– Përshëndetje! Jam Rimi nga Gramshi, 35 vjeç. Kam 13 vjet martesë. Kam dy muaj që jetoj vetëm. Nusja më la se u keqkuptova me vëllezërit e saj. Unë atë e dua, pa atë jeta ime është e kotë. Unë për nusen time e cila quhet Linda, hodha familjen time se nuk i donte ajo. Unë për atë kam dhënë gjithçka, edhe jetën e jap, se e dua shumë. Ajo iku në Shqipëri me 24 gusht, vetëm një herë fola në telefon sa ishte me njerëzit e saj. Nuk e ndjeja shumë mungesën e saj. Ndihesha më i qetë, por ajo ka 10 ditë që ka ardhur në Greqi e nuk di ku ndodhet. Njerëzit e saj e dinë, por nuk më tregojnë. Çfarë të bëj unë që atë e dua shumë? Kam 10 ditë që nuk flej gjumë as ditën, as natën. Nuk më shkohet në shtëpi. Shoh ëndrra sikur e kam pranë. Flas me veten time… Unë pa atë nuk e dua më jetën time. Nuk më punon as mendja, as nuk punoj dot, as nuk ha bukë, vetëm cigare e kafe pi. Ju lutem, më ndihmoni, çfarë të bëj, sepse nuk jam aspak mirë? Jam edhe vetëm, nuk kam njeri të më thotë një fjalë të mirë. Ju lutem, më ndihmoni sepse jam shumë keq. Jetoj në Nafljo të Greqisë. Pres përgjigjen tuaj. Faleminderit.

Redaksia:I nderuar Rimi! Në radhë të parë, faleminderit që na je drejtuar si një të afërmit tënd, i cili të mungon atje ku jeton. Do të doja shumë të të thoja një fjalë të mirë dhe shpresoj se do ta gjesh këtë në përgjigjen e mëposhtme. Ti thua se nuk e do më jetën tënde pa gruan që të ka lënë, ndërkohë që në letër thua se u ndave nga gruaja, ajo iku te njerëzit e saj (ne Shqipëri) dhe ti nuk ia ndjeje mungesën. Kjo gjendje (kur ti nuk ia ndjeje shumë mungesën) ka zgjatur jo pak, por gati tre muaj, ndërkohë që dihet se në një ndarje, momenti më i vështirë është ai i fillimit. Ti e ke kapërcyer për bukuri këtë moment, por ja që ajo vjen në Greqi (ku jeton ti) dhe ty, vetëm mendimi se tani e ke më afër, se mund ta takosh, se ajo është diku rreth teje (ndoshta në aspektin gjeografik, ajo mund të jetë akoma më larg tani), të bën të vuash… Siç thua, nuk punon, nuk ha, nuk fle… Ki parasysh, se armiku më i madh dhe njëkohësisht, mjeku më i madh i vetvetes është vetvetja! Atëhere, bëji vetes tënde një pyetje të thjeshtë: Si është e mundur që pikërisht tani ti po vuan më shumë për të? Vërtet nuk e kupton dot jetën pa atë grua? Po deri më sot, si qe e mundur që e kuptoje? Kam frikë se ajo që ti e quan dashuri, është thjesht një fiksim, i dashur… Është e vërtetë se nuk është e lehtë të hidhet poshtë dashuria apo një lidhje që për njeriun ka qenë e rëndësishme, por në rastet kur ajo mbaron dhe nuk ka dritë shprese për kthim pas (më vjen keq që tregohem kaq e drejtpërdrejtë, por a nuk thua ti se askush nuk të tregon ku ndodhet, se ke folur vetëm një herë me të, se ajo ka ikur dhe nuk do të kthehet më), më e mira që mund të bësh, është të jetosh jetën tënde dhe të harrosh. E kuptoj se kjo është shumë e vështirë për ty, por shumë të tjerë kanë kaluar nga kjo rrugë, shumë të tjerë kanë vuajtur dhe në fund, janë pajtuar me të vërtetën. Sa më shpejt të përpiqesh ta pranosh me veten tënde se kjo histori është e mbyllur, aq më shpejt do të mbyllet edhe plaga që ajo të ka lënë në zemër. Nga ato që shkruan, megjithëse dukesh vërtet i dëshpëruar, unë shoh se ti e ke nisur rrugën e shërimit, vetëm se akoma nuk po e pranon dot këtë. Shih përpara! Në rrugën e jetës tënde do të gjesh, me siguri, një njeri që të të dojë e të të vlerësojë, ashtu siç di të duash e të vlerësosh ti. Të uroj gjithë të mirat dhe të ftoj të na shkruash sërish…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *