Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

… por sidoqoftë për Fest ‘62 u fol! Nga Kozeta Kurti

…sepse duhet ta nisim nga të mirat. Fest ‘62 u parapri nga një hapësirë promovuese (“Para Fest”)  që unë personalisht e kam dëshiruar shumë, edhe kur kam qenë pjesë e skuadrave të festivaleve, edhe kur kam qenë thjesht spektatore e tij dhe s’ka qenë e mundur. A kam rezerva? Po, kam, sepse një pjesë e kësaj hapësire në gjykimin tim duhet t’i shkojë/ shkonte promovimit të këngëve të reja, sepse nuk pret më njeri me padurim Festivalin, siç nuk pret me padurim asgjë tjetër, në këtë lumë e lëmë bombardues me informacion nga të gjitha anët. Ndonëse këngët “e vjetra” mbeten kalë beteje që shesin ende. E rëndësishme është që pati një nismë, pastaj me vullnet të mirë, përmirësohet çdo vit e më shumë.

Festivali pati një mbulim shumë të mirë, si rrallë herë më parë, në kohë reale, me intervista në backstage, për radio e televizion, vizibilitet në rrjete sociale. A përmirësohet? Po! Sikur edhe me bashkëpunimin e pjesëmarrësve apo një grupi që kanë ndikim në rrjete sociale. Madje sikur përveç lajmeve të jashtëzakonshme të tipit: “wow, ka të lënduar në Pallatin e Kongreseve nga fluksi i madh i spektatorëve që po shkelin njëri-tjetrin nëpër shkallë, aq shumë janë”, të kishin shkëputur edhe ndonjë nga ato: “na hëngsh atë që s’thuhet” të Xhuliano Dules se do ishte bërë edhe më shumë trafik në tik-tok. Ah, meqë ra fjala, Xhuliano Dule erdhi si komedian i madh, por po të shihni titrat e Festivalit, ai është Xhuliano Kule. Besoj që për këtë arsye, në shenjë solidariteti me Xhuliano Dulen,  moderatorët e Festivalit nuk lanë emër pa e bërë lëmsh.

Advertisement

Në një vëzhgim të shpejtë, vura re komente në publik që nuk u pëlqejnë këngët, tekstet, performancat. Shpesh, as mua! Sivjet, vjet, parvjet, mbi parvjet… Një: është çështje shijesh dhe tjetra, unë personalisht kam bërë paqe me këtë argument, pasi Festivali ynë nuk mund të jetë më i motrave Libohova, i Parashqevi Simakut, i Frederik Ndocit, i Liljanës, Bashkimit, Luanit, Myfaretes etj ejt, sepse edhe Festivali Europian nuk është më i Lara Fabian, i Celine Dion, i Abba-ve etj etj, sepse edhe Sanremo nuk është me e Minës, Morandit, Cocciantes etj etj (mora këto dy festivale, se të parin e kemi shndërruar në qëllim e të dytin e kemi marrë shembull gjithë jetën).

Këto nuk i kemi në dorë! Për fat, të mirë a të keq, ky është modeli i këngës sonë sot.

Mua më shqetësojnë gjërat që i kemi në dorë; 

– Tema, slogani: “Fjala dhe muzika”. Nuk besoj që në 61 festivalet e kaluara janë prodhuar dado dhe bullona. Fjalë dhe nota janë prodhuar; të bukura ose jo, na kanë pëlqyer ose jo. 

– Ritmi. Çdo kush që ka bërë së paku një ditë televizion, e di shumë mirë çfarë do të thotë ritëm televiziv. Prezantues që nuk është asnjëri prezantues (ky festival më kujtoi festivalin e 55-të, ku drejtonte Ledina Çelo dhe Kasem Hoxha), që e varin shpresën tek një promter që kanë përballë dhe as atë nuk dinë ta “luajnë” që të duken së paku të natyrshëm. Ky festival është prezantuar nga Adi Krasta, Ardit Gjebrea, Alketa Vejsiu, Arbana Osmani, (mora vetëm disa “A” sipas alfabetit, se ka plot të tjerë) dhe s’mund të zhbësh një element të mirë, duke mos e bërë së paku njësoj mirë, në mos mundsh më mirë. Ndoshta dikush mund të thotë: por s’mund të jenë gjithmonë këta. E vërtetë është, por ka plot drejtues të një gjenerate më të re, të artikuluar, të shkathët, të bukur skenikisht.

– Autorësia. Së pari, mbrëmjet nostalgjike i përkasin edicioneve jubilare, ndryshe kemi gjithë të drejtën të mendojmë që nata nostalgjike është varka e shpëtimit për një festival të ri, tek përmbajtja e të cilit nuk kemi besim. Dhe nëse nuk kemi besim, për çfarë e bëjmë? Sidoqoftë, natës nostalgjike i vendoset një temë, ku gjendet edhe përgjigja e pyetjes: “Pse këto këngë dhe jo disa të tjera”. Kur i vendos natës temën “Dashuria” për shembull, nuk ngre pretendim dikush që ka kënduar fjala bie një këngë patriotike, pse s’po ftohet apo pse s’i është kënduar kënga. Teksti qe i mbushur plot me gabime, me pasaktësi faktesh e të dhënash,  me sajesa të pajustifikuara, si Kiplingu i shkretë që u lexua për faqe të zezë jo nga një prezantuese festivali, por nga një aktore. 

– Skenografia. Nuk e lexova dot, cili ishte koncepti skenografik i këtij festivali. M’u duk një fotografi e përsëritur e shumë koncerteve që kemi parë, ndërkohë që Festivali i Këngës është një INSTITUCION.

– Grafikat. Të vjetra, të konsumuara dhe rrallëhera të dedikuara (besoj i përket rasteve kur interpretuesit janë kujdesur vetë)

– Regjia televizive. I kuptoj problemet e një transmetimi të drejtpërdrejtë, por sidoqoftë, nuk mund ta pranoj festivalin si reality show, ku të shohim në ekran çfarë ndodh në sallë. Publiku kurioz se “si bëhet një Festival?” e ka mësuar nga shtëpia, me tutorialin e Fest ‘62.

– Votimi. Ndoshta 5,7, apo 11 anëtarë jurie mund të mos e zgjedhin dot një këngë fituese, por as një publik nuk e zgjedh dot. Unë mund të jem një i ri apo e re që kam yllin në ballë, por s’kam numrat e të tjerëve. Duhet të vuaj për këtë? Ka plot forma për të dakordësuar më mirë: juria qendrore, publiku, orkestra, gazetarët, studentët, qytetet, blogerët (ata me ndikim prej vërteti). Sidoqoftë ky është një problem i mbartur e nuk e zgjidhim dot me një të kërcitur të gishtit dhe as javën e fundit të Festivalit. Veçse në këtë juri duhet të ndalem:  Mund të mos më duket e drejtë forma e votimit, mund të më pëlqejë ose jo ndarja e çmimeve, por vlerësoj në maksimum guximin e jurisë së Fest ‘62, për të thyer një tabu që i skërmiste dhëmbët çdo të riu që dëshironte të merrte pjesë në Festival, nga frika se çmimi qe shitur e se s’mund të mateshin në garë me emrat “BIG” (ende s’e kam kuptuar si bëhen në tillë, se nuk e kuptoj kush të çertifikon si të tillë: Festivali? Pra, Arsi Bako, Melodajn Mancaku, Mikela Paluca etj etj  janë BIG, kurse Shpat Deda garon për finale me Jehona Ponarin, Irma Lepurin etj, etj, ngaqë s’ka marrë pjesë më parë në Festival? Nejse, tani është shumë vonë të kthejmë në garë Kejsi Tolën, Samanta Karavellën e Sardi Strugajn që u tërhoqën se nuk e pëlqyen lojën e pistë e të pandershme për fitoren e shitur te Elsa Lila. (Ndonëse ata e shitën “për arsye personale”, vetëm se publiku nuk është idiot, ndaj mos ta trajtojmë si të tillë). Përvoja bën të vetën, ndaj unë e kam gjetur fituesin e një Festivali sapo kam mësuar  emrat e jurisë, por këtë vit, duke parë Aleksandër Gjokën dhe Indrit Mesitin aty, e kisha të pamundur të bëja një parashikim.

Miq, nuk dua të zhvlerësoj Festivalin, por gjithçka buron vetëm nga dashuria që kam për të (e nuk jam e vetmja.  Nëse do vazhdoja, nuk di kur dhe ku do përfundoja, por s’mund të lë pa përmendur ndasitë e krijuara midis garuesve, si psh: “Këndon e madhja Elsa Lila”. Në garë Elsa është si Besa, si Vesa, si Kastro, si Tiri, madje edhe si më të rinjtë, Martina, Mikela etj etj. Të gjithë mund të merrnin kohë televizive më shumë siç bëri Elsa, por askush nuk e bëri. Të gjithë mund ta luanin rolin e “nxitësit të tifozëve” si dirigjenti italian, bashkëpunëtori i Elsës,por nuk e bënë.  Elsa Lila mori atë që meritoi nga publiku: shpërblimin për sjelljen arrogante skenike, leksionin që na dha, duke përdorur skenën e Festivalit për të shfaqur hakmarrjen e vet ndaj njerëzve që komentuan se për herë të dytë rradhazi, i mugonte artikulimi dhe se nuk kuptohej e që vodhi kohë televizive në mënyrë të padrejtë.

E dija që ky Festival do të ndahej në publik midis Besës dhe Vesës e Big Bastës, sepse Elsa Lilën për shkak të sjelljeve të mësipërme, e kisha përjashtuar me kohë! Asnjëra nga këngët nuk bën pjesë në shijet e mia personale, siç është Besa ime/jonë e “Ëngjëjt vrasin njësoj” që e kam edhe sot në playlistë, por sidoqoftë Besa Kokëdhima është artiste me kontribute, kërkuese dhe punëtore.

 “Mbinatyralen” e Vesa Lumës dhe Big Bastës e mbështeta që në fillim për gëzimin dhe pozitivitetin e saj, se kemi mjaftueshëm lajme të kronikës së zezë, për të dëgjuar me shumicë këngë me “dhembka”. 

Qëndrimi im në fund të çdo Festivali (përfshirë edhe kur kam qenë vetë pjesë) është zakoni im i përvitshëm dhe gjithmonë më ka pëlqyer të them: “Festivali i ardhshëm do të jetë më i mirë se ky që lamë pas”, por nuk ishte ky rasti.  Vjet ja kam futur kot. Nuk kam qëlluar në shenjë! 

Dhe së fundmi, përkulja e përgjithmonshme, sa herë të kem gojë për të folur e duar për të shkruar, për Orkestrën që e bën ende UNIK këtë festival, me çdo të mirë e të metë të tij. Orkestra çdo vit është një stoli, një gur i çmuar, por këtë vit ishin “Mic Sokolët” që bënë për katër ditë, plot dy festivale.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Amir sjell projektin e parë me titull “Zemra jem”

Next Post

Ndahet nga jeta në moshën 70-vjeçare këngëtari i njohur grek Vassilis Karras

Advertisement