Dita e fundit
– Unë besoj se çdo ditë, duhet jetuar si të ishte e fundit… prandaj nuk vesh kurrë rroba të pastra…
– E ç’lidhje ka kjo me ditën e fundit?
– Si s’paska lidhje? Kush do të donte ta kalonte ditën e fundit të jetës së tij duke larë rroba?!

Gatimi
Mamaja ime gatuante aq keq, saqë kur merrja notë të mirë në shkollë, si shpërblim, babi më lejonte të flija, pa e ngrënë darkën…

Rolls dhe Alfa Romeo
Ndërsa manovronte qetësisht me Rolls Rojsin e tij, për të parkuar në vendin e fundit që kishte ngelur në parking, plakut anglez i afrohet një Alfa Romeo sportive, që me shpejtësi marramendëse, e zë vendin para tij. Duke dalë nga makina, djaloshi i thotë me të qeshur plakut të Rollsit:
– Më fal xhaje, po duhet të jesh i ri dhe i shkathët për të bërë atë që sapo bëra unë…
Plaku, me qetësinë tipike angleze, fut marshin indietro dhe vazhdon të futet në vendin e parkimit, duke e shtypur makinën sportive aq keq, sa e shndërron në një grumbull hekurishtesh. Pastaj, ndërsa del nga Rollsi i tij, i përgjigjet djaloshit:
– Më fal, djalosh, por… duhet të jesh i vjetër dhe i pasur për të bërë atë që sapo bëra unë!

Tradhtia
Një burrë futet në shtëpi papritur dhe e gjen gruan në krevat me një xhuxh:
– Çfarë bën kështu e dashur? – zhgënjehet ai… – Po a nuk më kishe premtuar se nuk do të më tradhtoje më?!
– Po, shpirt, ashtu po bëj… A nuk e shikon që po përpiqem ta lë, duke pakësuar dozën?!

Fëmija
– Dje, kunata ime lindi fëmijën dhe im vëlla bëri të pamundurën që të ishte i pranishëm në momentin e lindjes…
– Kaq të rëndësishëm e konsideronte këtë moment?
– Po, sigurisht, sepse e kishte peng që kishte humbur momentin e ngjizjes…

Prifti
Një prift, troket në derën e një shtëpie, të cilën ia hap një grua shumë e bukur, krejt e zhveshur, që i thotë:
– Oh, atë, më duket se keni gabuar adresë…
Prifti: – Jo, zonjë, kam gabuar që u bëra prift!

Mashtrimi
Një gazetashitës ecën në rrugën qendrore të qytetit, duke thirrur me të madhe: “Mashtrim i jashtëzakonshëm, 53 viktima!”.
Një kalimtar kureshtar, ndalet, blen gazetën dhe nis ta lexojë me kujdes, për të gjetur se ku është lajmi i mashtrimit të jashtëzakonshëm, ndërsa dëgjon gazetashitësin që ikën, duke bërtitur sërish: “Mashtrim i jashtëzakonshëm, 54 viktima!”.

Pushime në Lihtenshejn
Pronari i hotelit: – Mirë se erdhët në Lihtenshtejn! Çfarë planesh keni për nesër?
Turisti: – Nesër, dua të vizitoj vendin tuaj…
Pronari: – Dakord, e kuptoj. Po pasdite, ç’do bëni?

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *