Kaso Kosa: – Pardje, në inaugurimin e stadiumit të Elbasanit, ju i bëtë gol portierit Berisha, por mediet ironizuan sikur ju ëndërronit t’ia bëni këtë gol kundërshtarit tuaj Sali Berisha…

Edi Rama: – Këto janë marrëzira të medies dhe të njerëzve që nuk kanë fantazi. Unë, kur u vura përballë portierit Etrit Berisha, doja të bëja patjetër gol, se vetëm në futboll nuk kisha shkëlqyer e nuk kisha asnjë rekord, siç ka Doktori në not apo në ngjitjet alpinistike, ndërsa në basketboll kam bërë vitin e kaluar kosh tre pikësh nga gjysëm fusha. Përsa i përket Berishës, unë ia kam bërë golin që më 23 qershor, kur i gjuajtëm një penallti që pati jehonën e një milion golave, nga të cilët edhe sot nuk e ka marrë veten, por është strukur në zyrë dhe shkruan mesazhe duke dëgjuar lajmet.
– Zoti Rama, na lejoni t’ju pyesim edhe për një ngjarje tjetër: Si ndodhi që u konfliktuat me Arben Ristanin në prani të zotit Fyle?
– Ju më pyesni mua, por unë doja t’ju pyesja juve se ç’pati Ristani që u revoltua aq shumë kur unë i thashë “burgaxhi”? Në fund të fundit, ai ka qenë i dënuar me një vit burg dhe nuk kishte pse revoltohej, pasi nuk shpifa, siç shpif eprori i tij Berisha, apo nënkryetari i PD Basha. Kësaj i thonë që prostituta të revoltohet kur i kujton shtëpinë publike!
– Në një takim pune, ministrja Kumbaro u pa në media duke qarë. Si ndodhi?
– Të tërë një prerje keni ju gazetarët, Kaso! Kërkoni sensacion edhe atje ku nuk ndodhet. Njeriu edhe qan, edhe qesh për të shkarkuar emocionet negative, apo pozitive. Deputetet e opozitës qajnë sa herë takojnë Sali Berishën dhe askush nuk i komenton. Unë nuk i thashë ndonjë fjalë të madhe Kumbaros që ta fyeja, thjesht e thirra “shushkë”, që, në fund të fundit, një epitet i zakonshëm është. Të qajë një ministre se kryeministri e quan shushkë? Po sikur t’i kisha thënë ndonjë fjalë më të rëndë, të huazuar nga fjalori i paraardhësit tim Berisha, si për shembull “lavire bulevardi” apo “prostitutë”, ç’do të bënte ajo? Do të vriste veten? Unë kam qëlluar me celular në kokë Kaç Islamin dhe ai jo vetëm nuk qau, por si burrat uli kokën dhe heshti duke mbajtur xhungën me dorë. Vetëm një Egin Ceka ka qarë si fëmijë kur i përkëdhela pak veshin e djathtë.
– Opozita ju akuzon se jeni ju që jo vetëm keni bërë skenar për dhunë ndaj saj, por e keni nxitur me sy dhunën ndaj Strazimirit?
– Në fakt, kur Strazimiri po këpuste broçkulla kot më kot për inkriminim të deputetëve të së majtës, unë thjesht bëra më sy nga Arben Ndoka, duke nënkuptuar: “Ç’flet ky mo?”. Do ti që Ndoka e kuptoi këtë si shenjë që ta rrihte dhe, pa një, pa dy, e thirri në korridor dhe e rrahu. Unë isha ende në sallë dhe nuk e mora vesh se ç’ndodhi, po kur dola, aq u revoltova sa desh rraha Arbenin dhe Pjerinin që ulën veten dhe qëlluan një kalama si Strazimiri. Të kishin rrahur Edi Palokën, hajde de, se të paktën ai e ka provuar që di të bëjë grusht dhe ta përdorë në parlament!
– Meqë ra fjala te grushtat, duket sikur është kthyer në epidemi, se edhe Llalla i dha nja dy të mira zotit Shkëlqim Hajdari.
– Këtu ndryshon puna; e vërteta është krejt ndryshe. Këtë sherr e nxita unë me dy synime. Së pari, duke qenë se Llalla është i emëruari i së djathtës në atë detyrë, po të godiste me grusht një simpatizant tonin, do të merrej si revansh për atë që ndodhi me Strazimirin dhe e djathta do të kthehej në parlament. Së dyti, me qëllimin që ky sherr të mbulonte të parin, siç bën përherë Berisha, që kur i plaste ndonjë bombë korrupsioni, hidhte shashka për të tërhequr vëmendjen e publikut. Të flasim të drejtën, nga shembujt e mirë, qofshin këta edhe nga kundërshtarët, duhet të përfitojmë të gjithë.
– Po si arritët t’i futnit në sherr, se ju nuk ishit pjesëtar i mbledhjes?
– Ore Kaso! Po kur fillova unë të shkruaja mesazhe, Berisha nuk e njihte fare Facebokun! Thjesht duke ndjekur debatin, i bëra një mesazh Hajdarit që të vepronte si Strazimiri, ta fyente Llallën dhe ta nxirrte nga faza, sepse ne do t’ia shpërblenim duke e bërë kryeprokuror, së shpejti. Ndërkohë, i shkrova Llallës që t’ia këpuste me grusht këtij llafazani se do të na kishte ne të majtët mbështetje. Skenari im u realizua, vetëm se Berisha nuk i ra grepit që të bënte thirrje popullit në Facebook që të ngrihej në revoltë se po rrihej edhe kryeprokurori i tyre.
– Është e vërtetë se me Presidentin Nishani jeni në mirëkuptim të plotë për emërimin e guvernatorit, siç thatë kur u pyetët nga media?
– Nishani është burrë zotni! Diskutuam gjerë e gjatë dhe ai ishte plotësisht në një mendje me mua për të gjitha pikat që shtrova. Njeri i mirë, i arsyeshëm e mirëkuptues i madh. Me të tillë president të pavarur, largpamës dhe korrekt ndaj Kushtetutës, ia vlen të punosh, sepse ke sadisfaksion.
– Si mundi të ndodhë kjo, pasi deri para pak ditësh ai anatemohej nga ana juaj, pasi kthente mbrapsht çdo iniciativë tuajën? Si e arritët këtë?
– Shumë thjesht. I thashë se nëse ai nuk na kundërvihet këtej e tutje për çdo vendim tonin, unë i premtoja burrërisht se më 2007, do ta ripropozoja për president dhe ky do të ishte suksesi i tij më i madh sepse do të bëhej presidenti më jetëgjatë në Shqipëri; i pari burrë i këtij kombi që të ngelej president për dy herë radhazi. U lumturua dhe me lot në sy më premtoi se këtej e tutje, nuk do bënte siç i kërkonte Berisha, por siç do t’i thoja unë. Ju e patë që edhe në takimin për reformën zgjedhore, i qeshte fytyra nga lumturia. Dhe e them seriozisht që do ta propozojmë. Ai i shkreti, thjesht bukë me kos ha!
– Edhe një pyetje të fundit, zoti Rama: SHISH ka bërë përgjime të paligjshme sipas komisionit parlamentar. Cili është mendimi juaj?
– Doktori, si komunist 24 karatësh, është ushqyer me spiunime gjithë jetën e tij. Madje, nuk habitem nëse edhe ky, ashtu si Çaushesku, mund të ketë përgjuar këdo rreth tij, ndoshta edhe gruan apo fëmijët e vet. Shefi i trupave hitleriane të gjermanisë, Himler, ka përgjuar edhe vetë eprorin e tij, Hitlerin. Është çështje formimi me ndjenjën e pasigurisë dhe të maktheve që e kanë shoqëruar gjithë jetën. Kur e pyeta Visho Likën, m’u betua në nderin e tij se që nga 16 shtatori, nuk më ka përgjuar më. Përkundrazi, ka filluar të përgjojë Doktorin, Jozefinën e Strazimirin dhe se po të dua unë, mund të më sjellë në zyrë bisedat e tyre të zbardhura.

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *