Nuk është gjithmonë e lehtë të jetosh në harmoni me trupin tënd. Kjo varet nga kujdesi që tregojmë për të dhe se sa jemi të aftë të dëgjojmë mesazhet që ai na dërgon. Objekt shqetësimi për disa ose mirëqenieje për të tjerë, trupi ynë tregon historinë tonë intime. Njohja më e mirë e tij është, pa dyshim, çelësi i ekuilibrit tonë dhe një ndjenjë bashkimi trup/shpirt është bërë e domosdoshme për ta dashur më shumë veten. Atëhere, trupi për ju është diçka e huaj apo bashkëpunëtori juaj? Cila është marrëdhënia juaj me këtë mesazher të çmuar? Për të zbuluar cili është profili juaj dominues, përgjigjjuni sa më sinqerisht të mundeni pyetjeve të bëra nga specialisti ynë.

1. Çfarë merrni me vete para se të niseni për në zyrë?
a. Vajra esenciale me aromë trëndafili
b. Kapsulat tuaja “që djegin dhjamërat”.
c. Kapsulat me omega-3
d. Manualin me teknikat e automasazhit (sipas mjekësisë tradicionale kineze)

2. Sapo fillojnë shenjat e parë të dhimbjes së shpinës…
a. I thoni vetes se ju kanë ardhur në majë të hundës.
b. Merrni ilaçe kundër dhimbjeve dhe planifikoni të tonifikoni muskujt e shpinës.
c. Lini takim për të bërë një masazh.
d. Bëni një seancë QI Gong

3. Në rastet kur keni shumë stres…
a. Ju ndodh të thyheni nën peshën e tij.
b. Nxirrni bimët tuaja antistres.
c. Arrini ta zotëroni; është gati si një karburant për ju.
d. Merrni frymë thellë, për t’u kujdesur për kapitalin tuaj energjetik.

4. Kur vishni atletet për një seancë sporti, e bëni për të…
a. …larguar stresin
b. …sfiduar veten
c. …kënaqur veten
d. …lidhur trupin me mendjen

5. Masazhi ka hyrë tashmë në zakonet tona. Cili ju pëlqen më shumë?
a. Masazhi me vaj të ngrohtë
b. Masazhi për t’u dobësuar
c. Masazhi Gestalt për një ekuilibër emocional
d. Masazhi kinez për të stimuluar meridianët

6. Ju keni shumë punë, ndërkohë që erdhi ora e drekës:
a. Blini një ëmbëlsirë në dyqan për të shuar shpejt urinë.
b. Keni marrë një nga ato snack-et dietike.
c. Shkoni në restorant me një shok.
d. Keni marrë me vete një ushqim bio nga shtëpia.

7. Kur keni kërcyer për herë të fundit?
a. Në martesën e një prej miqve tuaj; shumë emocionuese!
b. Në kursin e zumbës; tendenca e fundit
c. Në një festë me shoqërinë
d. Në një kërcim kinez, për t’u lidhur me tokën dhe energjinë e saj

8. Ju dhe pesha juaj:
a. Herë ju pëlqen, herë jo.
b. Gjithçka është nën kontroll.
c. Gjithçka varet nga emocionet tuaja.
d. Gjithçka është në ekuilibër.

9. Shkoni në një hamam për të…
a. …ndjekur një shoqe
b. …patur një lëkurë më të mirë.
c. …larguar helmet nga trupi
d. …kuptuar sekretin e lindorëve

10. Shiheni në pasqyrë. Si ndjeheni?
a. Sensuale
b. Pak e kompleksuar
c. Në formë të mirë
d. Imazh i përkryer

11. Si e përjetoni ju moshën tuaj?
a. Duke u dorëzuar
b. Duke luftuar kundër shenjave të saj
c. Duke u përpjekur të jeni në formë
d. Duke e pranuar veten ashtu si është.

12. Këtë mëngjes, për ta filluar mirë ditën, ju përqendroheni te…
a. Motivimi, pasi e keni të vështirë të ngriheni.
b. Garderoba juaj
c. Një vakt me ushqime që ju japin energji.
d. Një zgjim i ëmbël me partnerin.

13. Trupi juaj është në qendër të:
a. Marrëdhënieve seksuale
b. Dietave tuaja
c. Terapisë suaj
d. Kapitalit tuaj shëndetësor

Rezultatet
Nëse keni më shumë përgjigje a.
Ju dhe trupi juaj: Një dialog mes dy shurdhësh!
Ju keni natyrë shumë emocionale. Sapo kaloni ndonjë vështirësi, trupi ju paralajmëron: Dhimbje barku, kurrizi, koke, ose dhimbje të tjera të vogla, që shfaqen pa ju paralajmëruar. Mbase ju i lidhni me ngjarjet që ju ndodhin, megjithëse nuk e pohoni këtë! Trupi juaj është më elokuent se një fjalim dhe thotë shumë gjëra në lidhje me marrëdhënien që keni me të… dhe me veten. Mbase ju bezdis? Ndjeheni mirë në vetvete? Duket se ju nuk jeni në një gjatësi vale me trupin tuaj, jo me imazhin e tij, por me ndjesitë tuaja. Dukeni sikur nuk ua vini veshin mesazheve që ai ju dërgon, ndërkohë që, nëse do ta bënit, mund ta kthenit në një partner të çmuar… Trupi juaj grumbullon gjithë zemërimet tuaja, lotët që mbani dhe gjithë gëzimin që mezi pret të shprehet. Për të rivendosur një dialog dhe për ta dashur më shumë veten (kujdesi më i mirë që mund të tregoni për të), ju mund të mësoni të dëshifroni mesazhet që ai ju dërgon. Mund të ndihmoheni edhe nga masazhet e ndryshme, si ai Gestalt, metodë për çlirimin e emocioneve, joga dhe terapi të tjera psiko-trupore. Sapo t’i kushtoni trupit tuaj vëmendjen e duhur, do të mund të zbuloni potencialin e madh të kënaqësisë dhe vitalitetit që fshihni në vetvete.

Nëse keni më shumë përgjigje b.
Ju dhe trupi juaj: Një marrëdhënie nën kontroll
Duket sikur ju kërkoni shumë prej trupit tuaj dhe nuk e falni lehtë atë. Kështu, pra, keni tendencë të keni gjithçka nën kontroll: Peshën, ushqimin, imazhin tuaj. Mbase e keni problem celulitin, formën e të pasmeve apo rrudhat… Kjo sjellje duhet t’ju krijojë në vetvete shumë tensione, si edhe pengesat që duhet të kapërceni për të qenë i/e kënaqur me veten. Marrëdhënia që keni me trupin tuaj, kalon së pari nga mendja dhe ideja që keni për të pasur një trup të përkryer. Më shumë sesa dialog me një partner të mundshëm, ju i impononi atij normat tuaja. Ekzistenca e kaq shumë përpjekjeve për transformimin e jashtëm, mbase është një shenjë që tregon se ju evitoni përballjen me veten dhe jetën tuaj. Për të rilidhur marrëdhënien me veten, duhet të mësoheni të relaksoheni, t’u besoni më shumë instikteve tuaja. Të gjitha metodat e relaksimit, si për shembull sofrologjia, mund t’ju ndihmojnë në këtë drejtim. Mos mbani vazhdimisht dietë dhe shijojini edhe kënaqësitë e jetës. Bëni fizkulturë jo vetëm për të larguar tensionet ose djegur kaloritë, por edhe për të ndjerë forcimin e trupit tuaj. Bëjini masazhe me vajra të ngrohtë. Trupi juaj nuk është thjesht një kartvizitë që duhet t’ua tregoni të tjerëve; ai kërkon përkujdesje sensuale prej jush.

Nëse keni më shumë përgjigje c.
Ju dhe trupi juaj: Një marrëdhënie energjie
Një mbrëmje e këndshme, një seancë joge dhe ju jeni plot vitalitet! Një ngecje në trafik dhe ju shkarkohen bateritë fare… Ju, me trupin, keni një marrëdhënie energjie që ndryshon. Megjithëse nuk është gjithmonë e lehtë, ju e dëgjoni trupin tuaj, qoftë kur është në maksimumin e energjisë, qoftë kur i mungon ajo. Jeni pajisur me një barometër shumë personal, që ju lejon të qëndroni në kontakt me trupin tuaj. Pa dyshim, keni njohuri për dimensionin energjetik të trupit: QI te kinezët dhe Prana, tek indianët… Me sa duket, ju keni të njëjtën gjatësi vale me trupin tuaj. Kur ne kemi një harmoni mes trupit dhe trurit, teknikat për ta larguar lodhjen janë specifike për gjithsecilin. Që energjia juaj të qarkullojë, ka mundësi të ndryshme: Ju mund të ushtroni praktika energjetike si Qi Gong apo joga. Edhe kënga, si një ushtrim vibrues i trupit, ose masazhet e tipit energjetik, janë të përshtatshëm për ju.

Nëse keni më shumë përgjigje d.
Ju keni një marrëdhënie të harmonishme me trupin tuaj
Duket se e keni për zemër të jeni në harmoni me trupin tuaj. Pa dyshim, keni bërë paqe në marrëdhënien me të, duke u kujdesur për veten. Ekuilibri juaj i mirë varet para së gjithash nga mirëqenia juaj dhe ju i kushtoni kohë kësaj. Duket se dini të fusni në jetën e përditshme dhe me ëmbëlsi gjestet e duhura për të larguar stresin e për t’u mbushur me energji. Ju veproni me inteligjencë, duke e trajtuar trupin tuaj si bashkëpunëtor.
Mbase ju nuk vraponi pas imazhit të siluetës së përkryer, por e keni pranuar veten ashtu siç është. Pa dyshim që ju kanë dashur dhe janë kujdesur për ju kur keni qenë fëmijë. Një marrëdhënie e shëndetshme me kënaqësinë mbase është inkurajuar që herët. Puna që keni bërë me veten, gjithashtu, ju ka bërë të afroheni me trupin, duke e bërë një shok intim. Sot, duke ua vënë veshin nevojave tuaja më të thella, dini si t’i përgjigjeni dhe të lehtësoni kështu peshën e detyrimeve të mëdha të mënyrës sonë të jetesës. Të kujdesesh për veten është para së gjithash një gjendje shpirtërore! Pa dyshim, ju dini si ta bëni këtë: Shëtitje në natyrë për t’u mbushur me oksigjen, banja relaksuese, masazhe, etj. Për të shkuar më tej, ju mund të eksploroni pesë shqisat tuaja, ose të merreni me aktivitete trupore për të shprehur vetveten; siç është kërcimi për shembull…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *