Valza Bajra: Jam gati për çdo gjë!

Dashuria s’ekzistoka vetëm në telenovela

 

Nuk janë të paktë shqiptarët që kanë vendosur ta kërkojnë suksesin jashtë vendit. Një nga këto është edhe Valza. Dhe ajo e ka ndarë mendjen: preferon më mirë një rrugë të gjatë dhe të sigurt, kundrejt një të shkurtre që po aq të shkurtër e ka edhe shkëlqimin. Oferta për një telenovelë, pjesëmarrje në një festival monologjesh në Chicago dhe rikthimi në muzikë janë të rejat më të fundit të këngëtares. Por “qershia mbi tortë” është lidhja që e ruan që prej një viti nga mediat dhe që ajo e quan dashurinë e jetës së saj. Lexoni cfarë ka për të thënë…

–          Valza, si po të shkojnë gjërat në Amerikë? Me çfarë po merresh aktualisht?

–          Për momentin jam duke u bërë gati për një festival monologjesh që do të mbahet në shtator këtu në Çikago si dhe kam një ofertë për xhirimet e një telenovele…

–          Çfarë mund të na thuash më tepër rreth kësaj?

–          Do të doja shumë, por nuk mund të shtoj asgjë tjetër derisa gjithçka të marrë formën e duhur. (Buzëqesh)

–          Pra tani i je përkushtuar vetëm aktrimit dhe asgjë tjetër?

–          Jo, jo, po mendoj gjithashtu t’i kthehem muzikës si dhe të bëhem edhe mama, pse jo?! Mendoj se taní jam gati për çdo gjë!

–          Mama?! E ke gjetur babain e fëmijës? 

–          Ju them vetëm një gjë. Unë kam qenë ajo që nuk besonte në dashuri dhe ja që më ndodh të dashurohem në Amerikë, gjë që tani më bën të besoj më shumë se kurrë në dashuri. Jam shumë me fat që kam një njeri afër që më do, më respekton dhe që po më jep jetë dhe frymë, po më jep dashuri pa kufi.

–          Kush është fatlumi?

–          Do të kisha dashur ta mbaj sa më larg mediave këtë lidhje, ta ruaj nga çdo lloj spekulimi sepse kam kuptuar që sa më pak mediatike të jetë një histori, aq më të sigurt e ka mbarëvajtjen. Për momentin di vetëm që jam shumë e lumtur. Kam menduar se dashuria ekziston vetëm në novela, por ja që ekziston dhe unë e kam prekur.

–          Është një dashuri amerikane?

–          Ai ka shumë vite në Amerikë, thuajse ka lindur atje por jo, është shqiptar. Unë nuk erdha në Amerikë që të gjej amerikan, erdha të gjej shqiptar. (Buzëqesh) Vërtet më vjen të qesh se njerzit mendojnë që unë kam lidhje me të huaj, por ja që, për habinë e të gjithëve, është shqiptar. Dhe fakti që  jam larguar për një kohë nga mediat dhe muzika, është sepse dua t’i kushtoj pak kohë dashurisë.

–          Me çfarë të ka magjepsur kaq shumë ky djalë?

–          Me mënyrën se si i mendon gjërat, është shumë i matur. Personaliteti i tij më ka bërë që ta dua dhe më shumë. U njohëm ndërsa po dilja nga një klub… Ai po pinte cigare me disa shokë dhe këtu në Amerikë, kur e sheh dhe e dëgjon një njeri që flet shqip, të kënaqet zemra. Unë isha me shoqe dhe filluam të flasim si ne shqiptarët. (Qesh) Dhe që aty filloj dhe kontakti me të..

Mua më pëlqente edhe unë po i pëlqeja atij dhe e nisëm si miq e tani jemi të dashur.

–          I takon artit edhe ai?

–          Jo, por e kupton shumë artin dhe më shtyn që t’i realizoj ëndrrat e mía. Është njeri shumë i thjeshtë, ka një jetë normale, për mua s’ka patur kurrë rëndësi se çfarë është apo çfarë bën. Lumturia që ai më jep, dashuria e tij mjafton.

–          Të ka ndryshuar kjo lidhje si person?

–          Ne njihemi tashmë prej një viti dhe unë vërej se kam ndryshuar vërtet shumë si person në çdo aspekt. Për dashurinë do të ndryshoja çdo gjë, patjetër, pasi në këtë rast vërtet ia vlen.

–          Cila ka qenë hera e fundit që je kthyer në Kosovë?

–          U bënë tash dy vite. Po mendoj të kthehem sërish nga dhjetori. S’ka si vendi yt, më mungon çdo gjë nga Kosova, gjithçka.

–          Ku e mendon jetën tënde tani?

–          Për të jetuar mendoj të jetoj këtu në Amerikë pasi taní jam mësuar këtu, plus që edhe dashuria ime jeton këtu.

–          Mendon se ke arritur aty ku duhet?

–          Mendoj se kam arritur diçka, por më duhet të punoj shumë për të arritur atë sukses që dua unë. Them se me punë dhe impenjim mund të arrihet gjithçka.

–          Çfarë do të të dukej për të qeshur tek një mashkull?

–          Nëse do ta shihja të veshur si femër gjë të cilën, të them të drejtën, po e shoh shpesh.

–          Çfarë mendon se duan vërtet meshkujt?

–          Meshkujt duan dhe kërkojnë shumë gjëra mirëpo të saktën s’e di, sepse jam femër dhe do të kisha patur dëshirë që qoftë edhe për një minutë të jem mashkull për të parë se çfarë ata vërtet duan.

–          Ç’natyrë e konsideron veten?

–          Jam shumë e qeshur, jam e qetë, shumë pozitive, s’e vras mendjen shumë për gjëra apo thashetheme….

–          Cfarë pëlqejnë të tjerët tek ty?

–          Mendoj se personalitetin tim, po flas për ata që janë rrethi im i ngushtë…

–          Për ç’arësye të ndodh të qash dhe kur ka qenë hera e fundit?

–          Më ndodh shpesh të qaj.  Qaj për gjërat më të vogla,  jam shumë e prekshme, më dhimbsen shumë njerzit dhe çdo gjë që është e keqe më bën të qaj. Ndihem keq për fëmijët që nuk kanë dhe ata që kanë sëmundje të pashërueshme. Hera e fundit që kam qarë, ka qenë përpara 3 ditësh për mamin tim, më mungon shumë…

–          Të falësh dhe të harrosh është e lehtë apo e pamundur për ty?

–          Unë fal shumë, po varet se çfarë, për shembull, tradhtinë s’e fal kurrë dhe për mua është e pamundur t’i harroj gjërat që ndodhin.

–          Cili është burimi i të gjitha mëkateve për ty?

–          Mendoj se mungesa e lumturisë, po edhe mungesa e parasë e shtyjnë njeriun të bëjë mëkate.

–          Çfarë do të duhej të ishte ilegale dhe nuk është?

–          Janë shumë gjëra të cilat nuk duhet të ishin legale dhe janë..

–          Një çift gay sapo ishin bërë me fëmijë javën e kaluar.. Ç’ndjesi të jep kjo?

–          Uau,  vërtet kam mbetur e shokuar, unë nuk mundem të them asgjë, vetëm Zoti mund t’i gjykojë. Në fakt, nuk jam dakord me homoseksualët. Jam kundër dhe pikë!

–          Nëse do të bëje një listë të gjërave për të cilat je krenare dhe e kënaqur nga jeta jote, cilat do të ishin ato?

–          Po mendoj se unë mund të krenohem me 3 gjëra: që kam krijuar një rreth të mirë shoqëror, miq, dashamirës dhe që kam arritur të kem një njeri që më do aq sa unë e dua, jam krenare edhe me veten time dhe çdo gjë që kam arritur deri më sot, pa ndihmën e askujt vetëm me forcat e mia…

–          Sa ndikon opinioni i të tjerëve mbi ato që ti bën në jetën tënde?

–          Varet se ku dhe për çfarë flitet. Në përgjithësi, e marr parasysh çdo opinion që të tjerët më japin, mirëpo nuk ndikon shumë nëse unë e kam vendosur një gjë, nuk ma ndalon dot njeri…

–          Mund të ndodhë të jesh pjesëmarrëse edhe në Shqipëri me ndonjë bashkëpunim teatral ose kinematografik?

–          Deri tani jemi në bisedime për disa projekte të ndryshme në teatër ose në film, si në Kosovë dhe në Shqipëri me kolegët e mia atje. Sapo të konkretizohen, do t’i mësojmë së bashku. (Buzëqesh)

–          Fenomeni aktual më shqetësues për ty në botë ose në rajon?

–          Ka shumë gjëra që po më shqetësojnë kohëve të fundit, njëri ndër ta është edhe protesta në Maqedoni.

–          Shqetësohesh për të ardhurat e tua?

–          Jo, nuk shqetësohem aspak, sepse besoj shumë në Zot dhe di ta menaxhoj mirë jetën time…

–          Nëse flasim për këngën, janë disa këngëtare që kanë braktisur llojin e muzikës që bënin për t’iu kushtuar tallavasë si një mënyrë për të bërë më shumë dhe më shpejt para…

–          Unë vetë kam qenë kundra kësaj në fillim, por me kohë kam kuptuar se nuk ka asgjë të keqe. Unë gjithashtu këndoj tallava në dasma. Këndoj sepse më pëlqen dhe e bëj me qejf edhe pse jo për para, është shumë normale kjo. S’ka njeri që nuk e do muzikën tallava dhe nëse ka që e thonë këtë, të jeni të sigurt që gënjejnë.

–          I ruan kontaktet me miqtë, kolegët të cilët janë larg?

–          Kontaktet i ruaj me shumë kolegë dhe miq, me këngëtarë, aktorë, modele etj. Janë miqtë e mi dhe do të mbeten gjithmonë….

–          Cilat janë gjërat që të bëjnë ta duash jetën, që ta bëjnë të bukur atë?

–          Familja, i dashuri im me të cilin duhemi shumë,  e shumë gjëra të tjera.

–          Sa afër dhe si e parashikon ditën kur do të jesh e famshme?

–          Nuk mundem ta imagjinoj, dua që të vijë gradualisht pasi sa më shpejt vjen, po aq shpejt edhe ikën, kështu që dua që të vijë më ngadalë por e sigurt.

–          Njeriu më i talentuar që njeh ?

–          Kjo pyetje është shumë e vështirë për t’iu përgjigjur Ka shumë talente dhe nuk mund ta veçoj asnjë, sepse janë talente në fusha të caktuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *