– Përshëndetje profesor! Unë jam një studente 21 vjeçe që më shqetësojnë tepër dy gjëra… E para: Nuk po e gjej dot vullnetin për të studiuar, gjithmonë e lë për më vonë dhe nuk kam besim se do t’ia dal. E dyta: Më shqetëson mbipesha ime në këtë moshë, plus presionit të familjarëve që kështu do ngelem pa martuar. Stresi po më zë frymën. Si t’i arrij këto synime që të ndihem e fortë dhe e plotësuar? Me respekt dhe shumë besim, Ana.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara studente, po të flas si vajzës sime: Ti dalëngadalë po humbet qetësinë shpirtërore e besimin te vetja, pra, po humbet paqen shpirtërore. Kjo është njëlloj sikur të jesh në një gjendje lufte me veten, prandaj edhe vuan, se nuk je e qetë, je futur në një rreth vicioz. Ç’është rrethi vicioz? Po ja, mungesa e sukseseve (në shkollë) dhe parehatia me veten (mbipesha) të shkaktojnë mendime negative dhe nga ana tjetër, po këto mendime negative, të shkaktojnë lodhje, pamundësi për t’u qetësuar apo për të pushuar dhe kësisoj, përsëritet cikli. Duhet “thyer” ky rreth vicioz, që do të thotë, të krijosh paqen e qetësinë në shpirtin tënd sepse të bësh paqe në shpirt e të duash veten, do të thotë të jesh në gjendje të përjetosh maksimumin e paqes dhe të prekjes. T’i them të gjitha këto sepse, siç thotë populli, s’bëhet vreshti me urata, por me shata e me lopata. Për analogji, do të thoja se s’merren provimet me “lëngata”, por me punë e vepra të arta. Ja se çfarë thua ti në letër: “Nuk po gjej vullnetin për të studiuar dhe studimin e lë gjithmonë për më vonë… nuk kam besim se do t’ia dal…”, kurse ne psikologët themi se fuqia e veprimit është gjithmonë në momentin e tanishëm dhe nuk ka kuptim kjo që bën ti, shtyje, shtyj… Po deri kur kështu? Unë jam pedagog i psikologjisë dhe prej vitesh, e di shumë mirë se si veprojnë studentët. Në vend që të disiplinojnë kohën dhe ta shfrytëzojnë atë si një pasuri, ata më shumë flasin “lloqe” ose merren me problemin rreth problemit sesa me vetë problemin. Ndër rreth 8 orë që mesatarisht duhet të studiojë një student në ditë, a e dini se çfarë ndodh? Në një testim që kam bërë, shumica prej tyre, pjesën më të madhe të kohës e kalojnë duke vrarë mendjen se si do t’ia bëjnë dhe vetëm një apo dy orë u bie që të studiojnë. Shikojini klubet pranë universiteteve, plot e përplot! Po deshe, afrohu të dëgjosh se ç‘thonë, më tepër duke u qarë e duke përgojuar me bla-bla-bla, sesa duke diskutuar për një çështje mësimore apo temë të veçantë. Nuk veprohet pra me punë e vepra të “arta”, por me bla-bla-bla e “lëngata” dhe zgjidhja kërkohet, jo se si t’ia bëjmë që të përvetësojmë lëndën, por se si t’ia gjejmë “anën” pedagogut. Kur unë u thashë dy vajzave se pse s’kishin ardhur në leksion, por pinin duhan në klub, atyre s’u erdhi hiç mirë dhe ishin gati të më thonin: “Këtë e bëjmë për t’u qetësuar”. Por unë vijova: “Ju e dini shumë mirë me sa sakrifica i sigurojnë lekët prindërit tuaj që ju të shkolloheni, kurse ju veproni sikur të paguani lekët në një supermarket dhe mallin të mos e merrni. Shtrohet pyetja: A e dinë prindërit tuaj se ju i çoni dëm lekët e tyre me djersë? Nëse ju do të dilni, fjala vjen, kirurge apo dentiste, farmaciste a ku ta di unë, a e dini se në vend që të shëroni, do të vdisni njerëz? Nuk është mirë që kohën më të bukur të përgatitjes suaj për jetën ta çoni dëm dhe po ashtu, lekët e djersës së prindërve tuaj në pikun e vapës, t’i prishni duke pirë duhan, redbull apo nëpër disko”. Njëra nga vajzat tha: “Ke shumë të drejtë profesor dhe po na këshillon si prind”, kurse tjetra tha: “Duhani më qetëson trurin sepse kam shumë stres e ankth provimesh”. Zgjidhje e bukur! Bëjmë pikërisht ato gjëra që s’duhen bërë! Vrasim kohën dhe vetëhemohemi, në vend që të bëjmë të kundërtën: Të jemi veprimtarë e realistë. Pastaj, na “vret” ndërgjegjja dhe pasojat i vuajmë e i përjetojmë si në një ndeshje boksi me veten. Përpiqemi të justifikohemi se fajin e kemi vetë. Ndodh që të justifikohemi duke thënë: “Epo, unë kam mungesë vullneti”, mirëpo përsëri ne e dimë shumë mirë se vullneti nuk është si një paketë me energji që të fal dikush. Ose, si në rastin tënd, Ana, përpiqesh të gjesh “fajin” që mërzitesh, jo te mungesa e sukseseve, por te gjërat anësore, si për shembull, te meraku i mbipeshës. Mirë që nuk e gjete te kampionati botëror i futbollit se edhe ai, një herë në katër vjet mund të të shërbejë si “justifikim” për të mos studiuar se duhet ndjekur, në vend që të mos e llogaritesh fare para provimeve, ose, ose, ta ndjekësh në kohë pushimi, sa për çlodhje, argëtim. Kështu ndodh rëndom: Shumë njerëz, në vend që të marrin përgjegjësitë mbi vete, në vend që të pranojnë dhimbjen dhe punën si kushti më kryesor për të gjetur mundësitë e pafundme e për t’u ndjerë mirë, futen në atë që quhet “zona e rehatisë” dhe fajësojnë kushtet, rrethanat, njerëzit, madje edhe vetë fatin që nuk po i ndihmon. Por, ka edhe më keq: Disa fillojnë drogën, abuzimet me alkool, seks, bixhoz etj., si duke dashur jo të ndërtojnë muret e kështjellës së të ardhmes, por sikur të duan t’i gjuajnë ato me top. Ata vetë janë shkaktarët e gjendjes së keqe, ata duhet të kuptojnë se janë vetë përgjegjës për nevojat e veta.

E nderuara studente, ndoshta u zgjata pak, por ti besoj e kuptove se ke nevojë për nja 5 seanca me psikoterapi për të hequr ankthin e stresin e tepruar, pasi i tepruar apo i keq quhet kur na pengon, kurse stres i mirë quhet për aq kohë sa na bën të veprojmë, të marrim masa, të gjejmë zgjidhje, siç është për shembull frika se mos mbetemi pa shtëpi, që na bën të marrim masa etj. Por, ajo për të cilën ty të duhet patjetër psikoterapia, është dismorfobia jote, që do të thotë, parehatia me veten, për të cilën duhen përsëri disa “masa” për rënien e rehatshme nga pesha dhe, nëse e keni pak të trashëguar, të pranojmë atë që edhe me fe quhet “pranimi i caktimit të Zotit”. Por do të duhen si fillim edhe ca ilaçe 100 % bimore sa për të marrë “frenat” e jetës në dorë e për të rregulluar ekuilibrat, të cilat të janë çakorduar e çrregulluar. Dili vetes për Zot! Paske një koefiçient të lartë intelekti dhe mjaft mundësi për t’u ndjerë e fortë dhe e plotësuar, ama, me punë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *