuar!

– Deri më tani kemi mësuar më shumë për Mr. Elvis sesa për vetë Elvisin, ndaj në këtë intervistë dua të mësoj më shumë. Me kë jeton?
– Sepse pyetjet m’i ke drejtuar si artist, si Mr.Elvis, gjithmonë! (Buzëqesh) Por nuk ka shumë ndryshim emri i artit me vetë Elvisin. Unë jam i njëjti si në punë me miq, si në skenë me artistë. Ata që më njohin, e dinë kush është Elvisi në të vërtetë. Kudo dhe me këdo, jam me këmbë në tokë, paqësor, më pëlqejnë shakatë kur bëhet shaka dhe mbaj seriozitet kur duhet seriozitet. Respektoj të madh e të vogël, duke iu përshtatur moshës. Unë jetoj me një nënë të mrekullueshme që e dua shumë, i dhëntë Zoti ymën të gjatë, me një baba që më mbështet gjithmonë në çdo vështirësi dhe, personi i tretë po aq i rëndesishëm është e fejuara ime, që e respektoj dhe e dua, siç më do edhe ajo. Faleminderit edhe asaj që më mbështet në punën time e në çdo hap që hedh. Pra, nga 3 pjesëtarë në familje, jemi bërë katër. (Buzëqesh) U them faleminderit që ekzistoni; ju dua shumë!
– Je rrëmujaxhi i thekur apo maniak pas rregullit?
– Të them të drejtën, jam maniak pas rregullit! Rrëmujën s’e honeps… Kush është ai që s’e do rregullin? Në shpi, në rrugë, në punë, kudo, po s’pati rregull, s’ka jetë normale. S’po them per maniak dhe merakli në kulm, por njëfarë rregulli e do njeriu.
– Nëse do të kishe mundësi, çfarë do të doje të zhdukje?
– Nëse do të kisha mundësi, me lejen e Allahut, do të zhdukja varfërinë, të ktheja në rrugën e Allahut të gjithë jobesimtarët kudo nëpër botë, të respektohen të drejtat e njeriut, gjithçka që ka të bëjë me të mirën; do ta luftoja të keqen në çdo sekondë.
– Po nëse do të kishe mundësi të shpikje?
– Pyetje e lezetshme kjo e shpikjes. (Buzëqesh) Unë do të shpikja makineri parash për t’ua shpërndarë të varfërve për nevojat e tyre, të mos vuajnë për çapën e bukës, por të kenë edhe ata mundësinë të jetojnë si gjithë të tjerët në këtë botë me hile.
– Një reper që beson në Zot! Kjo është paksa e vëshirë për t’u besuar…
– Unë mendoj ndryshe, s’është aspak e vështirë për t’u besuar se të besosh në Zot ke më shumë favore sesa të kesh besim te një reper, që bën një mijë të zezat, nga drogërat e deri te vjedhjet. Pra, një reper që beson dhe, më e rëndësishmja, falet e mban ramazan rregullisht, ndryshon nga një reper që as falet, as mban ramazan dhe nuk e ka idenë e fesë. Nëse je besimtar musliman, frika e të madhit Zot të bën të përmbahesh nga çdo e keqe. Ka më shumë se 10 vjet që e kam pranuar islamin dhe deklaroj se s’ka Zot tjetër përveç Allahut.
– Do ta lije repin nëse do të ta kërkonte feja?
– Te kjo pyetje, po ndalem pak. Sipas islamit, muzika është rreptësisht e ndaluar dhe është haram të këndosh. Edhe unë, në mos sot, nesër jam i sigurtë që do ta lë përfundimisht muzikën, se ajo nuk është prej të mirave. Feja është më e rëndësishme se muzika e gjithçka tjetër në tokë.
– Shumica e reperëve bashkëpunojnë me këngëtarë të zhanreve të ndryshme. Me kë do të kishte realizuar një duet Mr Elvis?
– Unë do të bëja një këngë me këngëtarin e muzikës rok Aleksandër Gjoka, që për mua është një nga legjendat e muzikës në Shqipëri, me zërin karakteristik, prezencën e tij në skenë etj. E kam takuar para ca kohësh tek luante live në një klub në Bllok dhe kam biseduar për një bashkëpunim me të. I uroj Sandrit gjithë të mirat, respekt!
– Kur një këngëtar quhet i dështuar?
– Kur as jep, as merr në muzikë dhe mbështetet te të tjerët për të realizuar një projekt kënge; kur ka lek tepër dhe bën video pa numër e gjëra të kësaj natyre… Nëse s’je për atë punë, mos u merr me atë punë, them unë.
– Ti vetë e ke frikë dështimin apo nuk do ta kishe problem ta nisje gjithçka nga zeroja?
– Unë s’e shoh veten të dështuar, për shumë arsye. E para, nuk këndoj për të fituar, por për pasion. Fjala “dështim” është pak e rëndë, por do të thoja që ka dështim. Çdo gjë në jetë ka riskun e vet; edhe në këtë fushë, po ashtu. Nuk më vjen keq dhe të them se me muzikë jo të gjithë bëjnë para, përveç disave, kurse kur bëhet fjalë për mua, unë, derisa vazhdoj të bëj muzikë, tregoj që s’jam i dështuar, jam ndër të parët që bëj muzikë rep në Shqipëri dhe jam unik në llojin tim, kështu që s’kam çfarë të nis nga zeroja sepse nuk e kam lënë muzikën. Kjo pyetje vlen për ata që e kanë lënë muzikën në pesimizëm. Unë vazhdoj të prodhoj muzikë për tregun shqiptar.
– Me cilat vargje do ta mbyllje intervistën?
– Allahu Ekber!
Në botën e hip hop-it
– Ke patur probleme me policinë?
– Kurrë! S’kam qenë problematik dhe jam natyrë e qetë. Di të komunikoj nëse na bie të kemi punë me ta, se njerëz jemi dhe na dalin probleme. Kjo s’do të thotë që çdo reper që bën muzikë Hip-Hop është problematik. Problemet vijnë nëse konsumojnë apo shesin drogëra e të tjera probleme.
– Sa romantikë janë hip-hop-istët?
– Unë them se janë romantikë, pse jo?! Edhe ata i thonë bukës-bukë, dashurojnë si çdo njeri, dinë të respektojnë dhe të sillen mirë si çdo njeri. Kanë ndjenja dhe sjellje të mirë atje ku duhet dhe s’kanë sjellje të mirë atje ku vërtet kërkohet të mos sillen mirë, pasi sipas vendit, bëhet edhe kuvendi, apo jo? Nga eksperienca ime me jetën deri më sot, kam ditur të respektoj dhe të mos ofendoj asnjë femër.
– Janë besnikë?
– Varet nëse edhe partnerja është besnike dhe e meriton besnikërinë. Atëherë po, them se dhe rrepistët janë besnikë. Kjo vlen kur kanë në krah një femër që vërtet ia vlen ta respektosh dhe ta duash seriozisht.
– Është e vërtetë që shoqërohen me vajza të këqija, por në fund, preferojnë vajzat e mira?
– S’e di, flori, s’di të të jap një përgjigje për këtë pyetje, se unë për vete si Mr Elvis nuk jam marrë me femra të lloj-lloj kategorie, kam bërë përzgjedhje në lidhje me femrat. Kurse pyetja tjetër që përzgjedhin të mirën; është normale që çdokush do dëshironte një vajzë të mirë, në përfundim, ta dashuronte…
– Cilat janë tatuazhet e tyre tipike?
– Tatuazhe janë shumë: Armë, shkrime, numra, emra, faraonë, akullore, 50 cent, fytyrë fëmije, maska, kryq, shqiponjë, simboli i paqes, emra qytetesh, manjetofon, mikrofonë, qen doberman, etj.
– Vënë baste? Për çfarë më tepër?
– Po të flas për veten, meqë edhe unë bëj muzikë hip–hop dhe po të them se nuk ia shoh derën bixhozit e as nuk loz kazino, s’më pëlqen fare, por të tjerët mund t’i bëjnë të gjitha. Unë bëj muzikë dhe kaq! Me të dëgjuar e kam se lozin kur kanë e rrinë flenë gjumë pastaj, kur s’kanë asnjë qindarkë në xhep.
– Nuk e kalojnë dot ditën pa konsumuar lëndë narkotike?
– Me sa kam vënë re në studio inçizimi, shumë prej tyre, po nuk konsumuan marihuanë, nuk shkruajnë, s’u vijnë fjalët/rimat, pinë sa herë kanë për të kënduar e po ashtu, në koncerte. Në çdo vend grumbullimi është bërë si e modës pirja e marihuanës. Unë, seriozisht po ta them, mund të jem ndër të vetmit që shkrimet e mia në gjithë karrierën time janë të pastra, pa pirë as gramin dhe as erën s’ia duroj dot. Por, këtë mund ta quajmë dhe si modë në muzikë hip-hop, frymëzim nga rreperat e huaj si Snoop Doog, etj.
– Mund të jetë djalë shembullor një hip hop-ist?
– Po pse, o flori, si të dukem unë ty? (Qesh) S’ka lidhje se bën Hip-Hop dhe ke namin e keq, ka djem shumë të mirë edhe nga ata që bëjnë muzikë rrep. S’ka lidhje, thjesht është krijuar idea se kush këndon hip-hop, janë djem negativë. Jo, përkundrazi, ne që këndojmë Hip-Hop, jemi më të mirë se ata që këndojnë të tjera rryma, pa pikë dyshimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *