Britania e Madhe dhe Republika e Irlandës e kanë fituar të drejtën për ta organizuar së bashku Kampionatin Evropian në vitin 2028, njoftoi UEFA të martën.

Fushata e përbashkët e tyre ishte e pa konkurrencë, pasi Turqia u tërhoq nga gara për t’u përqendruar në fushatën për organizimin e Euro 2032 së bashku me Italinë, të cilën e fitoi siç edhe u konfirmuar gjatë takimit të sotëm të shtëpisë së futbollit evropian në Zvicër.

As Italia e Turqia nuk kishin konkurrencë në garë për organizimin e turneut veror më 2032, por, prapëseprapë, nevojitej aprovimi nga UEFA.

“Asgjë nuk është kurrë formalitet deri në çastin e fundit”, tha kryetarja e Federatës së Futbollit të Anglisë, Debbie Hewitt.

Euro 2028 do të jetë ngjarja më e madhe sportive që Britania e Madhe dhe Irlanda e kanë organizuar së bashku ndonjëherë.

“Mendoj se kjo do të jetë diçka për të cilën të gjithë ndihemi krenarë”, shtoi ajo.

Ish-kapiteni i Kombëtares së Uellsit, Gareth Bale, i cili u pensionua në janar, tha se ky turne do ta ndihmojë futbollin në Uells.

“Mendoj se është e rëndësishme, posaçërisht për Uellsin, të shihet në hartë, të vazhdojë përpara dhe ne t’i vazhdojmë përpjekjet për ta përmirësuar veten”, tha Bale.

Federata angleze tha se tre milionë bileta do të jenë në shitje për këtë turne, më shumë se në secilin Kampionat Evropian deri më sot.

Ndeshjet do të zhvillohen në stadiume me një mesatare prej 58 mijë ulëse.

Kampionati Evropian, i njohur si Euro, është gara kryesore e futbollit mes shteteve të kontinentit evropian, e cila zhvillohet çdo katër vjet që nga viti 1958.

Gjermania dhe Spanja javë vendet me të suksesshme me nga tre tituj, ndërsa Italia ka dy. Anglia nuk e ka fituar atë kurrë dhe më së afërmi erdhi më 2020, kur u mposht në finale nga Italia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *