Nga Fabjola Kuburi
I keni bërë vetes pyetje për nuhatjen se si funksionon ajo, çfarë lloj çrregullimesh ka dhe si humbet ajo përgjatë kësaj panemie që po mundon gjithë botën? Në një material për “Gazeta Intervista” Dr. Anjeza Kuçi, otorinolaringologe na shpjegon hollësisht se çfarë ndodh në këto kohë të vështira për shkak të Covid 19 dhe jep këshilla se si duhet të veprohet në rastin kur një person rezulton i infektuar e jo vetëm. Ka një shtrirje të gjerë në situatën që po jetojmë, problematikat, virozat, puna e palodhshme e mjekëve cdo ditë mes luftës për jetën e këshillat me vend të Dr Kuçit. Një gjuhë e pastër që ndërthur shkencoren dhe ligjërimin bisedor për t’ju ardhur në ndihmë, nëse ende nuk e keni gjetur një strehëz që ju qartëson.
Si funksionon shqisa e nuhatjes? Aftësia jonë për të nuhatur vjen nga disa qeliza të specializuara sensore, të quajtura neurone sensore olfaktore , të cilat gjenden në pllakëza të vogla indore brenda hundës, të cilat lidhen direkt me trurin. Çdo neuron olfaktor ka një receptor të erërave të ndryshme. Molekula të vogla të lëshuara nga substancë rreth nesh stimulojnë receptorët që dërgojnë mesazhe në tru, që identifikojnë aromën. Ka dy mënyra sesi aroma i arrin neuronet olfaktore, e para është përmes vrimave të hundës dhe e dyta nëpërmjet një kanali që lidh çatinë e fytit me hundën. Duke përtypur ushqime aromat që ngacmojnë nerving olfaktor kalojnë nëpërmjet këtij kanali. Pra, nëse hunda është e bllokuar aromat nuk i arrijnë dot qelizat sensore. Në këtë mënyrë ne nuk arrijmë as ta shijojmë ushqimin. Pra, kështu shija dhe nuhatja ecin bashkë. Ka më shumë aroma në ambjent se sa receptorë dhe çdo molekulë mund të stimulojë një kombinim receptorësh duke ju prezantuar trurit si një aromë e veçantë. Pa këto neurone olfaktore shijet si çokollata ose portokalli është e vështirë të dallohen nga njëra-tjetra. Ndjesia e nuhatjes bën që të gjithë ta shijojmë jetën me aroma lulesh, apo ushqimesh të preferuara. Njëkohësisht është edhe një shenjë alarmi në sinjale si rrjedhje gazi, ushqim që digjet, zjarr etj. Por, mund të ketë lidhje edhe me sëmundje të tjera.
Çrregullimet e nuhatjes rriten me moshën dhe janë më të shpeshta në burra se sa gra, sidomos në moshën mbi 60 vjeç. Kemi disa lloj çrregullimesh, si hyposmia është ulja e aftësisë nuhatëse, anosmia humbje e plotë e aftësisë nuhatëse, parosmia është një ndryshim në perceptimin e aromës , phantosmia është ndjesia e një arome që nuk është. Shkaqet janë mosha, infeksionet e sinuseve , duhanpirja, traumat e kokës, problemet hormonale, dentare, ekspozimi ndaj substancave kimike si insekticidet apo tretësit, rrezatimi në raste të tumoreve kokë qafë, disa medikamente duke përfshirë antibiotikët dhe antihistaminiket, sëmundje që lidhen me patologji të Sistemit Nervor Qëndror si Parkinsoni apo Alzheimer. Humbja e nuhatjes mund të vijë në mënyrë të menjëhershme ose për një periudhë të caktuar kohore, dhe në shumicën e rasteve pacienti e vë re në nuhatjen e aromave të forta si kafeja, parfumi, benzina etj. Nëse pacienti e vë re me uljen e nuhatjes në aromat e lehta atëherë problem është me serioz dhe sidomos nëse nuk është lënë për një kohë të gjatë pa u diagnostikuar ose nëse nuk ka lidhje me virozat stinore. Në rastin e sinusiteve kronike kryesisht ato me polipe nazale rënie e nuhatjes është një problem kronik. Kurse në ditët e sotme rënia e nuhatjes si shenjë diagnostikuese e infeksionit nga Sars Covid 2 është edhe më serioz. Në të gjitha rastet paraqitja te mjeku ORL është e domosdoshme.
Jemi në valën e tretë të periudhës së pandemisë nga virusi Sars COV 2 dhe situata është serioze. Një nga shenjat klinike e diagnostike, nëse jemi positive ndaj këtij virusi, është humbja e shijes dhe nuhatjes, e cila mund të vijë kryesisht në ditën e pestë ose të gjashtën kryesisht pas episodit të parë të temperaturës. Ndonjëherë edhe pa temperaturë kur pacienti eshte asimptomatik. Në këto raste rekomandojmë të behet testi i shpejtë ose tampon PCR për diagnostikimin e prezencës së virusit, nëse pozitiv të merret mjekimi simptomatik në varësi të klinikës derisa pacienti të rezultoje negativ pra të shërohet. Ka raste kur nuhatja alternohet dhe kthehet pjesërisht, ka raste kur nuk rikthehet edhe pas disa muajsh. Ka paciente që paraqesin parosmi pra alternimin e nuhatjes dhe shfaqjen e aromave të çuditshme të pandiera me pare, për shembull shqetësimi i një pacienteje ishte, që afër një dyqani kafeje apo një kafeneje ndiente në vend të aromës së kafesë atë të klorit, dhe kjo i ndryshonte cilësinë e jetës. Raste të tilla ka pasur disa. Dhe ende nuk ka studime të mirëfillta apo protokolle për trajtimin e këtyre çrregullimeve të nuhatjes edhe pas kaq muajsh pandemi. Sipas disa studimeve përdorimi për disa muaj i preparative të zinkut në rastin e anosmive ka rezultuar pozitiv në kthimin e nuhatjes të paktën për aromat e forta, në studime të bëra para pandemisë.
Ne vazhdojmë punën si përditë, tashmë prej një viti duke përdorur mjete mbrojtëse si maska apo edhe face shields apo mbrojtësit e fytyrës në vizitat dhe ndërhyrjet që bëjmë. Vizitat janë të planifikuara, por kemi edhe urgjenca, që do të thotë se jemi në frontin e parë të luftës kundër Sars Covid 2, si të gjithë mjekët. Por si mjeke ORL, duke vizituar 3 organe të rëndësishme si fyti, hunda dhe veshi jemi nga mjekët më të ekspozuar dhe më të rriskuar. Sigurisht që pandemia ka ndikuar në punën tonë, duke u munduar që vizita të jetë sa më preçise, pacienti të komunikojë me maskë dhe të hiqet maska vetëm në momentin kur duhet të bëjmë endoskopinë e veshit, hundës apo fytit duke u munduar sa më shkurt. Shumë pacientë janë të imunizuar natyralisht tashmë, ashtu si edhe ne, disa natyralisht, disa të vaksinuar, por gjithsesi duhet të jemi të kujdesshëm.
Pasojat e virusit në shqisën e dëgjimit vijnë disa herë nga vetë sëmundja, disa herë nga medikamentet e përdorura, disa herë nga agravimi i patologjive të mëparshme të veshit nga kontakti me virusin. Në disa vende të botës, në Iran, në Egjipt janë diagnostikuar 2 raste me rënie të menjëhershme të dëgjimit të lidhura me virusin, këtu në Shqipëri ende jo. Këto janë raste sporadike dhe ende nuk ekzistojnë studime të mirëfillta që mund të lidhin Sars Cov 2 me rënien e dëgjimit. Nervi i dëgjimit mund të dëmtohet edhe në pacientët diabetikë apo hipertensive, pozitive me covid, që kanë pasur alternime në sëmundjet shoqëruese, qoftë si rezultat i medikamente të përdorura në faza të avancuara, sidomos përdorimi i kortizonikëve, ose nga vetë alternimet që jep virusi. Në rastin e patologjive të vetë veshit, siç janë sëmundja e veshit të brendshëm apo sëmundja e Menier, që lidhen direkt me nervin e dëgjimit dhe atë ekuilibrit kemi pasur pacientë, te të cilët janë shtuar krizat me marrje mendsh, humbje ekuilibri, rënie dëgjimi, gjë që indirekt ndikon në rënien e dëgjimit.
Duke qenë se tashmë jemi në stinën e virozave të tjera shoqëruese apo edhe në atë të alergjive, që shton edhe sëmundjet që ne mjekët ORL mjekojmë, faringitet, tonsillitet, sinusitet me apo pa polipet nazale, otitet media akute, rhinitet alergjike apo bakteriale etj. Disa paciente me dhimbje fyti apo temperaturë, shenja që shpesh shoqërojnë infeksionin nga Covid, bëjnë në fillim testin e shpejtë te mjeku i familjes për ta përjashtuar pastaj vijnë për vizitë te ne, disa të tjerë që mund ta kenë kaluar vijnë direkt, disa mund të jenë edhe me covid dhe nuk e pranojnë. Gjithsesi kjo është një periudhë e ngarkuar për të gjithë mjekët dhe shpresojmë të kalojë sa më shpejt.
Si mjeke do t’i këshilloja të gjithë pacientët që mund të paraqesin shenja të lehta si bllokim hundësh, sekrecione, kollë apo edhe pak temperaturë e dhimbje fyti, lodhje, dhimbje muskujsh, të mos vijnë direkt te mjeku orl për vizitë, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për të bërë tampon pcr apo edhe testin e shpejtë dhe të izolohen në shtepi deri në daljen e përgjigjjes. Nëse testi rezulton negativë dhe mund të ketë komplikacione të virozave si otite, sinusite, tonsillite etj të drejtohen te mjeku orl. Për sa i përket humbjes së shijes dhe nuhatjes pacientët mund të vijnë për vizitë mbasi të jenë shëruar nga covid, që normalisht kërkon 2 javë dhe sidomos rreth 2 deri në 3 ditët e fundit pa temperaturë. Këto janë disa këshilla të thjeshta që të ulim përcueshmërinë e virusit dhe zinxhirin e transmetimit sepse shumë shenja klinike të kësaj viroze janë shenja të patologjive ORL.