Me siguri Kreshnik Ibrahimin e mbani mend për rolet e tij në spektaklet e humorit në Shqipëri dhe keni shumë të drejtë sepse ai me interpretimin e tij bënte të shpërthenin të qeshurat kudo. Kreshniku tani prej disa vitesh jeton në Gjermani dhe atje ka bërë atë që askush më parë nuk e ka bërë në art, një stand-up comedy e tëra në shqip me titull “Du gru me letra”. Një fenomen që shoqëron shqiptarët që kanë emigruar jashtë dhe që aktori e ka sjellë përmes zhanrit satiriko-komik. Salla të mbushura plot dhe të qeshura e duartrokitje do kujtohen nga kjo shfaqje. Ja si e sjell Niku për Intervista.al realizimin e tij, largimin e tij nga spektaklet tona të humorit dhe shumë e shumë të pathëna të tjera i lexoni më poshtë..!

Fabjola Kuburi:- ‘Du gru me letra” është dëshira dhe fjala në majë të gjuhës të shqiptarëve kudo ku kanë emigruar apo jo Nik? Si arriti u bë titulli i komedisë së parë shqipe të shfaqur në Diasporë?

Kreshnik Ibrahimi:- Pikërisht për faktin se një “Gru me Letra” është fenomeni që i shoqëron jo vetëm shqiptaret por në tërësi të gjithë Ballkanin në 20 vitet e fundit! Pikërisht kjo ka qenë dhe pikënisja ime për të shkruajtur dhe për të vënë në skenën e teatrove Europiane pikërisht me një titull të tillë! Por që thellë brenda kësaj komedie është një dramë e realitetit tonë të hidhur për të kërkuar një jetë më të mirë,dhe duke shpresuar në gjetjen e një gruaje me letra ose të një burri nga gjinia e kundërt! Pa e menduar që në shumicën e rasteve më vonë do shndërrohen në viktimë të serviliit ose e vuajtjes që i pret në jetën e tyre duke mos qenë të lumtur asnjëherë!

-Si shkoi “Du gru me letra” pati pjesëmarrje, pati duartrokitje, vlerësime, kritika, më thuaj nga një prej tyre?

-Premierën e kam dheënë në München (Gjermani) në muajin që kaloi dhe pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme duke mos i zënë as salla njerëzit që donin të ishin prezent për të parë këtë komedi të zhanrit Stand Up ose siç quhet në Gjermani “Kabarett”! Duartrokitje dhe të qeshura pa fund sa në shum raste e kisha të pamundur të vazhdoja tutje me interpretimin! Në një muaj kohë e kam shfaqur në München, Zürich e Stuttgart dhe këtë muaj do e shfaq dhënë 3 vende të tjera, datë 11 në rrethin e Stuttgart-it në një qytezë, datë 18 në Surse (Luzern,Zvicërr) dhe datë 25 në Augsburg. Jam i befasuar nga kërkesa që ka për këtë komedi, ndoshta dhe për faktin që Diasporës shqiptare i ka munguar një zhanër i tillë sepse është  ngopur nga koncertet e estradës shqiptare që si qëllim kanë vetëm shfrytëzimin dhe zhvatjen e këtij publiku që jeton në Europe pa i ofruar asnjeherë diçka të mirëfilltë artistike! Ësht një revolucion do e thoja për të thyer këtë tabu i nisur nga ana ime!

-Ishte një komedi për herë të parë në gjuhën shqipë e shfaqur në Gjermani, të dhanë një dorë gjermanët apo ku e gjete mbështetjen?

– Kam filluar me forcat e mia në fillim të vitit 2017 që kur erdha këtu, duke nisur me Stand Up-in tim të parë që titullohej “Gurbetqari” dhe e kam shfaqur në 8 qytete të Europës brenda një viti! Por fuqia e madhe e mbështetjes ka ardhur tek komedia “Du gru me letra” këtë vit edhe nga gjermaneët! Dua të falenderoj çdo teatro dhe sallë gjermane që në momentin e parë të takimeve më kanë ofruar mbështetje e aq më tepër kur e kanë dëgjuar që është në gjuhën shqipe! Një rëndësi të madhe i ka dhënë media e shkruar gjermane që në ditën kur do shfaqej premiera ka qenë në faqet e para të gazetave me prestigjoze gjermane! Që për fatin tonë të keq nuk ka pas një mbështetje mediatike nga asnjë medium në Kosovë e as në Shqipëri, edhe pse kam shumë miq gazetarë që ndjekin përmes rrjeteve sociale aktivitetet e mia, deri në këtë moment që po më pyet Gazeta Intervista dhe ti personalisht Fabjola Kuburi! Duke parë pasionin tim në këtë drejtim mbështetjes ndaj meje iu shtua dhe Ministria e Kultureës së Kosovës,organizata, klube shqiptare dhe shumë biznese dhe sponsor që mbështesin  çdo aktivitet timin tashmë, por përkrahja më e madhe meë ka ardhur nga publiku shqiptar në Diasporë që i falënderoj që po mbushin sallat në çdo vend!

– Kreshnik Ibrahimi, dashuron teatrin, humorin, të bukurën dhe na iku në Gjermani, pse?

– Mendoj që të gjitha këto që i ceke në këtë pyetje janë gjëra që sado t’i mund t’i kërkosh në vendin tonë, nuk mund t‘i gjesh, për fat teë keq! Unë ika dhe u largova sepse ndjehesha i revoltuar me realitetin e vendit tim, nuk bëhesha dot servil të përfitoja as role e as para, siç ndodh me shumë artistë në vendin tonë! Se kam në karakterin tim një gjë të tillë dhe duke mos parë formë tjetër të ecjes përpara u largova dhe të them të vërtetën nuk jam penduar!

-Çfarë i ke dhënë artit shqiptar ti Nik, çfarë ke marrë prej tij?

– Mendoj që nuk kam dhënë akoma asgjë, në krahasim me çfarë mendoj që mund t’i jap akoma, jam munduar t’i jap atë çfarë kam në shpirt dhe nuk e di nëse e kam arritur, kurse nga arti shqiptar dhe ai i Shqipërisë kam marrë shumë! I jam mirënjohës Shqipërisë sepse më ka formuar artistikisht dhe njerëzisht! 8 vitet e mia në Shqipëri dhe përvoja ime me Portokallinë për 5 vite dhe me spektaklet e tjera më kanë dhënë shumë, çdo partner i imi që kam pas më ka dhënë diçka, çdo dalje skenike kam mësuar diçka, nga çdo pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë më ka mësuar diçka,i jam përjetësisht mirënjohës të gjithë atyre që kanë punuar me mua! Gjithmonë jam ndjerë i vlerësuar në Shqipëri nga çdo person, nga më i thjeshti dhe deri tek Presidenti i Republikës Z.Bujar Nishani në atë kohë i cili më dekretoi me shtetësi dhe pasaportë shqiptare me motivacionin “Kontribut i lartë Artistik i dhënë në Skenën Shqiptare”

-Ti mbahesh mend si aktori i spektakleve të humorit më Shqipëri që solli role të jashtëzakonshme në skenë e dhurove buzëqeshje pa fund,  të mungon ky lloj interpretimi?

-Nëse të them nuk më mungon do të gënjeja! Më mungon çdo ditë e imja në Shqipëri! Me mungojn duartrokitje. Nëse të them nuk më mungon do të gënjeja! Më mungon çdo ditë e imja në Shqipëri! Më mungojnë duartrokitjet e zjarrta të Portokallisë dhe çdo spektakli ku kam luajtur! Njerëzit që më kanë rrethuar qoftë të artit por edhe të shoqërisë dhe çfarë më mungon më shumë është kolegu im Erand Sojli që për shumë vite kam luajtur në krah të tij!

-Do rikthehesh nëse të ftojnë?

– Më kanë ftuar këtë sezon Portokallia dhe spektakle të tjera në Shqipëri dhe Kosovë por kam refuzuar! Jam shumë mirë këtu ku jam dhe më këto çfarë po bëj! Jam shumë i angazhuar neë aktivitetet e mia në Diasporë! Kam hapur një produksjon video-filmik në Gjermani, realizoj çdo javë një emision në Diasporë që transmetohet në Radio Television në Kosovë që quhet “Ich bin Albaner” ose shqip “Jam shqiptar” që ka si qëllim prezantimin e vlerave shqiptare në Diasporë për çdo javë! Kam komeditë dhe turin tim nëpër Europë dhe në të njejtën kohë po luaj në një serial televizive që po realizohet në Zvicër dhe me dëshirën shumë të madhe do t’ju bashkangjitesha spektakleve por nuk kam kohë!

-Nik tashmë je prind i një vajze të vogël, si e shikon ka gen artisti do ecë në rrugën tënde apo do e lësh të bëjë zgjedhjen e vetë?

– Jam prindi i një vajze që quhet Kejsi! Jam shumë i lumtur për këtë, me thenë të drejtën duket që ka ngjarë nga unë në tip, mendoj që dhe talent ka sepse ka filluar duke shfaqur shenjat e para të aktrimit! Por asnjëherë nuk do e shtyj të bëj zgjedhje të imponuar, në rast se do e ketë talentin dhe dëshirën brenda zemrës se saj atëherë le  t’i përkushtohet artit!

-Cfarë shikon në të ardhmen e Nik Ibrahimit?

-Besoj me plane shumë të mëdha, mendoj që një periudhë të shkurtër do tentoj të luajë dhe të bëj shfaqje dhe në gjermanisht, kjo është ajo çfarë e shof veten në të ardhmen!

-Mbeti ndonjë gje pa thënë që mund ta themi në fund?

-Thjesht faleminderit përzemërsisht që keni qenë gjithmonë mbështetes ndaj meje si medium! Të përqafoj ty Fabjola dhe gjithë Shqipërinë që e dua aq shumë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *