Shkëlqesinë e tij, zotin Bujar Nishani, e takuam në tarracën e presidencës, duke shëtitur me një palë dylbi ushtarake të varura në qafë…

Kaso Kosa: – Zoti President, me vjen mirë që paskeni pak kohë të lirë për të bërë një intervistë, sepse kemi kohë pa ju intervistuar dhe jemi bash në kulmin e festave të nëntorit.
Bujar Nishani: – Në fakt, nuk po shëtis, Kaso, se nuk e kam kohën të tepërt, por po shikoj të gjej pozicionin më të mirë për të vrojtuar që këtu kryeministrinë, se të them të drejtën, më ngeli merak që nuk pata mundësinë të vrojtoja mitingun madhështor të PD-së ditën e shtunë pasi nuk kisha dylbi. Tani që i sigurova, do të vrojtoj që këtej mitingjet që do të organizojë partia ime.
– Opozita deklaroi se mitingu i së shtunës ishte ekonomik dhe kryesisht për masat shtrënguese ndaj abuzimeve me energjinë elektrike. Edhe ju jeni pro atyre që nuk paguajnë energjinë?
– Pa dyshim, jam pro tyre sepse në fund të fundit, hidrocentralet janë djersë e popullit dhe energjia merret falas nga lumenjtë që janë të popullit. Ç’e gjeti shtetin se nuk kanë paguar për 24 vjet të gjitha rrethet e Veriut energjinë elektrike? Asgjë. Përkundrazi, mirëqenia u rrit më shumë se në të gjitha vendet evropiane, pikërisht në vitet kur partia ime nuk ndëshkonte ata që nuk paguanin. E patë se sa pjesëmarrje madhështore kishte javën e kaluar nga qytetarët e pakënaqur?
– Ju ngeli peng që nuk patët mundësinë ta shihnit nga afër mitingun e partisë suaj?
– Pa dyshim, sepse ishte miting madhështor dhe mbi të gjitha, fjalimi i Lulzim Bashës ishte programatik për qeverisjen e ardhshme demokratike. Doja të veja atë ditë në miting, të përzihesha me turmën e revoltuar, të dëgjoja nga afër zërin e masës, por nuk më la Doktori. “Jari, ti nuk duhet të vish në mitingun tonë se aq duan ata të Rilindjes dhe do fillojnë nga akuzat kundër teje”, më tha me dashamirësi.
– Gerti Bogdani, pardje, paralajmëroi zotin Rama se nëse deri të enjten nuk do tërhiqej nga reformat, do të rrëzonin qeverinë, por nuk pamë as miting e as rrëzim qeverie!
– Lëri mor këta çiliminjtë! Ai do të ketë dëgjuar Doktorin që ka folur me vete, sepse këto ditë, pas hapjes së bunkerit të Enverit, i është shfaqur kjo simptomë shqetësuese dhe Gerti, me zell kalamani, e bëri publike.
– Pse është tjetërsuar Doktori pas hapjes së atij bunkeri që po bëhet i famshëm? Nuk e dinte që kishte një bunker kaq të madh, kur vendi ynë ishte plot e përplot me të tillë?
– Doktori e njeh më mirë nga të gjithë atë bunker, Kaso, sepse ka marrë pjesë në një stërvitje ku u improvizua një sulm bërthamor nga imperializmi amerikan dhe socialimperializmi sovjetik dhe ai ishte mjek i Byrosë Politike. Madje, Doktori kishte edhe sallën e veçantë të kardiologjisë. Ma ka thënë me gojën e tij se në situatë lufte, atë e kishin emëruar kryetar të ekipit mjekësor për Byronë dhe ishte shumë krenar për besimin që i kishte dhënë partia.
– Mos u revoltua ngaqë kur zhvillohej mitingu, Rama hapte bunkerin si kundërvënie ndaj Doktorit?
– Jo, jo! Edi Rama është frikacak. Sa mori vesh datën dhe orën e saktë të mitingut të demokratëve, vajti dhe u fsheh në bunkerin e nëndheshëm. Mori me vete edhe ambasadorët, që sido që të vinin punët, nëse i rrezikohej koka, të ishte i mbrojtur nga diplomatët meqë kanë imunitet dhe përfaqësojnë shtetet miq të partisë sonë. Më 14 shtator 1998 iku edhe Fatos Nano nga kryeministria, por nuk u fut në bunker. Iku nga dalja e fshehtë, shkoi në Maqedoni dhe ia futi një dorë bixhozi në kazino për shtatë palë qejfe, derisa u qetësuan ujërat. Ky paska qenë fare frikacak dhe kjo më trishton si kryetar shteti; nuk e meritojmë ne si komb një kryeministër frikacak, se jemi komb trimash. Kur bënë socialistët mitingun e 21 janarit, Doktori jo vetëm qëndroi në zyrën e kryeministrit dhe i përshëndeste me dorë demonstruesit, por edhe Lulin e vuri në tarracën e godinës që të bënte sehir kallaballëkun e mbledhur në bulevard. Atyre të dyve u them trima unë! Por, nuk ishte fshehja e Ramës që e ka tronditur Doktorin.
– Atëhere cili është shkaku i çorientimit të zotit Berisha?
– Me shumë ligësi, Edvin Rama deklaroi që nga bunkeri se ka vendosur të hapen dosjet e famshme të sigurimit të shtetit dhe kjo e ka revoltuar aq shumë Doktorin, sa ka filluar të flasë me vete.
– Pse, ç’ka Doktori me dosjet? Ai vetë ka kërkuar të hapen, sa herë ka ardhur e ka ikur nga pushteti!
– Është e vërtetë që i ka kërkuar, por ta themi midis nesh, jo se donte vërtet të hapeshin. E di ti mor djalë se po të hapen ato dosje, do të kemi luftë civile? Vetëm në PD është gjysma e kryesisë dhe gjysma e deputetëve ish-spiunë të sigurimit të shtetit. Vetëm unë dhe nja dy të tjerë nga të vjetrit nuk kemi qenë të tillë sepse ishim komunistë dhe komunistët nuk lejoheshin si spiunë të rëndomtë. Lejoheshin vetëm kur i duhej partisë për detyra të larta. Për këtë shkak është turbulluar, se është i bindur që Rama do të hakmerret ndaj tij dhe atyre që Doktori ka në krah.
– Per inaugurimin e bustit të De Radës, ç’mendim keni, zoti President?
– Ishte gjëja më e bukur që ka bërë zoti Basha në kryeqytet në këta tre vjetët e fundit, sepse De Rada ka qenë një luftëtar trim i Rilindjes sonë Kombëtare që jo vetëm ka hartuar abetaren e parë shqipe, por me pushkë në dorë, në krye të çetës që formoi vetë, u dha dërrmën turqve…
– Më falni, zoti President, por abetaren e parë nuk e ka hartuar De Rada dhe as ka luftuar në Shqipëri sepse…
– Këtë të keqe keni ju të rinjtë e sotëm, se edhe jeni fare të painformuar mbi veprat e njerëzve të mëdhenj të këtij kombi, edhe nuk doni të mësoni nga ne të vjetrit që dimë më shumë. Unë ua kam dhënë leksion studentëve të mi kur isha pedagog në shkollën ushtarake, se si ka luftuar, ç’taktika ndoqi, ç’kontribut ka dhënë për pavarësinë, ky rilindas i madh.
– Si e vlerësoni qëndrimin e PD-së për mosfutjen në parlament?
– Unë kam qenë e jam kundër dhunës qëkur isha oficer dhe pedagog në Shkollën e Bashkuar dhe ky ishte shkaku pse rrëmbeva armët dhe me një kompani studentësh, mbrojta bustin e Enver Hoxhës. Po kështu, jam edhe kundër dhunës në parlament, ndaj pajtohem me partinë time që nuk pranon të bëhet pjesë e kësaj dhune mbi shpinën e saj.
– Ky është shkaku që PD-së mblodhi dhe krijoi parlamentin paralel ne SHQUP?
– Pikërisht ky dhe unë e përshëndeta këtë nismë interesante. Për mendimin tim, është një risi e politikës shqiptare dhe për këtë ka meritë vetëm Doktori, i cili nga ana e vet, përherë ka qenë kundër çdo lloj dhune dhe e ka demonstruar në tetë vjetët e tij në krye të qeverisë shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *