Adalena Seferi është një emër i ri në tregun e muzikës shqiptare. I ri, por jo i padëgjuar më herët. Dy vite më parë, ajo serviri për publikun shqiptar projektin e saj të parë, “Gënjeshtar”, një këngë e lehtë, tipike Pop. Për vite me rradhë, ajo është “vetëshkolluar” në të kënduar, duke qenë pjesë e pandarë e performancave “live” në shumë evenimente apo mbrëmje. Në intervistën e mëposhtme, ajo na flet për gjithçka rreth karrierës së saj, prezantimit në “Kënga Magjike”, pse braktisi skenën e “KM-së” dhe vetë Adalenës si individ. Udhëtimi i një vajze të thjeshtë nëpër Europë, por që këngën ia besoi vendit të saj.
Klajd Heta:- Adalena, përshëndetje. Mezi të “kapa” për këtë intervistë, pasi nga avionët, mikrofoni dhe skena, duket se nuk ndahesh! Nga po na shkruan tani?
Adalena Seferi:- Përshëndetje Klajd! Dua të të falënderoj në filim për ftesen. E vërtetë, vrulli i punës më ka lënë pak në “ajër”, por gjithsesi përpiqemi të kemi kohë thuajse për te gjitha. Më ke kapur “mat”(qesh). Ndodhem në Tiranë, shkaku që duhet të takojmë njerëzit e shtëpisë, miqtë, të qetësohem pak dhe me thënë të drejtën po bëhem gati për projektet e rradhës. Pas bashkëpunimit që pata me Irkenc Hykën për “Kënga Magjike” do ta vazhdojmë bashkëpunimin dhe për projektet e rradhës. Nuk dua të flas shumë, dua që puna të flas vetë.
– “S’je njeri” titullohet kënga jote e dytë, pjesëmarrëse në “Kënga Magjike 2017”. Si lindi kjo këngë, dhe a ka domethënie të veçantë për ty ky krijim?
-Kënga është e krijuar nga “UnixMusicProduction”. Gjej rastin të falënderoj Irkenc Hykën për kompozimin dhe orkestracionin, Dj Jojo për mix, mbi të gjitha që më duruan në studio (qesh) dhe që ma besuan si projekt. Në fakt kisha kohë që doja një baladë, Irkenci e solli pikërisht ashtu siç unë kisha dëshirë të prezantohesha. Tek baladat gjej qetësinë që më mungon. Çdo njëri prej nesh, ka patur zhgënjimet e veta në jetë. Kush më shumë, kush më pak është rrëzuar e ka gjetur forcë është ngritur përsëri. Besimi i tepërt, mirëkuptimi i pafund ndonjëherë të vret, kjo e fundit pa e kuptuar ti ndoshta. Kur flasim për “Kënga Magjike” flasim për standard. Në fakt, ekzistojnë pak kompeticione të tilla në vendin tonë. E mira do ishte të shtoheshin, pasi gara nëpër kompeticione është e shëndetshme. I jep njeriut horizont, imagjinatë, mëson një pjesë të të pazbuluarës, të bën më produktiv me pak fjalë.
-Mbrëmjen që performove në “E diela shqiptare”, pa mbaruar mirë performancën ndodhi diçka e papritur, ti u largove nga skena, çfarë ndodhi realisht? Nëse do ishe edhe njëherë pjesë e KM, do e ribëje atë që bëre?
-Dihet që në garë njeriu hyn dhe për t’u vlerësuar. Në fakt,arsyeja kryesore pse unë kam marrë pjesë këtë vit ështe e veçantë. Unë jam rritur me prindër të divorcuar, më saktë më kanë rritur prindërit e mamit. Ata njerëz kanë bërë shumë per mua, ndoshta as prindërit e mij, s’besoj që mund të bënin kaq. Gjyshi ka patur dëshirë të më shikonte në skena të tilla por më shumë ka qenë për gjyshen, e cila prej 4 vitesh nuk jeton më! Ka qenë i vetmi njeri që besoi se unë mund t’ia dilja dhe ja ku jam. Prezantimi tek kënga magjike ishte për ta një mënyrë për t’u thënë faleminderit. U emocionova shumë dhe nuk munda të hyja në brendësi të këngës. 5 të kuqe s’janë pak, aq më tepër kur ke vite live. E kam përjetuar keq situatën e Këngës Magjike.
-A do ta ribëje atë që bëre?
-Po, të njëjtën gjë do bëja prapë…!
– Pate suport pas asaj që ndodhi?
– Kam patur pafund mesazhe suporti, madje dhe nga konkurrentët, me të cilët u njohëm aty.
– Çfarë të lidh ty me muzikën?
-Shpirti, e bukura, tek muzika gjej një botë tjetër, më të qetë, më të kuptueshme. Pa stres, pa mashtrime. Tingujt janë magjikë. Lum kush di t’i kuptoj. Janë vërtet 7 nota, por s’kanë fund në larmishmëri.
– E kujton interpretimin tënd të parë në skenë?
– Pooo (qesh). Ty s’të besohet, por unë jam e turpshme. Kam gjithmonë emocione sa herë që këndoj. Për herë të parë kam kënduar në qytetin tim të vendlindjes në Tepelenë, në një mini koncert klasash. Kam kënduar bashkë me një shoqen time Almirdën, një këngë të Ledina Çelos dhe Sabri Fejzullahut. Kam qenë klasa e dytë apo e tretë, se mbaj mend mirë. Nga që isha si tip çuni, Ida më tha: Ti do këndosh Sabriun unë Ledinën. E bën fiks Sabriun ti,-tha Ida, se je si çun. U bëra s’desha veten. Hajde se s’po ja prish thashë me vete. Fituam vendin e tretë më duket (qesh) këndoja me kokë ulur, shikoja atletet e Idës.
-“Jashtë kontureve të gazetës” të dëgjoj teksa flet me shumë nostalgji për muzikën e brezit tënd. A mund t’i ndash këto emocione dhe me lexuesin?
-Kur thua koha ime, brezi im, ndihem e vjetër (qesh). Kanë kaluar 10 vjet nga koha e Ëest Side Family, Produkt 28, 2die4, Stine apo Jarule, Pussycatdolls, BlackEyedPiece etj. Ka qenë dekadë e artë. Të paktën për mua, më ka rritur me frymë muzike, komercalizëm, ka patur dhe do të ketë. Por nëse e përzien me pak muzikë të vërtetë, le të themi që është e pëlqyeshme dhe mbetet për breza të tjerë. Shqipëria ështe akoma në periudhë tranzit, por nuk duhet ta mohojmë faktin që vitet e fundit, krijimtaria po ndryshon. Po vijnë prurje të reja, kompozitor të talentuar që premtojnë, pavarësisht se kompozitorët e vjetër i kanë bazat më të forta. Kur isha unë 15 vjeçe ishte në modë breakdance. Tani po s’dite tëerk të mori lumi (qesh).
– Si arriti Adalena të depërtojë në skenën muzikore jashtë kufijve?
-Më beso është e vështirë. Diaspora ka të tjera standarde, repertor ndryshe nga ai që unë posedoj, por jam përpjekur të bëj ndërthurje ndërmjet tradicionales dhe asaj që unë jap, modernes. Shumë punë, shumë sakrifica, studim, netë pa gjumë dhe normalisht respekti ndaj njerëzve. Sinqerisht, ndihem e vlerësuar kur më duartrokasin. Kur më komplimentojnë për zërin. Njerëzit akoma i duan ata që dijnë të këndojnë. Pa publik nuk mund të bësh asgjë. Janë ata që vendosin je apo nuk je këngëtare dhe më beso, këngëtare nuk të bën klipi, kënga. Ato janë thjesht, ecueshmëria jote. Prezantimi që ti bën,vendi që ti i lë vetes, sa njeri i thjeshtë dhe i respektueshëm je, sa arrin të dhurosh gjatë performancës, sa repertor ke etj.
– Përsa u përket ligjeve, Shqipëria konsiderohet “çorap”. Jashtë shtetit është ndryshe. Ti je e rregullt me taksat në bazë të profesionit tënd si këngëtare?
-Nuk dua të flas për këtë pjesë pasi është histori mbi histori. Shqipëria ka filluar të ndryshojë, thjesht ndryshimi nuk vjen për një ditë por gradualisht. Njeriu do 9 muaj të krijohet në barkun e nënës, një vit të eci e të flasë dhe një jetë e tërë për t’u përshtatur me ndryshimet. Ndryshimet janë pjesë e jetës. Taksat janë detyrimi im qytetar, normal që po.
-Më thua që mbrëmjet muzikore ku ke qenë pjesë janë të panumërta. Ka ndonjë që të ka mbetur në mend?
-Po, në Breshia të Italisë. Kanë qenë një publik i paparë. E kishe të pamundur mos të bëje atmosferë . Nuk mund të lë pa përmendur edhe në Gjenevë të Zvicrës. Këto dy vende do ti veçoja me njerëzit më të hareshëm.
– Kryesisht je vetëm ti dhe djemtë e orkestrës. Ka ndonjë emër që ia vlen të përmendet, me të cilën/cilin ti ke ndarë skenën?
-Me thënë të drejtën, kam patur fatin të punoj me disa prej muzikantëve më të mirë që ka vendi ynë,si: Tan Stolia, Klodian Dibra, Zhaku Qelibari apo me orkestra nga Gjilani dhe Shkupi, ka qenë nder dhe privilegj për mua që jam shoqëruar me muzikë nga të tillë profesionista. Suksesi i interpretuesit të mirë është muzikanti i mirë.
– Vlerësohet goxha nga kolegët e tu, shpirti i lirë dhe “garip” që ka Adalena. Pse je kështu Adalena? Mos të të duket çudi kjo pyetje, sidomos kur i drejtohet një personazhi publik!
-Unë garipe? Po për Zotin, ç’janë këta njerëz që shpifin? (qesh) Çuna nuk është ashtu siç duket, janë shpifje (qesh). Nuk jam garipe, ti e di, thjesht të tregoj vendin ku e ke në mënyrën time. Është karakter i fortë është dhe një lloj barriere, të cilën njeriu e ngre në jetë nga sprovat e kaluara. Kolegët në fakt, më shohin si tip çuni dhe jo vetëm. Shumë më thonë: Obobo sa e ëgër je! Jam strikte por nuk është se jam njeri i keq.
– Si e kujton fëmijërinë tënde?
-Të qetë. Kam qenë fëmijë i mbarë, deri sa shkova në gjimnaz.(Qesh)
– Çfarë është për ty të lexuarit?
-Të lexuarit për mua është njohuri, qetësi, mençuri, paqe. Dhurata më e mirë për mua është një libër. Më jep shumë qetësi. Gjej veten.
– Libri nga i cili ke marrë shumë mësime për jetën, apo që të ka lënë një mbresë të veçantë?
-Janë dy në fakt, Kur’ani dhe Bibla. Pavarësisht besimeve, çdo njeri duhet t’i lexoj këto dy libra, janë thelbësore dhe të dish është më mirë se të jesh injorant.
– Dimë që je shumë e lidhur dhe me aktivitetin fizik. Ushtrohesh për hir të karrierës apo për t’i dhënë vetes kujdesin që meriton?
-Të dyja. Kam qenë diku tek 120 kg, tani peshoj 68. Kam pak probleme me kolesterolin në gjak ngaqë jam pak si shumë llupse. Nuk e kam qejf plakjen. Nuk e pranoj dot si ndryshim edhe pse i kam qejf ndryshimet.
– Ke një emër të veçantë, krijuar nga një bashkim. Kush ta ka vënë?
-Gjyshi im! Është dashuria ime më e madhe.
– Një profesion që do ta ushtroje paralelisht me atë të këngëtares?
-Fizioterapiste. Kam kryer edhe një kurs ose ekonomiste meqë vazhdoj Ekonomikun.
– Planet e Adalenës për të ardhmen?
-Projekte, fotoshooting, koncerte, evente, punë me pak fjalë. Ndoshta mund të vij një album.
Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!