Lojtari i kombëtares shqiptare Jahmir Hyka është rikthyer në përfaqësuese pas 2 vitesh mungese. Futbollisi shtatshkurtër është grumbulluar përsëri nga trajneri kuqezi Xhani De Biazi në ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin. Hyka ka luajtur në formacion në miqësoren që zhvilloi Shqipëria me Marokun në “Loro Boriçi” dhe duket se një emocion të tillë do e provojë dhe në takimin ndaj Maqedonisë.
Jahmiri është një djalë i qetë dhe shumë pozitiv, që shquhet për mirësjelljen dhe altruizmin e tij. Takimi me të, të lind gjithmonë dëshirën për të zgjatur bisedën, pasi jo vetëm që ka shumë për të treguar, por edhe sepse rrëfen shumë këndshëm. Në këtë intervistë për gazetën “Intervista”, Hyka tregon hapat e vështirë dhe të bukur drejt futbollit, por edhe jetën e tij private.
Eraldo Harlicaj: -Përshëndetje Jahmir dhe urime për rikthimin në kombëtare …
Jahmir Hyka: – Faleminderit nga zemra.
– Dy vjet larg dhe rikthehni në formacionin titullar…
– E vërtetë, si sillet rrota…! Gjithçka ndodhi shumë shpejt, sa nuk di ç‘të them, por ishte një ndryshim i bukur.
– A mund të na tregoni pak nga emocionet tuaja në takimin ndaj Marokut?
– Në fillim të ndeshjes kur është kënduar himni, apo edhe kur hyra në atë stadium të ri kisha emocione shumë të mëdha, aq sa më janë dridhur edhe këmbët. 10-15 minutat e para kam qenë i rrëmbyer nga emocionet, më pas u lirova.
-Sa ju shërbeu ky takim?
– Mendoj se shërbeu shumë përpara ndeshjes shumë të rëndësishmë me Maqedoninë. Provuam disa skema të reja. Do të donim fitoren, por nuk është gjithçka në dorën tonë.
– Gjeni një ambient të ndryshuar, me lojtarë të rinj. A ndjeheshit rehat?
– Në Kombëtare gjithmonë ndjehesh rehat, pasi je në shtëpinë tënde. Unë kam gjetur djem shumë të mirë dhe afrimet e reja në kombëtare e kanë ngjitur ekipin në një nivel tjetër më të lartë.
– Jeni përshtatur me to?
– Po menjëherë. Si me lojtarët e rinj, si me detyrat, apo kërkesat që trajneri ka ndaj meje.
(Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista” të kësaj jave. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)