Nga Rudina Papajani
Në historinë e kinemasë shqiptare ka filma që mbeten si kujtesë artistike dhe ka filma që shndërrohen në pikë referimi për mënyrën se si konceptohet arti filmik. “Pharmakon” është një prej tyre. Nën regjinë dhe skenarin e Joni Shanajt, kjo vepër nuk ndërtohet mbi formulat e zakonshme të kinemasë komerciale, por mbi guximin për të eksploruar njeriun në thellësinë e tij morale, psikologjike dhe filozofike. Filmi u përzgjodh si kandidatura e Shqipërisë për çmimin Oscar për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar, duke e bërë atë një nga veprat më të rëndësishme të kinemasë shqiptare të viteve të fundit.
Joni Shanaj dëshmon se regjisori i vërtetë nuk është vetëm rrëfimtar, por edhe mendimtar. Ai ndërton një univers ku heshtja flet po aq sa dialogu, ku çdo plan filmik ka peshën e një metafore dhe ku ritmi i ngadaltë nuk është mungesë veprimi, por një zgjedhje artistike që i jep kohë shikuesit të depërtojë në botën e personazheve.
Vetë titulli “Pharmakon”, që në filozofinë e lashtë greke nënkupton njëkohësisht ilaçin dhe helmin, bëhet boshti simbolik i filmit. Kjo dykuptimësi përshkon të gjithë rrëfimin, duke ngritur pyetje mbi pushtetin, të vërtetën, manipulimin dhe shpëtimin. Në këtë mënyrë, filmi nuk kufizohet te historia e personazheve, por shndërrohet në një reflektim mbi shoqërinë shqiptare dhe krizën morale të individit.
Një nga shtyllat më të forta të filmit është interpretimi i Niko Kanxherit, i cili ndërton figurën e doktor Sokratit me një finesë të admirueshme. Pa rënë në teprime teatrale, ai krijon një personazh kompleks, të ftohtë, enigmatik dhe autoritar, ku pushteti dhe frika bashkëjetojnë në mënyrë të natyrshme. Loja e tij mbështetet te nuancat, te shikimi, te heshtja dhe te prania skenike, duke dëshmuar përvojën e një aktori që di ta shndërrojë minimalizmin në forcë artistike.
Po aq dinjitoz është edhe ansambli i aktorëve, ku spikasin Klevis Bega, Olta Gixhari, Vasil Goda, Pano Aliu, Jonida Shehu dhe emra të tjerë, të cilët krijojnë një harmoni interpretimi që i shërben plotësisht vizionit të regjisorit. Askush nuk përpiqet të dominojë mbi tjetrin; secili bëhet pjesë e një organizmi artistik të vetëm, ku çdo rol ka funksionin dhe peshën e vet dramatike.
Forca më e madhe e “Pharmakon” qëndron në faktin se ai nuk i jep publikut përgjigje të gatshme. Ai e sfidon shikuesin të mendojë, të dyshojë dhe të rikthehet vazhdimisht te kuptimi i asaj që ka parë. Ky është arti i kinemasë së vërtetë: të mos mbyllë pyetjet, por t’i hapë ato edhe më shumë.
“Pharmakon” mbetet dëshmi e talentit krijues të Joni Shanajt, një regjisori që ka zgjedhur rrugën e autorit dhe jo të kompromisit artistik. Njëkohësisht, ai është edhe një homazh për aktorë të përmasës së Niko Kanxherit dhe për të gjithë trupën interpretuese, që me profesionalizëm dhe ndershmëri artistike i dhanë jetë një filmi që vazhdon të flasë me gjuhën universale të artit.
“Pharmakon” nuk është thjesht një film shqiptar. Është një vepër që dëshmon se edhe kinemaja jonë mund të prodhojë art me identitet, me filozofi dhe me dinjitet estetik, duke lënë gjurmë jo vetëm në ekran, por edhe në ndërgjegjen e publikut si e percepton…
Rudina Papajani






