Lidhja e një gruaje me parukierin/en e saj është shpesh një lidhje që zgjat gjithë jetën. Nga njëra anë dihet se t’ia lësh flokët në dorë dikujt tjetër (pavarësisht sa diploma ka) do të thotë të rrish me ankth se cili do të jetë rezultati. Nga ana tjetër, nëse gjeni njeriun me të cilin ndjeheni krejtësisht të kënaqur, mund të bëheni shok/shoqe të ngushtë me të. Megjithatë, ekzistojnë disa klishe që me siguri i keni dëgjuar në të shkuarën dhe mund t’i ridëgjoni, që kanë lidhje me flokët dhe kujdesin për ta. Ja, cilat janë ato:
1. “Larja e përditshme i dëmton flokët”
Shpeshtësia e larjes së kokës është gjithmonë një çështje problematike. Këtu kemi të bëjmë me tipin e flokëve të çdo gruaje. Nëse flokët tuaj janë të thatë, keni fatin të mos i lani përditë dhe të mos bini në sy fare, por nëse keni flokë me yndyrë, e kuptojmë se ndjeni nevojën për t’i larë çdo ditë. E vërteta, pra, gjendet diku në mes. E vetmja gjë për të cilën duhet të bëni kujdes kur i lani çdo ditë është stilimi që vjen pas. Lërini mënjanë veglat e nxehta dhe thajini flokët me ajër të ftohtë. Kështu, nuk do të keni frikë nga asgjë.
2. “Shampoja juaj e lirë duhet hedhur në plehra”
E kuptojmë se kur dikush punon në një parukeri, ka nevojë të ekspozojë produktet profesionale, por jo gjithmonë ato janë aq të mira sa duken. Ne, mund të mos kemi buxhet të madh, ose thjesht, nuk duam të ndahemi nga shampoja jonë e lirë, që e kemi blerë në supermarket apo farmaci, por që kemi zbuluar se i plotëson më së miri nevojat e flokëve tona. Që të ekzistojë pra një harmoni, propozojmë të vazhdoni të përdorni produktet që ju dhe flokët tuaj i duan, por një herë në muaj mund t’ia bëni qejfin vetes duke bërë një terapi relaksuese në parukeri, si për shembull një maskë flokësh.
3. “Keni nevojë për 15 produkte të ndryshme stilimi”
Jo, nëse nuk jeni Naomi Kampbell dhe nëse nuk ju përket dollapi me gjithë produktet brenda! Nuk është pra nevoja të investoni në produkte kaq të ndryshme për flokët. Askush nuk ka nevojë për 10 shkuma, llaqe dhe vajra flokësh; e vetmja gjë që duhet të bëni është të mendoni tipin e nevojat e flokëve tuaja dhe të zgjidhni 2-3 produkte që do t’ju ndihmojnë gjithmonë të keni rezultatin e përkryer.
4. “Shkallëzimi i bën flokët të kenë më shumë vëllim”
Kjo vlen dhe nuk vlen. Është e sigurtë se një prerje me shkallëzim, kur bëhet siç duhet, mund t’i tregojë flokët me më shumë volum, por kjo vlen sidomos për gratë me flokë të hollë. Nëse keni fije floku të trashë, ju nuk keni nevojë t’i prisni me shkallëzim për të shtuar vëllimin. Stilimi i duhur është i mjaftueshëm.
5. “Prerja i bën flokët të zgjaten më shpejt”
Sigurisht që jo. Prerja e shpeshtë e flokëve ka rëndësi që flokët të duken më të shëndetshme, pasi eviton majat e dyfishta. Edhe shkurtimi i majave të flokëve nuk i bën ato të rriten më shpejt, vetëm se vonon nevojën për t’i prerë.
6. “Gratë me flokë të hollë, duhet t’i presin karre”
Jo, gratë me flokë të hollë nuk janë të dënuara t’i presin flokët karre gjithë jetën e tyre! Nëse ju pëlqen të keni flokë të gjatë, mund t’i mbani edhe nëse i keni të holla dhe të ndjeshme, mjafton të ushtroni kujdesin e duhur për forcimin e tyre.