Politika dhe aritmetika

Nga Agron Berdaj

Marrëdhëniet e aritmetikës me politikën jo gjithmonë kanë qenë normale, korrekte dhe të ndërvarura në gjetjen e zgjidhjeve të kohës. Politika në jo pak raste ka qënë kryeneçe, imponuese, urdhëruese dhe mospërfillëse ndaj aritmetikës.

Statistikat selektive, numurat e mëdhenj, bazat krahasuese të reduktuara, theksimi i numurave absolutë, përdorimi i emruesëve mashtrues janë kthyer në mjete spekulluese nga politikat. Fjala nuk është të mos u besohet numurave, por gjithmonë të kuptohet se çfarë fshihet pas tye, se cilat janë synimet e politikës kur bëjnë akrobaci me shifrat. Kur politika kthehet në numura, statistika, në indekse ajo fillon të humbasi përmbajtjen e saj, drejtimin, besimin, aftësitë vendimmarrëse, harmonizimin e interesavave mes grupeve shoqërore, solidaritetin, shpresën dhe optimizmin. Në kohën moderne, lidhur me raportin e aritmetikës me politikën, shtrohet pyetja se çfarë shoqërie duam dhe jo cila është zgjidhja e optimalizuar që tregojnë numurat.

Në Shqipëri në këto 36 vite politika ka guxuar ta përdhunojë aritmetikën, ta poshtërojë, ta deformojë dhe ta tjetërsojë sipas interesave meskine të saj. Treguesi më real i krizës mes tyre është kur vlera reale e ekonomisë shqiptare në vitet 90-të, sipas aritmetikës ishte miliarda lekë dhe politika e kohës e shumëzoi atë me zero. Aritmetika e llogariste armatimin e ushtrisë Shqiptare 8-9 miliardë lekë, ndërsa politika e zeroi atë, duke mos futur asnjë lek në buxhetin e shtetit. Korrupsionin e hapur që bëri Qeveria e PD me shitjen e katër hidrocentraleve e zbuloi aritmetika, kur në buxhetin e shtetit mungojnë çdo vit 10 -20 miljonë lekë. Aritmetika e nxjerr naftën shqiptare më fitim, si në gjithë botën, kurse politika shqiptare e llogarit me humbje, madje i paguan edhe haraçe kompanisë private nga buxheti i shtetit. Lista e kontradiktave mes politikës dhe aritmetikës është e gjatë, e pa fund.

Partitë politike, duke parë se mes tyre dhe aritmetikës nuk ka paqe, aplikojë secila aritmetikën e saj, tjetër kur janë në opozitë, dhe tjetrën kur janë në pushtet. Me njerën llogarisin aferat e administratës shtetërore dhe të oligarkisë që përfaqësojnë dhe me një tjetër llogarisin detyrimet ligjore ndaj popullit. Një matematikë me bazë progresionesh gjeometrike e përdorin për elitat, ku llogarisin aferat marramendëse dhe një aritmetikë të thjeshtë ku llogarisin thërrimet për popullin, pensionistët dhe shtresat në nevojë. Një aritmetikë e kanë kur blejnë dhe shesin në tregun ndërkombëtar sipas parimit “Shqipëria një euro”, ndërsa kur dalin në pazarin e popullit, për të justifikuar krizën e çmimeve, e kanë gati përgjigjen: konjukturat botërore, çmimet e larta ndërkombëtare të tregut, fuqia e ulët blerëse, etj. Kjo nuk do të thotë se nuk ka diferenca në çmime mes tregut global dhe atij të brendshëm, por kur këto diferenca manipulohen, apo shtohen artificialisht me qëllime korrupsioni – kjo është skandaloze.

Gjëja e parë që bie në sy në politikën ekonomike të kohës së qeverisjes së PD është se tjetër aritmetikë kanë përdorur në pozitë dhe tjetër në opozitë. Vetëm në qeverisjen e kësaj force politike ka ndodhur që janë përgatitur dhe zbatuar ligje vetëm në interes të një personi, apo të një grupi familjar të lidhur me pushtetin. Vetëm këtu ka ndodhur që, pasi shumë prona shtetërore u grabitën nga të afërmit e qeverisë, menjëherë u përgatit edhe ligji për shitblerjen e tokës ku ishin ngritur këta objekte. Pra, grabitja shtetërore duhej të realizohej e plotë. Ky ligj që justifikon plaçkitjen nuk zgjati më shumë se dhjetë ditë – kohë e mjaftueshme që banditët të mbaronin punë në zyrat e shtetit dhe më pas u shfuqizua.

Në opozitë, kjo forcë politike zbatonte një aritmetikë tjetër. Grushtet e shtetit që ndërmerrte në çdo dy tre vjet, kundërrevolucionet, puçet, shpurja e vëndit disa herë në praglufte civile, bojkotet dhe braktisja e jetës parlamentare nuk duhen parë si aksione të thjeshta politike, por si veprime konkrete për të fshirë gjurmët e krimeve në kohën e qeverisjeve të saj. Teoria e “Nivelit Zero” dhe e “Çekut të Bardhë” të aplikuara prej saj, nuk kishin të bënin vetëm me rrafshimin e vlerave të ekonomisë shqiptare, por të humbisnin edhe gjurmët e krimit që ata kishin kryer në kohën e qeverisjes së tyre. Ata i donin t’i kishin të fshira detyrimet që shteti i tyre i kishte grabitur popullit, pensionistëve, minatorëve dhe shtresave në nevojë. E kishin kthyer vendin si një kamp përqëndrimi ku nuk paguheshin siguracionet, zhdukeshin defterët e firmave piramidale, humbisnin kadastrat, dosjet e krimit, ku fshihej hstoria, etj.

Probleme me aritmetikën ka patur edhe PS, e cila, kur ishte në opozitë, e respektonte matematikën, ishte korrekte në shifrat e publikuara për krizën në vend, në përllogaritjet që u bënte premtimeve, si hapjen e 300.000 vendeve të punës, shërbimin mjeksor falas, sigurimin e dritave, të ujit, rritjen e pensioneve, e rrogave, etj. Sa më tepër që kjo forcë politike respektonte matematikën, aq më bindëse dhe e besueshme bëhej në elektoratin shqiptar. Kur erdhi në pushtet, gjëja e parë që bëri, ishte braktisja e matematikën së njehsuar dhe të zyrtarizuar botërisht dhe zëvendësimi i saj më aritmetikën e PD. Vetëm me këtë aritmetikë mund të shpjegohet niveli i lartë dhe shtrirja gjerësisht e krimit dhe korrupsionit, politikat e shfrenuara në tendera dhe abuzimi me buxhetin e shtetit, varfërimi i shtresave në nevojë të ekspozuar, të pambrojtura nga agresioni i përditshëm i tregut.

Akoma më problematik me aritmetikën duket se janë protestuesit apo revolucionarët, si e quajnë ata veten. Në sheshin e betejës politike ata paraqiten pa llogari dhe kalkulime politike, pa ide pushteti dhe strategji, pa një udhëheqje, pa një aritmetikë të thjeshtë. Një lëvizje tipike haxhiqamiliste, me një staf Haxhiqamilësh. Nisi si lëvizje në mbrojtje të flamingove dhe sot në bulevardet e Tiranës buçasin kakarisjet e sorrave. E nisën marshimin e tyre si idealistë të kulluar dhe të mëvetshëm dhe sot kanë përfunduar si konformistë dhe ushtarë të verbër të Berishizmit. Aspiruan se do të ishin pararendësit e një epoke të re që kërkonte një rend të ri shoqëror dhe përfunduan si në epokën e gurit, ku orientimi i shoqërisë bëhej në bazë të shënjave të diellit, hënës dhe objekteve qiellorë, lëvizjes së shpendëve dhe figurave të dala nga filxhani i kafesë së fallxhoreve. Pretenduan një lëvizjë demokratike me zë dhe përfunduan në një lëvizje memece, me maska, anarkiste, ku letra me vrimë për ta është edhe liria, edhe demokracia, edhe parlamenti, edhe qeveria. Si në lashtësi: me gurë dhe guralecë!

Parrulla e “revolucionit” të tyre “Të hamë, të pimë dhe të bëjmë seks”, është tepër romantike. Por kjo e bën edhe më të domosdoshme nevojën e përvetësimit të aritmetikës nga revolucionarët. Aq më tepër se të tre komponentët: si ngrënja, pirja dhe seksi përfshihen në sferën jo prodhuse. Vetëm aritmetika mund të vërtetojë koherencën e tyre për të garantuar vazhdimësinë, apo fundin e revolucionit, suksesin apo disfatën e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here