Unë që po ju shkruaj jam një burrë në moshë. Jam martuar i ri, më saktë, shumë i ri. Gruan e njoha në shkollë. Ajo studionte për Filozofi dhe unë, për Juridik. Ishim shumë të rinj dhe menjëherë e kuptuam se ishim bërë për njëri-tjetrin. Dashuria jonë e pastër dhe e sinqertë bëri që prindërit tanë të ishin dakord me zgjedhjen tonë, madje qenë shumë të lumtur. Ajo ishte një vit më e vogël se unë. U fejuam kur unë sapo kisha mbaruar universitetin dhe isha emëruar hetues në qytetin tonë të lindjes, ndërsa ajo ishte në vitin e fundit. Menjëherë pas mbarimit ajo u emërua mësuese historie në qytet dhe ne u martuam. Pas martesës, na lindën tre fëmijë, të tre, djem. Ishim shumë të lumtur. Të gjithë na quannin si çifti ideal dhe kishin të drejtë, ne ishim të tillë. Në fakt, unë isha tip shumë i hedhur, por ajo kishte shumë besim tek unë dhe nuk ishte aspak xheloze. Kjo gjë bënte që unë ta ruaja me dinjitet ndershmërinë time, sepse i detyrohesha shumë, përderisa ajo kishte atë besim të madh tek unë. Dëgjoja shokët ç`tregonin për gratë e tyre se si i kontrollonin, si duhet të shkonin menjëherë në shtëpi sa mbaronin punën e shumë gjëra të tjera, madje deri edhe në rrahje të grave me koleget e tyre. Kjo gjë për ne të dy ishte një mënyrë shumë e mirë për të krijuar barcaleta. Ajo qeshte me të madhe kur unë i tregoja ato që dëgjoja nga shokët. Edhe ajo më tregonte ato që dëgjonte nga shoqet dhe gjithmonë më thoshte:

– Pse duhet t`ia helmojnë jetën njëri-tjetrit?

– Po ç`të bëjnë? – i thosha.

– Ose të ndahen, ose të mbyllin njërin sy e të bëjnë njërin vesh shurdh.

Nganjëherë kisha dëshirë që ajo të tregonte pak xhelozi, se thonë se dashuria e xhelozia shkojnë bashkë. Kur ia thoja këtë, ajo më shihte në sy e më thoshte:

– Unë xheloze nuk jam, se të dua, por po të zura, i mjeri ti!- dhe qeshte me të madhe. Buzeqeshja e saj ishte e mahnitshme! Dhëmbët e saj të rregullt dhe buzët e bukura nuk i kam parë askund, madje në asnjë kopertinë revistash. Për të kishin respekt të gjithë, si në shkollën ku jepte mësim, ashtu edhe në lagje. Shumica e grave kanë probleme me njerëzit e burrit, ndërsa mamaja ime e donte më shumë se vajzën e vet. Ishte e paimagjinueshme se si ai njeri nuk kishte asnjë të metë. Ishte e përkryer, si nga pamja, ashtu edhe nga karakteri! Ishte merita e saj që ne ishim etiketuar me emrin “çifti i përsosur”. Nga dashuria e madhe që na karakterizonte ne të dyve, detyrimisht do të rridhte një familje me një jetë të qetë dhe me fëmijë që paraqesin kudo mirësi dhe dashuri. Fëmijët tanë ishin fryt i dashurisë dhe me atë nënë që kishin ata, që nuk zemërohej asnjëherë, që nuk bërtiste asnjëherë, që nuk zihej me mua kurrë, që çdo gjë e merrte me butësi dhe me takt, nuk kishin si të ishin ndryshe. Nga gjithë kjo mirësi, sipas të vjetërve, duhet të kesh frikë dhe të vjetrit gjithmonë kanë të drejtë.

Ajo u sëmur dhe mjekët e diagnostikuan me kancer në gji. Ishte shumë e vështirë ta shihje ditën kur mjekët na treguan se përse bëhej fjalë. Ishte dita më e keqe e jetës sime. Sikur edhe njëqind vjeç të bëhem, nuk do të kem ditë tjetër më të keqe se ajo. Çfarëdo që të më ndodhë, nuk do të ma hidhërojë zemrën si ai lajm i kobshëm sepse në zemër asgjë dhe askush nuk do ta zërë vendin e saj. Ajo u mërzit shumë dhe ishte normale, por prapë nuk u mposht dhe më tha:

– Do të luftoj dhe do ta mposht sëmundjen, për vete, për ty e për fëmijët.

Një pjesë e kësaj fjalie u bë por një pjesë nuk arriti. Luftuam me sëmundjen të gjithë, ajo, unë, fëmijët, mamaja ime, prindërit e saj për gati 2 vjet e gjysëm, por pas kësaj kohe u dorëzuam. Ajo u dorëzua shumë shpejt, që me fillimin e kimioterapisë dhe rënien e flokëve. U mërzit aq shumë! Kishte qenë një grua e bukur dhe shumë e mbajtur. Fëmijët ishin shumë të stresuar dhe po kalonin një dramë të trishtueshme. Unë ndjehesha i humbur. Isha mësuar ta kisha gjithmonë në krah, për këshilla e për ngrohtësinë që vetëm ajo dinte ta jepte. Megjithatë, luftoja e luftoja. I blija çdo ilaç dhe isha dakord të bënte çdo lloj terapie. Doja me çdo kusht ta çliroja nga krahët e sëmundjes, ta ktheja në krahët e mi e ta mbroja nga çdo gjë, por asgjë nuk e ndalte dot atë sëmundje. Ajo çdo ditë po terej dhe po shkonte drejt vdekjes. Në fund, ajo u lodh dhe një ditë më tha:

– Nuk mërzitem se po iki, por vetëm doja që të mos zgjaste shumë se po torturoheni me mua. – dhe i shpëtuan lot. Ishte hera e parë në 15 vite jetë së bashku që e pashë të qante dhe herën e dytë e të fundit ajo qau kur përqafoi për herë të fundit djemtë e saj.

Kështu u shua njeriu më i mirë që kam njohur në jetë. Kam kaluar këto çaste me atë prandaj them se nuk më tremb asgjë më, kur mbijetova atehërë. Ajo vdiq dhe tashmë asgjë nuk kthehej mbrapsht. Pas ceremonive dhe të 40-tave, së bashku me djemtë, u ktheva në shtëpi. Ishte shumë e zymtë. Ashtu si unë, edhe djemtë ndjenë trishtimin që kishte mbuluar muret. Shtëpia kishte humbur alegrinë e saj dhe ne, gjithashtu. Kalova pështymën, mora zemër dhe u thashë fëmijëve:

– Tani, çdo gjë mbaroi! Edhe mami do të donte që ne të rifillojmë jetën dhe ta jetojmë atë. Kujtimi i mamit do të ngelet gjithmonë dhe ne do ta ruajmë atë.

Ata pohuan me kokë dhe u futën në dhomat e tyre. Unë, në të timen. Para meje shtrihej krevati bashkëshortor që gjithmonë më ishte dukur i vogël, ndërsa tani po më dukej gjigand. U futa dhe ishte shumë i ftohtë, ashtu si buzët e saj kur i putha për herë të fundit. Ajo nuk ishte aty dhe nuk do të ishte më kurrë. Unë do të vuaja sa herë që do të shtrihesha në krevatin tonë dhe sa herë të më dilte gjumi natën (në qoftë se do të më zinte) e nuk do ta kisha atë në krah.

Çdo ditë e kisha në mendje. Fillova punë normalisht dhe në familje filloi një jetë e re. Të gjithë merreshim me punët e shtëpisë dhe çdo gjë bëhej për mrekulli. E gjithë kjo ishte puna e gruas sime, e cila i kishte mësuar fëmijët si të ishin të dobishëm dhe të silleshin mirë. Dalëngadalë, fëmijët u rritën. Të madhit i doli e drejta e studimit jashtë shtetit, i dyti fitoi bursë në një kolegj, kështu që mbeta vetëm me djalin e vogël, tashmë një gjimnazist, por edhe një djalë mjaft i mbarë. Ai ishte kopja e nënës së tij. Në këtë moshë ku arrita unë, e ndjeja nevojën e një gruaje që ta kisha afër në çdo kohë, të diskutoja me të për probleme të ndryshme, të dilja të pija një kafe, të kaloja uikendin me të dhe për të gjitha nevojat e tjera. Ju thashë se në rini isha një tip i hedhur, por mosha bën të sajën. Pra, kishte ardhur koha që të mos isha vetëm.

Ua thashë disa njerëzve këtë ide e të them të drejtën, shumë pak më përkrahën. “Fundja, mendova, të gjithë në darkë shkojnë në familjen e vet, te bashkëshortja e tyre, ndërsa unë jam vetëm, çdo darkë”. Pra, nxora si përfundim se ky vendim më përkiste vetëm mua dhe fëmijëve të mi. I thashë në telefon djalit të madh. Reagimi i tij, edhe sepse jetonte jashtë, në një botë moderne, por edhe për karakterin e ndërtuar nga nëna e tij, më tha se isha shumë vonë, këtë duhet ta kisha bërë që më parë e nuk duhet të prisja më. Edhe djali tjetër ishte dakord. Kur ia shtrova këtë mendim djalit të vogël, ai më befasoi duke më thënë: “Babi, ti e doje aq shumë mamin sa ke sakrifikuar veten tënde në gjithë vitet pas vdekjes së saj, ke bërë më shumë nga ç’duhet të bëje, këtë që ke bërë ti pak njerëz do ta bënin. Jam dakord babi. Është jeta jote. Edhe po të mos më kishe pyetur, s`do më mbetej hatri. Je ti ai që vendos. Të dua shumë”.

Fjalët e tij më shokuan, por e kisha një përgjigje për të:

– Ajo e meritonte këtë, ja ç`djem ju edukoi dhe ju dha më të mirën që mund të jepte një nënë!

Në fakt, ishte e vërtetë. Ata kishin patur nënën më të mirë dhe më të mençur, prandaj ishin të tillë dhe jeta e tyre ishte më e lehtë pas vdekjes së saj dhe e imja gjithashtu (në drejtimin e fëmijëve, se mungesën e saj e ndjeja shumë).

E pashë përsëri në sy dhe e putha fort. Ishte tamam si ajo, si paraqitje dhe karakter. Pas njëfarë kohe, një shok më njohu me një vajzë (te të 40-tat). Ishte një vajzë e thjeshtë dhe simpatike. Kishte mbetur pa martuar për shkak të pretendimeve, por ishte një vajzë me karakter dhe më përshtatej. Dola disa herë me të dhe pa e zgjatur shumë, e mora në shtëpi. Kishte një familje me emër dhe ishte vajza e duhur për mua. Kisha filluar ta doja dhe ajo, po ashtu. Ia kisha treguar historinë time dhe ajo e kishte të qartë se nuk do të ishte e lehtë të harroja një femër të tillë si gruaja e parë që kisha, por kur shikoj këtë vajzë mendoj se paskam qenë me fat se edhe kjo ka një karakter të mirë, e dashur dhe sidomos me djemtë, tregohet shume e çiltër dhe e sinqertë. Edhe ata e duan. Kur mblidhemi të gjithë bashkë në tavolinë, kur djemtë kanë kohë të vijnë, e ndjej se ajo po na sheh nga lart dhe po kënaqet që fëmijët e saj e gjetën një “nënë” tjetër.

Fati na befasoi përsëri. Një ditë ajo më tha se ishte shtazënë. Nga mosha e të dyve në mendoja se nuk do të ndodhte një gjë e tillë, por ja që ndodhi. Ndoshta gruaja e parë nga lart është kujdesur që e qara e një fëmije të kumbonte në muret e shtëpisë sonë dhe t’ia shtonte më tepër gëzimin kësaj familjeje. Atëhere edhe do të fillonim ta haronim pak më shumë. Foshnja erdhi dhe ishte vajzë, një vajzë e bukur dhe e brishtë. Ky ishte një fëmijë që zbuti ankthin e vdekjes së dashurisë sime të parë. Djemtë tani janë të gjithë të punësuar dhe unë së bashku me gruan dhe vajzën, jetojmë në shtëpinë tonë. Mblidhemi shpesh si një familje e madhe. Djemtë çdo ditë na sjellin lajme se si do ta shtojnë këtë familje me nuset e tyre dhe nipërit e mbesat. Ata janë të mbarë! Çdo natë kur ulem të fle dhe kur dal në mëngjes, them me zë me kokën lart nga qielli:

– Faleminderit! – dhe e di se ajo po më dëgjon e pastaj them përsëri: – Faleminderit o Zot për gjithçka!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *