Shiu dhe era…

Shiu dhe era, luajnë me çadrën

E bërë qull, hyj të luaj dhe unë

Pranë detit, dola të luaj me dallgët

Me shiun dhe erën, luajta më shumë

Shiu vazhdonte, të binte akoma

Mbi çadrën dhe mua rraskapitur

U kënaqa, tek luaja e bërë qull

Si asnjëherë, se kisha pritur…

E dua shiun dhe erën bashkë

Se kanë, një melodi të bukur

Më kënaq kur personazh bëhem unë

Në lojën e tyre, si një flutur… Fleta Satka

 

Dashuria është bukuria e shpirtit
E shpirtit që rritet brenda një trupi
bashkë me trupin!
Trupi rritet, plaket, vdes
Shpirti rritet, plaket me ne dhe…
Së fundmi, del për t’u bërë prapë i ri…
Mjerë kush nuk ka bukuri në shpirt
S’e njohu kurrë dashurinë!
Sot për çudi trupi im mbush plot 40 vite.
Dhe sot, si asnjëherë më parë
nuk i urova vetes edhe 100, por…
Të rroj aq sa dhe shpirti do të mundë
të mbesë i bukur!
Urojani edhe ju vetes suaj sepse…
“Mjerë kush jeton pa dashuri” Bledi Ylli

 

Dedikim…

 

Një engjëll i vogël

Ish mes jush

Plot lodra, buzëqeshje

E diellit në gusht

 

Dallëndyshja

Ish vjersha e saj e preferuar

E këndonte plot jetë

Si dëshira e saj për të jetuar

 

Por nata e dimrit

Erdhi papritur

Ku ta dinte vogëlushja

Se erdhi ora për të ikur?

 

Ashtu mes shiut, flakës

E natës së errët

Nertila e vogël u kthye

në një kujtim për të tjerët.

Elgerta Bejto, (dedikuar Nertilës)

 

 

Rruga

 

Ah, moj rrugë, rrugë e gjatë,

bashkudhetarja ime e ngratë

Sa kujtime të kam rrëfyer,

sa gëzime e trishtime.

 

Jam larguar, për ca kohë

dhe ti shumë më mungon

Dua të eci te ti ngadalë,

ndoshta, ndoshta përgjithmonë.

 

Vogëlushet

Vogëlushet e mia

Si dy yje që vezullojnë

shpirtin tim ma ndriçojnë.

Qeshin e lodrojnë me gaz

zemrën lumturojnë pa masë.

Zoti më ka bekuar,

me ju si dhuratë të çmuar. Daniela Nure

 

 

Pika e lotit

 

Si diamante të vogla lotët

rridhnin në faqen e brishtë.

Tokën s’donin ta arrinin

që të çarat e saj t’i përpinin

 

Një pikë e vogël e kristaltë

mbi qerpikë u rrokullis.

Jam e fundit s’do të vdes

pas qerpikut do të mbes.

 

Mijëra kristale do formoj

rrugën të të ndriçoj

Syri bukur më të mos lotojë

ai të qeshë e ngazëllojë.

 

 

Qyteza e vogël, Erseka

 

Te ti lindën ëndrrat e mia

Te ti nisi jeta ime.

Në çdo rrugë gjurma ime,

në çdo varg kënga ime.

 

Rrëzë malit të Gramozit

në pllajë shtrihesh ti

Qyteza e vogël e freskisë

burim frymëzimi i dashurisë.

 

Bora

 

Në xham u afrova një çast,

pashë borën që binte jashtë

Flokët e saj të argjendtë

donin të më merrnin mendtë.

Doja të rendja si e marrë.

bardhësinë për të parë,

të mbulohesha me të bardha,

si nuse ditën e parë

Të kujtoja fëmijërinë

me topa bore rininë

Plakun e borës në tokë

hundën e tij me karotë

Por, ah, kur dielli të lindte

borën do të shkrinte

ftohtësinë do të hiqte

plakun e bardhë do të ma përzinte.

 

Mos harro sevdanë

 

Kur po ledhatoja gjinjtë e tu

Mendja më shkoi te një tjetër

Kjo kujtdo mund t’i ndodhë

Ka qenë dhe është përrallë e vjetër

 

Hapa sytë dhe vetes i thashë”

“Ej, ku shkon? Të gjitha njësoj janë”

Mirëpo zemra foli pak më ndryshe:

“Mos harro o shpirt kurrë sevdanë”. Thodhori Cerro

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *