Redaksionale
Ajo që qarkulloi sot në rrjete sociale (thonë që videoja ka kohë që është bërë) nuk ishte thjesht një sherr mes adoleshentesh ishte një skenë që na ngriu gjakun dhe na vuri në mendime të thella.
Tre vajza rrahin brutalisht një bashkëmoshatare në Fier. E tërheqin zvarrë për flokësh, e godasin pa mëshirë, ndërsa ajo qan, ulëret dhe përpiqet të mbrohet. Por ajo që trondit edhe më shumë nuk ishin vetëm goditjet, ishin të qeshurat, ftohtësia e veprimeve. Është fakti që gjithçka filmohet dhe publikohet në rrjetet sociale, sikur dhimbja e një njeriu të ishte një shfaqje për t’u parë e për t’u duartrokitur.
Në çfarë pike kemi arritur?
Kur dhuna nuk fshihet më, por ekspozohet me krenari, kur poshtërimi i tjetrit kthehet në argëtim dhe kur disa sekonda “viraliteti” vlejnë më shumë se dinjiteti i një vajze, atëherë problemi nuk është më vetëm tek tre adoleshentet që ngritën dorën.
Problemi është shumë më i madh, ai fillon në familje. Fëmijët nuk lindin të pamëshirshëm, ata edukohen të bëhen të tillë, mësojnë nga ajo që shohin, nga ajo që dëgjojnë dhe nga ajo që tolerohet çdo ditë. Nëse një fëmijë nuk mëson në shtëpi se respekti për tjetrin është i shenjtë, se dhuna nuk është forcë dhe se lotët e dikujt nuk janë arsye për të qeshur, atëherë dikush ka dështuar ta edukojë.
Prindër, askush nuk kërkon prej jush fëmijë perfektë, por shoqëria ka të drejtë të kërkojë fëmijë që dinë kufirin mes debatit dhe barbarisë, mes një gabimi dhe një krimi moral.
Mos u mjaftoni duke u siguruar që fëmija juaj ushqehet mirë, vishet bukur apo ka telefonin më të mirë, mësojini të kenë zemër, mësojini të ndalojnë dorën, jo ta ngrenë atë. Mësojini të mbrojnë më të dobëtin, jo të bashkohen me turmën kundër tij. Edhe shkolla nuk mund të heshtë. Edukimi nuk mbaron te matematika, gjuha apo historia. Ai fillon me formimin e karakterit, me luftën kundër bullizmit, me ndërtimin e një brezi që e kupton se forca e vërtetë nuk matet me grushta.
Po aq përgjegjësi kanë edhe rrjetet sociale, ku dhuna shpesh shpërblehet me klikime, shpërndarje dhe komente, ndërsa viktima përjeton poshtërimin për herë të dytë, këtë herë para mijëra syve.
Sot ishte ajo vajzë, nesër mund të jetë vajza juaj. Motra juaj, mbesa juaj, ose fëmija juaj, ai që sot mendoni se “kurrë nuk do ta bënte këtë”, por që nesër mund të jetë ose viktimë, ose agresor, nëse ne vazhdojmë të mbyllim sytë.
Një shoqëri nuk matet nga numri i ndërtesave që ndërton, por nga njerëzit që rrit dhe kur adoleshentët qeshin ndërsa dikush ulëret nga dhimbja, nuk kemi përballë vetëm një akt dhune, kemi përballë pasqyrën e një edukimi që në shumë raste ka humbur busullën.
Është koha të reagojmë sepse heshtja, justifikimi dhe indiferenca nuk mbrojnë viktimat, ato mbrojnë dhunuesit.






