Shkencëtarët amerikanë zbuluan një nga shkaqet kryesore të krijimit të gurëve në veshka. Sipas tyre, gurët shfaqen si pasojë e ushqimit të parregullt dhe e lëvizjeve të pakta që bën njeriu gjatë ditës. Përsa i përket ushqimit, faktori më i rrezikshëm në këtë fushë, është, sipas tyre, përdorimi i vazhdueshëm i ushqimeve me shumë kalori. Kur këta faktorë bashkohen, rreziku i krijimit të gurëve në veshka rritet disa herë.
Gjatë studimeve dhe eksperimenteve të tyre, shkencëtarët amerikanë u njohën ndër të tjera edhe me të dhënat e afro 85 mijë grave në periudhën pas menopauzës. Pasi studiuan natyrën e tyre të të ushqyerit dhe vëllimin e ngarkesës fizike, specialistët arritën në përfundimin se ka një ndërveprim të ngushtë midis ushqimit, sasisë e mënyrës së të ushqyerit dhe problemeve të shëndetit të njerëzve.
Pas gjithë kësaj pune, specialistët u rekomandojnë njerëzve të lëvizin sa më shumë dhe, kur nuk e kanë këtë mundësi, të bëjnë ushtrime të thjeshta gjimnastikore, ose thjesht të shëtitin duke ecur më këmbë. Pikërisht këto masa do të parandalojnë, sipas tyre, krijimin e gurëve në veshka dhe pasojat negative të kësaj sëmundjeje. Në mos u mënjanoftë krejtësisht krijimi i gurëve, atëhere, të paktën rreziku i tyre për shëndetin, do të jetë më i vogël.