– Përshëndetje Dr. Altini, ju jeni në ndihmë të pacientëve në klinikën tuaj që prej 2007-s, por për një prezantim më të gjerë për lexuesin dhe pacientët që kanë nevojë për ndihmën e një specialisti terapeutik, çfarë do tregonit pak më shumë për ju dhe klinikën tuaj? 

-Ne jemi klinika e parë e hapur në Shqipëri në vitin 2007 ku ofrohej fizioterapi me anë të aparaturave dhe ushtrimeve fizike, në atë kohë ishin shumë të zhvilluar në Austri dhe në vendet gjermanofolëse . Para nesh kishte një numër të madh klinikash ku ofrohej masazh për të trajtuar problemet shëndetësore, të ngjashme ka dhe sot. Për arsye se kjo nuk kishte të bënte me trajtimet që bëheshin në perëndim ne dolëm dhe ofruam për herë të parë trajtime të tilla, dhe sidomos futëm koncepte të Fact Based Treatment. Në atë kohë nuk kishte as Fakultet të Fizioterapisë dhe as të rehabilitimit në Shqipëri, pra si të thuash ishte e vështirë krijimi i këtij koncepti.

-Di që jeni ndoshta një nga mjekët e vetëm që ka përvetësuar dhe përdor një teknikë rehabilitimi të veçantë. A mund të na flisni pak më shumë për këtë teknikë?

-Le të themi që nuk është diçka plotësisht e veçantë. Sot ka disa rryma trajtimesh në fizioterapi sic janë; Manual Terapia apo Elektroterapia apo dhe ushtrimet të vetme. Ne mundohemi të qëndrojmë në trajtime të bazuara në kërkimin shkencor dhe jo në idetë personale të një rryme të vetme, shpesh të bazuar në përvoja personale relative. Mendoj që në fushën ku punojmë dhe përgjithësisht në mjekësi nuk ka gjëra fikse, por relative, dhe si të tilla duhet të jenë gjithmonë terapistët të kujdesshem në vlerësimin e kërkimit shkencor dhe sidomos ku e lexojnë një kërkim të caktuar, sepse është shumë e lehtë të marrësh vendime për trajtime radikale kur asgjë në realitet në struktura biologjike ku dhe ne si njerëz hyjmë nuk është bardhë e zi por relative. 

-A duhet sqaruar diçka rreth fizioterapisë dhe ushtrimeve fizike? 

-Ushtrimet fizike janë shumë efikase kur kryhen në kushtet e arritjes së shëndetit dhe kur kërkohet rritja e kapaciteteve shëndetësore muskulare dhe ROM, por studimet tregojnë që asnjë ushtrim fizik i vetëm nuk arrin rezultat njësoj te të gjithë individët që e përdorin. Sot nga studimet del që në 30 përqind të rasteve me anë të ushtrimeve mund të humbim kapacitete. Kur flasim për ngjarje të cilat zbatojnë ligjet e natyrës flasim për kurbën e Gaus dhe si e tillë kjo kurbë bën që dhe ushtrimi fizik të ketë problemet e veta, unë shpesh e shpjegoj me konceptin e një gome makine të çarë, cili është opsioni të ecësh apo të riparosh gomën kur je në rrugë. Pra, çdo trajtim sidomos në fushën tonë ka rriskun që në 30 përqind të rasteve të mos jetë efikas sa dhe si duam ne. 

-Nëse një pacient vjen në klinikën tuaj, çfarë gjen, shërbime, pajisje që ndihmojnë në rikuperimin e problematikave të tyre?

-Trajtimet jane në varësi të gjendjes së pacientit, ka raste që duhet elektroterapia, ka raste ushtrimet, ka raste kombinime, plus nuk duhet të harrohet gjendja psikologjike dhe sociale e pacientit.

-Doktor, ndër patologjitë më të përhapura janë: hernia diskale, skolioza dhe gonartroza, nga se shkaktohen ato dhe se si mund të rehabilitohen?!

-Këto patologji janë të përhapura dhe të njohura prej shekujsh si patologji dhe janë trajtuar në mjekësinë e 3000 vjetëve më parë. Këto patologji janë trajtuar me anë të tërheqjes vertebrale nga babai i mjekësisë në Greqinë e lashtë Hipokrati, në Romën e lashtë mund të kujtojmë Galeniusin. Ekzistojnë piktura të cilat tregojnë detaje trajtimi që janë të vlefshme dhe sot. Schroth ështe një metodë e 120 vjetëve më parë dhe sot vazhdon nga ana shkencore të vlejë. Pra,le të themi që janë sëmundje që lidhen me jetën e njeriut dhe që janë trajtuar me metoda fizike për shekuj me rradhë. Fizioterapia është zgjedhja e parë dhe nëse s’ka ajo rezultat atëherë shkojmë drejt heqjes së dhimbjes me metoda anastezike dhe në fund në kirurgji. Të gjitha metodat e mësipërme kanë dhe pjesën e tyre të mungesës së rezultatit.   


-Ku ndryshon një mjek fizioterapist nga një masazhues, trajtimi i të cili që mund të jetë fizioterapik?!

-Nuk ka mjekësi që jep rezultate vetëm me mjete të thjeshta me duar. Mendoj që fizioterapia mund të konsiderohet një grumbull metodash fizike dhe më pak efekte anësore ose problematike. Masazhi hyn në pjesën relaksuese e sociale dhe kënaqësinë e individit dhe nevojën për kontakt njerëzor por në trajtimin e sëmundjeve shpesh shkakton dëme.

-Po alternativa të tjera si mjekësia popullore apo edhe operimet a mund të jenë rezultative ose më saktë a jeni dakord që këto alternativa të vihen në funksion të pacientëve, nëse po kur?!

-Të them të drejtën nuk e konsideroj shumë të vlefshme mjekësinë popullore ose mjekësinë e bërë sipas mendjes. Mendoj që kërkimi shkencor është rruga e trajtimeve dhe përmirësimit të shëndetit. Ndoshta efekti i vetëm që quaj të vlefshëm është ana psikologjike ose efekti vetësugjestionues. Trajtimet bazuar në gojëdhëna janë të rrezikshme. Një Profesor stomatolog, Zenel Kokomiri, që ka vdekur thoshte një shprehje që më ka mbetur në mendje. Sot nuk është e nevojshme të hash 3 kg hudhër kur me një kokërr merr vitaminën c të barabartë me vargun. Pra, mjeku popullor nuk ka as përgatitjen dhe as mundësinë të vlerësojë sëmundjen dhe shkaqet e saj e jo më të japë mjekime.

-Në statistika të ndryshme është vënë re se numri i qytetarëve që vuajnë nga sëmundjet muskulo-skeletike janë të shumta. Pse ndodh kjo sipas jush? 

-Dëmtimet në shtyllën kurrizore siç janë herniet e artrozat variojnë rreth 70-92 përqind të popullsisë në një moment, bazuar në studime të ndryshme, pavarsisht nga shfaqja e shenjave. Dëmtimet  muskulare janë në përqindje të larta dhe ato rreth 35-65 përqind të rasteve. Janë të shpeshta sepse janë pjesa që përdoret më shumë gjatë jetës, dhe sidomos sedentarët e vuajnë më shumë sepse muskujt e tyre janë më të dobët nga ana e qëndrueshmërisë pra dhe muskujt dhe shtylla kurrizore vihen në provë më shumë dhe dëmtohen më shumë si pasojë.

-Në fund lamë diçka pa thënë, ku mund t’ju gjejnë ata të cilët kanë vërtet nevojë për vizitën tuaj në problematika fizike dhe që duhen kthyer në pozicionin e tyre?!

-Të gjithë ata që kanë filluar të kenë shenja janë më të rekomanduar për vizitë. Kjo sepse fizioterapia është më efikase në rastet që janë në fillimet e sëmundjeve dhe sepse sot mundohemi edhe të frenojmë shprehjen e patologjive nëpërmjet ndërgjegjësimit se ku janë defektet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *