Një kampion që jetën ia ka dedikuar ringut dhe ka arritur të lërë gjurmë në histori. Gjithë rrugëtimi i tij dhe aspiratat për të nesërmen vijnë në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Intervista”. Një gjeneratë e re që pret të frymëzohet nga modele, që e kanë arritur suksesin me mund si Gjetani, kanë çelësin e dyerve që mbartin dritë dhe premtojnë të nesërme. Të thëna dhe të pathëna, pyetje dhe bardhezi që marrin përgjigje. 

Fabjola Kuburi: Përshëndetje Gjetan dhe faleminderit që pranove ftesën tone. Emri yt është i njohur nga i madh e i vogël dhe kjo është arritje e madhe. Kur Gjetani ndodhet në ring, i rrethuar nga mijëra vështrime agonie, admirimi etj. Përpjekja për të dalë kampion, deri në një farë mënyre nuk shndërrohet dhe në një ndjenjë përgjegjësie, dmth përveç dëshirës personale për të fituar, të krenoni edhe tifozët, të cilët ju ndjekin në çdo hap…

Gjetan Keta: Sigurisht që ndjenja e përgjegjësisë ndaj tifozëve më ndjek ngado. E vetmja gjë që mendoj gjatë rrugës për në ring, është të luftoj me shpirt dhe vetëm këta njerëz të mos i zhgënjej, madje kur rri e mendoj në disa momente qetësie kur jam vetëm, them si do të përballem me tifozët nese ndodh ajo që askush nuk e pret, por pastaj e heq mendjen dhe them kam lindur vetëm për të fituar.

Edhe pse keni ende shumë rrugë përpara…si çdo sport tjetër dhe boksi ka një “datë skadence”. A keni menduar se ku do të ofroni kontributin tuaj më pas, të supozojmë në shërbim të gjeneratës së re te boksierëve?

Eksperiencën time kam vendosur që t’ja kaloj të rinjve shqiptarë në tre disiplina si në: kickbox, thaibox dhe box. Dëshira është të kthehem në atdhe dhe të rinjve shqiptarë u duhen sporti për të shkarkuar energjitë e akumuluara.

 

Duke e parë nga këndvështrimi profesional, a mendoni se sporti i boksit vlerësohet aq sa duhet, duke pasur parasysh vetë faktin, që kopertinat e gazetave/revistave të ndryshme i pushtojnë futbollistët dhe më pak boksierët ose peshëngritësit. Nuk e them vetëm për çështje reklamimi, por duhet të pranojmë se media e shkruar, përben një burim të rëndësishem në informimin e publikut të gjerë. Keshtu që pikerisht aty “lindin” idhujt dhe interesimi i shoqerisë përballë sportit në përgjithësi dhe jo vetëm…?

Ky është realitet, edhe pse unë nuk mund të ankohem, pasi në shumë raste kam qenë pjesë e ketij reklamimi. Për mendimin tim kjo ndodh ngaqë futbolli është sport më popullor dhe më i ndjekur në Shqipëri dhe futbollistët dalin më shpesh në publik, dhe është fakt që boksi në Shqipëri po reklamohet vetëm një herë në vit dhe kjo bënë që gjërat të jenë më në heshtje.

Gjetan, pothuajse në të gjitha ndeshjet tuaja, ju kemi parë të shoqëruar nga vëllezerit. Sa ndikon mbështetja e familjarëve në psikologjinë e një boksieri?

Mbështetja e familjarëve ndikon më shumë nga ç’mund të mendohet, pasi ajo mbështetje nuk është vetëm në momentin që një boksier ngjitet në ring, por fillon që në momentet e para të seancave stërvitore, në kthimin në një ambient të ngrohtë në shtëpi, në pregatitjen me kujdes të dietave, në mënyrën e dialogimit dhe përshtatjen e mungesave në familje, kur jam i detyruar të shkoj në kamp stërvitor. Të gjitha këto bashkohen dhe koordinohen bashkë me aq kujdes, saqë kur vjen momenti të ngjitem në ring anën psikologjike e kam shumë të fortë, pasi në fund të fundit, po bëj diçka të mirë edhe për familjen time.

Ambicia e çdo sportisti është arritja e suksesit maksimal. Sipas mendimit tuaj, që ta realizoj dikush këtë, përvec talentit c’gjë tjetër nevojitet?

Talenti dhe ambicia janë të lidhura ngushtë dhe shumë të rëndësishme në karrierën e një sportisti, por nuk mund të lihet mbrapa për nga rëndësia edhe shtysa dhe përkrahja e tifozëve, njerëzve të dashur, miqëve dhe familjarëve. Gjithashtu, gjetja e trainerëve të duhur dhe manaxherëve të duhur, është një pikë shumë e rëndësishme.

I përkisni kategorisë së boksierëve, të cilët përkufizohen brenda sportit që i përkasin, apo interesoheni te informoheni, pse jo dhe të adhuroni kampiona të sporteve të tjera?

Fatkeqësisht i përkas kategorisë së boksierëve, që u intereson vetëm sporti i boksit, më pëlqen që të ndjek edhe sporte të tjera gjatë kohës së lirë, por jo që të fiksohem pas tyre ose pas emrave konkretë.

Të arrini të jeni kaq i suksesshëm, përkrahë talentit mendoj se keni patur dhe mbështetjen e disa njerëzve të dashur të cilët jo vetëm ju kanë ndihmuar, por dhe ju kanë stimuluar që të bëni një hap më tej, dhe në këtë pikë nuk i referohem vetëm familjes, por dhe atyre jashtë saj të cilëve ndoshta u  jeni mirenjohes, mund të na përmëndni ndonjë emër?

Mirënjohës iu jam të gjithë tifozëve të mi kudo që janë dhe sigurisht që është një emër i veçantë, të cilin nuk mundem që ta lë pa përmendur dhe falenderuar, ky është vëllai im Ismail Keta, njeriu, i cili më mbështeti në çdo hap të karrierës dhe jetës time për të realizuar ëndrrat e mia. 

Cilat janë ndryshimet bazë midis boksit profesionist dhe atij amator?

1. Regjimi

2. Stërvitia

3. Përshtatja

Për mendimin tim, që të treja këto janë elementët bazë, që bëjnë ndryshimin midis boksit amator dhe atij profesionist. Regjimi – në boksin profesionist regjimi është themelor dhe çdo abuzim i tij çon drejt dështimit, ndërkohë që në boksin amator është më i lehtë konceptimi i fjalës regjim. Stërvitja- në boksin profesionist stërvitja është më intensive, pasi gjatë të gjithë kohës synon të stërvitesh dhe pregatitësh për më shumë se 6-raunde, ndërkohë që në atë amator stërvitesh vetëm për të përballuar 4-raunde. Përshtatja- një fjalë e vetme që ka shumë nënkuptime në vetvete, një ndër më kryesoret është përshtatja nga boksi amator në atë profesionist pa kokore, me shumë raunde, raundi nga 2-min në 3-min, si dhe përshtatja me provokimet e kundërshtarit pasi në boksin profesionist ato janë më të pa kontrolluara se ne atë amator.

Gjetani si bashkëshort e familjar dhe Gjetani profesionist, si e ekulibron kohën për të dyja?

Unë jam baba i një vajze të vogël me emrin Teuta dhe një djali me emrin Glauk, dhe si bashkëshort e familjar i kushtoj mjaft kohë familjes sepse familja është absolutisht mbi gjithçka. Familja është shtyllë dhe shtysë për arritjet dhe sukseset në jetë! Profesioni sigurisht kerkon kohen e tij dhe nëse ka vullnet dhe dëshirë koha gjendet gjithmonë. 

Si do ta mbyllim këtë intervistë, një merak për në fund?

Dëshira është që edhe një vit, dy vjet të ngjitem në ringun profesionist dhe mbylljen përfundimtare e karrierës time të jetë në Shqipëri!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *