– Përshëndetje doktor Dashamiri, doja t’ju pyesja rreth shqetësimeve të mamasë sime që është 55 vjeçe dhe ka rreth 5 vjet që mjekohet për tepricë të jodit. Edhe pse u bë shumë kohë që mjekohet, nuk kemi parë ndonjë ndryshim të madh të gjendjes së saj, bile sa vjen e rëndohet. Më parë i patën thënë që të operohej, por për shkak të disa sëmundjeve të tjera (astëm, tension, epilepsi etj.) nga të cilat vuan, mjekët e konsideruan të pamundur operacionin. Doja t’ju pyesja: A ka ndonjë zgjidhje përfundimtare për këtë sëmundje apo duhet të vazhdojë me barna, siç ka vazhduar gjer tani?

Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – Ju falënderoj shumë për pyetjen tuaj. Rasti i të afërmit tuaj përbën realisht një rast për t’u sqaruar për nga rëndësia e problematikave shëndetësore që mbivendosen në terren të një sëmundjeje bazë. Në këtë rast, i sëmuri nuk paraqet vetëm një sëmundje të caktuar, por janë të gërshetuara një sërë sëmundjesh. Këta të sëmurë i trajtojmë ndryshe si të sëmurë me shumë patologji që janë tipike sëmundje të moshës së tretë. I tillë është edhe rasti i të afërmit tuaj, ku një pjesë e tyre është e karakterit kronik, që do të thotë, sëmundje që e shoqërojnë njeriun deri në fund të jetës së tij. Të sëmurë të tillë ne i ndeshim shpesh në praktikën e përditshme dhe jo të rralla janë vështirësitë në trajtimin e tyre, pavarësisht se cili mjek specialist mundohet dhe jep trajtimin për një sëmundje të caktuar. Shpesh na ndodh që një sëmundje e caktuar të bëhet shkak në mosecurinë e mirë të sëmundjes tjetër. Në rastin tuaj konkret, fakti që kolegët ju kanë thënë se gjendra tirioide nuk mund të kurohet me operacion, por kërkon vetëm mjekim me barna, më bën të mendoj që realisht, situata klinike e të sëmurit mund të jetë e avancuar.

– Do të doja të bëja një parantezë që shumica e sëmundjeve të gjendrës tiroide trajtohen me barna dhe për një periudhë të caktuar kohore, shumica e tyre gjejnë shërim. Në rastin konkret, mbetet t’ju them që kjo periudhë ka kaluar dhe mundësia e trajtimit sërish me barna do të merret në konsideratë vetëm në qoftë se gjendja e përgjithshme e të sëmurit nuk do ta toleronte një zgjidhje tjetër më radikale, siç mund të ishte një operacion i gjendrës tiroide. Mjeku që përcakton nëse gjendra tiroide ka apo jo indikacion për kirurgji është mjeku endokrinolog që e ndjek të sëmurin dhe specialisti që vendos nëse i sëmuri e përballon ose jo ndërhyrjen kirurgjikale është është specialisti anestezist ose i narkozës, siç njihet në gjuhën popullore. Një konsultë midis këtyre specialistëve do bënte një vlerësim më racional rreth këtij rasti dhe do kishte një mendim më të qartë nëse e sëmura e përballon operacionin. Si hipertensioni, astma, ashtu dhe sëmundja e tokës konsiderohen relativisht të vështira dhe që mbartin një rrezik jo të lehtë operator, por nuk mund të themi në mënyrë absolute që këto mund të bëhen pengesë në rastin e mamasë suaj. Së fundmi, ju them që duhet të vlerësoni gjendjen funksionale të tiroides nëse nivelet hormonale janë të normalizuara dhe mjeku mendon për operacion. Duhet patjetër konsulta që përmendëm më lart, në mënyrë që të procedohet më tej për rastin. Nëse është e pamundur, nuk duhet kurrsesi të ndërprisni mjekimin me kokrra. Duke i uruar jetë të gjatë të afërmit tuaj, pres të më shkruani sërish.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *