Pas eksperiencës në Big Brother, ku u përfol më shumë se të gjithë dhe, mbi të gjitha, nëse ishte apo jo homoseksual, Valeri na tregon se nuk ka asgjë që ta shqetësojë… Ai vazhdon në rrugën e tij, këtë herë, jo më si pjesë e sfilatave dhe sesioneve fotografike, por më në lëvizje se kurrë: Në pistën e kërcimit të Dancing with the Stars! Epo, ia vlen të bisedosh me një njeri si ai, që di çfarë dhe si të flasë…

Besarta Luga: – Valer, më duket se realitetet televizive kanë filluar të të pëlqejnë shumë, përderisa nga Big Brother, hidhesh te Dancing vvith the Stars…
Valer Kolnikaj: – Duket se jam personi i duhur për këto programe, reale dhe spektakëlbërëse… (Qesh) Pikërisht këto të bëjnë të jesh shumë afër njerëzve për një kohë shumë të gjatë dhe jo më kot kanë shikueshmërinë maksimale. Më pëlqen t’i tregoj publikut sa janë reale këto programe; jam një evidentues i mirë.
– Çfarë roli kishe tek i pari dhe ç’rol pret të kesh te tjetri?
– Eksperienca e parë, ajo në BB, e tregon më së miri që jam dukur si regjisor e skenarist dhe jo si një nga banorët e tjerë. DWSA është art, disiplinë, është ndryshe nga BB dhe mezi po pres të fillojë, që t’ju tregoj më gjatë dhe me detaje.
– Jam shumë kurioze të di, si të erdhi propozimi për t’u bërë pjesë e Dansing vvith the Stars Albania dhe si e prite atë?
– Ftesën për t’u bërë pjesë e DWS ma bëri producentja e këtij spektakli, zonja Holta Dulaku. Sapo ma tha, u përgjigja direkt: “Po!”. U ndjeva shumë i nderuar dhe i lumtur pasi e kam menduar dhe pritur këtë ftesë qëkur vendosa t’i hyja televizionit e spektaklit. Refuzova shumë ftesa e oferta kur mbaroi BB, pasi jam tip përzgjedhës dhe kërkoj projektet më të rëndësishme. Dhe, ja ku erdhi ajo që doja unë. Jam konkurrenti i parë që konfirmohet dhe bëhet publik në edicionin e pestë të këtij spektakli…
– Ke patur eksperienca të ndryshme në jetën tënde dhe duket se, je vërtet i vendosur për të qenë pjesë e televizionit. Si e rendit këtë eksperiencë të fundit, në raport me to?
– Eksperiencat e mia kanë qenë të shumta dhe kanë rezultuar suksesshëm, duke shkuar paralelisht në tre fusha krejtësisht të ndryshme: Mjekësia, modelingu dhe prezantimi në televizion. BB dhe tashmë DWSA, janë ato që më lidhin masivisht me njerëzit apo publikun, që jo thjesht me njohin, por edhe më kanë shumë për zemër. Këto eksperienca ma kanë zbukuruar jetën e personalitetin; kush nuk do t’i donte?
– Po pjesëmarrjen në BB si e gjykon, tashmë që kanë kaluar kohë prej përfundimit të saj?
– Janë shumë gjëra që thuhen, por edhe që nuk thuhen, ama unë i di më mirë se kushdo aty. Syve të mi nuk u shpëton asgjë dhe nuk lejoj të tjerët t’u hedhin hi… Kjo është ajo që më bën të sigurtë, të qetë dhe të lumtur në çdo eksperiencë.
– Jo rrallë, je përfolur për drejtimin tënd seksual, por je nga të pakëtit persona që duket se nuk të shqetësojnë shumë këto thashetheme… Pse?
– E për çfarë nuk u përfola, thuaj?! (Qesh) Kishte njeri tjetër veç meje që të përflitej aty? Të tjerët s’dinin ku ishin, e kishin humb davanë! (Qesh) E pse duhet të më shqetësojnë, kur në të vërtetë ishin problemet e tyre dhe jo të miat ato? Më vinte me qesh dhe shpeshherë doja t’u thoja gjatë lojës kur i shikoja duke nxjerrë nga goja veç helm: “Ju plaçin sytë, a nuk e shikoni shkëlqimin e syve të mi kur flas për djalin, bashkëshorten, për familjen, për traditat?”. Ata që i kanë të gjitha këto, m’i shohin mirë dhe m’i dinë vlerat tashmë.
– …ndonjëherë duket se je ti vetë që e luan lojën: “Jam apo jo homoseksual?”… Është kjo një mënyrë e mirë për të marketuar emrin tënd, mes shumë të tjerëve?
– Luaj shumë, por me injorancën e paragjykuesit apo çdo personi që tenton të më afrohet me negativitet, për çfarëdoqoftë. Është mënyra më e mirë për t’i hapur sytë atij personi. Në mos sot, do t’i hapen mot…
– Më së shumti, si do të doje të të cilësonin ata që të njohin nga ekrani?
– Mund të më cilësojnë si të duan e me çfarë të duan, e kanë këtë lirshmëri nga unë. Koha është aleatja ime më e mirë për t’u hapur sytë të tjerëve rreth meje dhe gjithçkaje që kam afër. E rëndësishme është që më duan shumë dhe më kanë shumë për zemër tashmë, si këta që më njohin nga ekrani, ashtu edhe ata që më njohin nga afër.
– …dhe, si të cilësojnë të gjithë këta?
– Luftarak, tmerrësisht i duruar, orator, i besës, gallatë, zemërmirë etj. Çfarë të duash e si t’i duash! (Qesh)
– Cili ishte përfitimi më i madh që pate nga pjesëmarrja në BB?
– Jam shume i lumtur, pasi fitova vëmendjen, dashurinë e publikut, gjithçka me vlerë në këtë eksperiencë, përveç lekëve. Këto, për asnjë moment nuk kam menduar se do t’i fitoj unë. Se do t’i merrte dhe si do t’i merrte ajo që i mori, publikut ia kam treguar në gjysëm të lojës. Vlerësimet dhe që isha unë personazhi i këtij viti në BB, e dinë të gjithë, ma ka thënë publiku, banorët në fund, si dhe 98 për qind e stafit.
– Cili është përfitimi më i madh që pret nga Dancing?
– Gjithçka aty është përfitim i madh për secilin nga konkurrentët pasi bëhet fjalë për art, për disiplinë dhe tepër emocion. DWSA është një spektakël gjigand që në këtë 5 vjetor, do të jetë bombë!
– Cila mendon se do të jetë pika jote e fortë: Fiziku, karizma, apo aftësitë në kërcim?
– T’u shtojme këtyre dhe 10 cilesi tjera dhe jemi ok sa për nxemje! (Qesh) Gjithçka që kam është pikë e fortë e imja. Keni shumë për të parë tek unë… Forca, më tregoni çfarë dini të bëni!
– Dhe, meqë jemi këtu, më thuaj pak, ke ndopak lidhje me kërcimin, apo po e nis nga A-ja në këtë spektakël?
– Në BB e kam tundur e shkundur shumë (qesh) dhe publiku e di mirë që e dua kërcimin. Në këtë rast, disiplina që kërkon, më bën ta dua edhe më shumë.
– Çfarë di të kërcesh, mirë, shumë mirë dhe shkëlqyer?
– Kërcej gjithçka, improvizoj dhe më thonë së më ka hije skena… (Buzëqesh) Do të jem bisha e Dancing këtë vit, i papërmbajtshëm!
– Dihet se modelingu nuk mund të jetë një profesion i përjetshëm; cili është ai profesion që e synon dhe për të cilin po lufton, në vazhdim?
– Profesionin e përjetshëm për të cilin kam studiuar e kam tashmë dhe jam në punë prej një viti i gjysëm si mjek në shërbim të gjithë njerëzve në nëvojë. Këto të tjerat do t’i bëj për aq kohë sa ecin mirë dhe s’më pengojnë.
– Së fundi, deri ku mendon të arrish në Dancing?
– Të bëhem balerin i parë në Shqipëri, në TOB! (Qesh) Deri në finale besoj shumë te vetja dhe e ndjej që do të arrij. Për çmimin pastaj, është fillimi për të folur; ka kohë…

Pushimet e Valerit
– Me kë i kalove dhe ku?
– Me pacientët në punë, duke u qëndruar në gatshmëri për probleme të ndryshme shëndetësore. Sapo dola nga Bigu, rinisa përditshmërinë si më parë, me familjen, në punë me pacientët, me shoqërinë, palestër etj., por herë pas here kemi gjetur kohën dhe kemi shëtitur në pikat turistike të Veriut.
– A janë pushime të bukura ato me miqtë e BB?
– Kemi bërë pushime pak ditë, me nëntë banoret e fundit, në pikat turistike të Shqipërisë dhe bukur shkoi, u kënaqëm, por unë doja të vinin ata që dua më shumë nga BB, miqtë e mi, Fatjoni e Matilda, që s’e kishin të drëjtën të vinin me ne…
– Por këto ishin pushime të organizuara nga Top Channel… E kam fjalën për pushime në të cilat ti i zgjedh vetë miqtë, apo në BB nuk mund të bëhen miq dhe aq më pak miq, me të cilët të pushosh?
– Po mund të bësh miq, të duhesh e puthesh e pastaj të shahesh, të flasësh keq… (Qesh) Kështu bëjnë zakonisht, ndërrojnë vendet herë pas here dhe kështu vazhdojnë. Mua s’më pëlqejnë miqësitë kështu. Unë i kam miqtë e mi më të mirë, Fatjonin dhe Matildën në krye, por edhe Jonën, Visarin, Enkelejdin… Edhe të tjerët i përshëndes dhe i kam miq.
– Pas pushimesh, kthehesh me forca të reja, apo me dëshirën për të pushuar prapë?
– Forcat s’më lënë asnjëhërë, por pas pushimeve vij gjithmonë me ide të reja dhe interesante. S’më pëlqen të pushoj shumë…
– Domethënë, më shumë sesa pushimet, do të preferoje punën?
– Unë e shijoj çdo ditë pune si ditë pushimesh, po ashtu dhe çdo ditë pushimi si dite pune… Provojeni!
– A nuk do të ishte të mirë të kishim 11 muaj pushime dhe 1 muaj punë?
– Jo, më mirë 11 muaj pushime ku paguhesh si të ishe në punë! (Qesh)

Blerta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *