–  Përshëndetje doktor Evi! Ju uroj shëndet dhe mbarësi në punën tuaj. Doja të dija se kur mund të bësh testin për Hiv/Aids ose SST, që nga momenti i aktit seksual? Si është procedura e bërjes së testit dhe ku bëhet (unë nuk jetoj në Tiranë), sa kushton dhe kur mund ta marr përgjigjen? Pavarësisht se kam përdorur masa mbrojtëse gjatë marrëdhënieve me të dashurën time, dyshoj për ndonjë infeksion të mundshëm, pasi në fillim kisha një si djegie pas urinimit, kurse tani e kam në kanalin urinar. Po nëse bën një analizë gjaku, a mund ta përcaktojë nëse ke ndonjë sëmundje seksualisht të transmetueshme ose sida? Vetëm bërja e një kontrolli do të më qetësonte, pasi kjo gjendje më ka shqetësuar dhe rënduar nga ana psikologjike. Ju lutem, më ktheni përgjigje këtë javë, pasi po pres me padurim. Faleminderit. Me respekt, Flori.

Dr. Evi Dani, seksolog-androlog:  – Një nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme shumë serioze për arsye të sëmundshmërisë dhe aq më tepër të vdekshmërisë, është tashmë infektimi nga HIV, një virus ky që shoqërohet me një sëmundje me shumë komplikacione siç është sida. Ky virus ka karakteristikë që dëmton sistemin imunitar të organizmit. Organizmi ynë është ndërtuar në mënyrë të përsosur nga një sistem mbrojtës që u bën ballë sëmundjeve që shkaktohen nga mikrobe apo viruse që ndodhen në ambient. Në rastin e infektimit nga HIV, ky sistem imunitar dobësohet dhe humbet aftësinë e tij mbrojtëse. Me këtë rast, organizmi i njeriut është nën rrezikshmërinë, mundësinë e infektimit nga shumë mikrobe, gjë që mund të shkaktojë gjer edhe vdekjen. Ky infektim ndodh kryesisht nëpërmjet aktit seksual apo shiringave me shumë përdorime dhe nga transfuzioni i gjakut.

– Nga momenti kur virusi hyn në organizëm, ky i fundit kundërvepron me disa antitrupa (antikorpe) për ta luftuar këtë lloj virusi. Laboratorët arrijnë të diagnostikojnë apo të kapin këto antikorpe dhe është pikërisht përcaktimi i antikorpeve që do të diktojë që personi me antikorpe pozitive (seropozitiv) është infektuar, pra, ka infeksion HIV në organizëm. Nga momenti i infektimit, ku personi nuk ka asnjë lloj shenje e derisa të formohen antikorpet, duhet të kalojë një periudhë nga 3-6 muaj. Është pikërisht kjo kohë që bën të mundshme diagnozën dhe kapjen e kësaj sëmundjeje. Në qoftë se ju keni dyshime, duhet të prisni 3-6 muaj për të parë apo për t’u qetësuar nëse jeni seropozitiv apo jo. Analizat merren në laboratorët e gjakut, pothuajse në gjithë qytetet kryesore. Në një periudhë nga 2-10 vjet, personi që është seropozitiv, është infektues për të tjerët, por për momentin nuk ka ndonjë shqetësim të dukshëm. Mbas kësaj periudhe, periudhë kjo e mjaftueshme për shkatërrimin e sistemit imunitar dhe shfaqjen e sidës, që vjen kryesisht me temperaturë dhe me infeksionin e shumë organeve, si tuberkuloz, gastroenterite, sëmundje në lëkurë, absese të ndryshme, arrin deri aty saqë pacienti përfundon në vdekje. Kapja sa më herët e kësaj sëmundjeje, pra, përcaktimi i antikorpeve, bën që pacienti të mjekohet dhe ta zgjasë jetën shumë më tepër sesa ka procesin vetë kjo sëmundje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *