Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Arjan Korkaj: Floriri im i vogël…

– Arjan, pas kaq vitesh në muzikë, mendon se e ke arritur synimin me të cilin iu fute kësaj rruge?

– Jo, absolutisht! Po të mendoja në atë mënyrë ose të më duket se kam arritur majën, do kisha fluturuar pa gomar… (Qesh) Unë, thjesht, mundohem që, me muzikën dhe mënyren time, të bëj sa më bukur atë që mund të bëj. Majat, edhe kur të iki nga kjo jetë, s’do t’i arrij dot kurrë…
– Ti ke një origjinë të përzier nga Labëria në Krujë, ndërkohë që ke jetuar në Lushnje… Çfarë e quan veten? Nga cila krahinë ke marrë më shumë?
– (Qesh) Ke të drejtë! Kam nënën nga Berushtë e Krujës, tim atë nga Velca e Vlorës, nga Korkajt. Vetë qëlloi të lindja në Lushnje. Deri në 8 vjeçare u rrita në Pluk dhe e kam për nder, por jam vlonjat në gjak e në thelb. Shpresoj ta kemi zgjidhur misterin këtë radhë… (Qesh)
– Po nga Greqia, ku ke jetuar për shumë kohë, çfarë ke marrë dhe çfarë të ka marrë ajo?
– Në Greqi jetova 22 vjet, ku kalova adoleshencën dhe vuajtjen time më të madhe në jetë në çdo aspekt… Një fëmijë 18 vjeçar që s’ka nënën pranë, vite të vështira pa letra… Atëhere fshiheshim e ecnim maleve dhe kam kaluar vuajtje më se të mëdha si emigrant, por besoj se arrita të marr kulturën e tyre dhe mënyrën e të kënduarit në skenë, që do shumë mundim. Për çdo gjë në jetë duhet mund dhe shpullat e jetës të mësojnë e të bëjnë të veçantë në çdo gjë.
– Ti ke kënduar muzikë popullore dhe, njëkohësisht, balada… Cila muzikë fle brenda teje?
– Pyetje e bukur! Të dyja janë të miat dhe e ndjej këtë që të them, por baladën e vuaj kur e këndoj. Shpeshherë më duket sikur e jetoj atë tekst dhe përlotem. Më pëlqen balada sepse një baladë e mirë tregon njeriun në çdo aspekt që është dhe ç’karakter ka si këngëtar.
– Sapo ka dalë në treg albumi yt i ri…
– Albumi im përmban dhjetë këngë me mjeshtra të mëdhenj. Kënga “Floriri i Vogël” me tekstin nga mikja ime dhe kolegia e nderuar Poni, që më nderoi me këtë tekst dhe më tha duke qeshur: “Mirë duet s’pranon, o Korkaj… Të paktën merr një tekst timin!”. (Qesh) Ç’është e vërteta, Poni s’ka kohë për duet… Është njeri i veçantë dhe labe e rrallë. E falënderoj. Muzikën e bëri mjeshtri i veçantë Klodian Qafoku, atë muzikë dhe orkestrim të veçantë me kaq dashuri dhe pasion që vetëm Klodi di ta bëjë dhe e falënderoj pa masë. Gjashtë këngë janë me tekst dhe muzikë nga mjeshtri Sokol Marsi, një fenomen i rrallë në thurje të çdo gjëje e çdo detaj. Të falënderoj, Koli… Tri këngë të tjera i kam marrë nga duart e Genci Malajt, shumë i veçantë në punën e tij. Respekte Genci!
– Çfarë duhet të dinë për këtë album, fansat e tu?
– Që në çdo këngë kam qenë Arjani dhe kam respektuar çdo ndjenjë të tyre, si dhe emocion ose edhe inat, duke e interpretuar me shpirt, me kompozitorët e veçantë që na japin krijesat dhe shpirtin e tyre.
– Mendon se do të bësh fansa të rinj me këngët e këtij albumi?
– (Qesh) Atë s’e di, por po të jem vetvetja dhe Arjani që njoh unë, besoj se po. Ndoshta me vonesë, por kënga e mirë pëlqehet edhe nga të vegjlit dhe s’ka kënaqësi më të madhe sesa t’i bësh njerëzit të gjejnë një copë nga vetja e tyre brenda këngës.
– Shumë këngëtarë, punojnë në lokale me muzikë live… Ka të kënaqur dhe të pakënaqur nga kjo punë. Ti, cilës kategori i përket dhe përse?
– Unë nuk nisem se sa i kënaqur ngelem në pagesë apo diçka tjetër, por plotësohem kur këndoj e shikoj popullin të më shikojë në sy e të pëshpërisë me mua këngët e mia, sidomos baladën “Zemërhapur”, me tekst dhe muzikë nga Sokol Marsi.
– Cili mund të konsiderohej “fat i madh” për një artist?
– Kur njerëzit s’të harrojnë çdo këngë që bën dhe ngelesh në memorien e tyre, plus edhe kur paguhet siç duhet mundi yt si artist…
– Cili mund të konsiderohet “fat i madh” për ty?
– (Qesh) Udhëtimi i jetës në çdo aspekt është një fat, besoj, por edhe të kesh një mbesë siç e kam unë Xhenin tim, dritën e arit, është fat. Jetoj për të. Atë fëmijë na ka lënë vëllai kur iku nga jeta, në moshën 33 vjeçare.
– Çfarë të ka ngelur peng në karrierën e deritanishme? Mendon se ke bërë rrugën e duhur për të ardhur deri këtu, apo ndoshta duhet të kishe marrë drejtim tjetër?
– Të gjithë themi “të isha edhe një herë i vogël, pa ç’do bëja”! Besoj se të njëjtën rrugë do zgjidhja, me të mirat dhe të këqijat e saj, ndonëse mundohemi gjithmonë për më mirë.
– Nëse nuk do të kishe patur talent për këngë, ku do të të kishim gjetur?
– Atë s’e di… Dikur më ka pëlqyer pa masë të bëhesha doktor, por s’i shoh dot njerëzit duke vuajtur e unë t’i shkel e t’i mashtroj për lekë. Besoj se kuptohem më mirë këtu ku jam!
– Në një intervistë të mëparshme na ke thënë se, po gjete njeriun e duhur, do të martohesh pa e menduar dy herë… E ke gjetur tashmë?
– (Qesh) Në kërkim jam! Kam marrë bastunin e po kërkoj… Bëj shaka. Në është për të ardhur gjë e mirë, do vijë.
– Si është apo si duhet të jetë “ajo”, që të marrë statusin “njeriu i duhur”?
– Shumë e kollajshme; të më dojë dhe respektojë mua, asgjë më tepër. Jo emrin ose xhepin, gjë e vështirë sot se ua prishën mendjen telenovelat dhe interneti… Bëj shaka.
– Cilat janë synimet e tua më të mëdha profesionale dhe ato personale?
– Synimet janë të thjeshta: Një familje e ngrohtë dhe një karrierë me këngë të sakta nga kompozitorë të mirë që të ngelen në emrin tim e jo të fiken ose të jenë për një behar ose dimër; ndryshe s’do jem unë.
– Cila do të qe përshëndetja alla Arjan Korkaj për për lexuesit tanë?
– Do t’i përshëndetja me shpirt miqtë tanë, si të gazetës suaj, edhe të mitë me këngën “Floriri i vogël”. Respekte për të gjithë ata që meritojnë respektin tim se këta njerëz më bënë ky që jam sot, si edhe s’mund të harroj dobësinë time në jetë, nënën. Edhe ju miq, ta keni nënën me jetë, se vetëm nënë s’të thotë më goja kurrë…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Rosë në lëng shege

Next Post

Kaloritë shkaktojnë gurët në veshka

Advertisement