Pas triumfit në Tirana Art Festival Winner 2025 dhe rrugëtimit të suksesshëm në Albania’s Got Talent, bateristi i ri Roan Bejleri flet për emocionet e skenës, disiplinën që kërkon muzika dhe ëndrrën për të ndërtuar një karrierë ndërkombëtare.

Ka artistë që zgjedhin të flasin me zërin e tyre, e ka edhe nga ata që arrijnë të prekin publikun vetëm përmes ritmit. Roan Bejleri i përket kësaj kategorie. Edhe pse në moshë të re, ai ka arritur të tërheqë vëmendjen me talentin e tij në bateri, duke u shpallur fitues i Tirana Art Festival Winner 2025 dhe finalist në Albania’s Got Talent. Në këtë intervistë ai rrëfen emocionet e skenës, sfidat e rrugëtimit artistik dhe ëndrrat që e motivojnë të punojë çdo ditë edhe më shumë.

-Roan, publiku të njohu më shumë përmes “Albania’s Got Talent”, ku spikate me performancat në bateri. Çfarë do të thoshte për ty ai moment kur kuptove se talenti yt po dëgjohej nga një audiencë kaq e madhe?

-Ishte një ndjesi që vështirë ta përshkruaj me fjalë. Kur dola në skenë, isha i fokusuar vetëm te muzika, por kur pashë reagimin e publikut, kuptova se bateria mund të komunikojë me njerëzit edhe pa fjalë. Ai moment më dha shumë motivim për të punuar edhe më fort.

-Pas fitimit të çmimit “Tirana Art Festival Winner 2025” dhe përzgjedhjes si finalist në “Albania’s Got Talent”, a ndjen se këto suksese të kanë dhënë më shumë besim apo edhe më shumë përgjegjësi për të provuar vazhdimisht veten si artist?

-Të dyja. Më kanë dhënë besim se jam në rrugën e duhur, por edhe përgjegjësi që të mos ndalem kurrë së mësuari. Çdo performancë është një mundësi për të treguar një version më të mirë të vetes.

-Nga fitues i Tirana Art Festival Winner 2025 deri te finalisti i “Albania’s Got Talent”, si ka ndryshuar Roan Bejleri gjatë këtij rrugëtimi artistik?

-Kam fituar më shumë eksperiencë dhe vetëbesim. Kam mësuar të përballoj emocionet e skenës, të punoj me disiplinë dhe të kuptoj se suksesi nuk vjen vetëm nga talenti, por edhe nga përkushtimi dhe puna e përditshme.

-Bateria është një instrument që kërkon jo vetëm teknikë, por edhe shumë ndjeshmëri dhe ritëm të brendshëm. Çfarë historie tregon ti përmes një performance?

-Çdo performancë është si një histori pa fjalë. Përpiqem të transmetoj energji, emocion dhe pasion. Ka momente të fuqishme e shpërthyese, por edhe të tjera më të qeta e më emocionale. Dua që publiku ta ndiejë muzikën, jo vetëm ta dëgjojë.

-Ti ke nisur herët në fushën e muzikës. Çfarë do t’i thoshe atij fëmije të vogël që dikur mori shkopinjtë e parë të baterisë dhe nisi të ëndërronte?

-Do t’i thosha të mos ndalojë kurrë së ëndërruari dhe të mos dorëzohet kur gjërat bëhen të vështira. Çdo orë stërvitjeje dhe çdo sakrificë ia vlen, sepse një ditë do të ngjitesh në skenë dhe do të kuptosh se ëndrrat mund të bëhen realitet.

-Nëse një ditë do të kishe mundësinë të ndaje skenën me një artist apo grup të madh ndërkombëtar, kë do të zgjidhje dhe pse?

-Do të zgjidhja Coldplay, sepse koncertet e tyre janë shumë më tepër sesa performanca muzikore. Më pëlqen mënyra se si krijojnë emocione, lidhen me publikun dhe e kthejnë çdo koncert në një eksperiencë të paharrueshme. Si baterist, do të ishte një privilegj të isha pjesë e një skene të tillë.

Nga ana tjetër, një pjesë shumë e madhe e pasionit tim është muzika elektronike dhe bota e DJ-ve. Do të ishte një ëndërr të ndaja skenën me Swedish House Mafia dhe Black Coffee. Më frymëzon mënyra se si arrijnë të krijojnë atmosferë dhe të lidhin mijëra njerëz vetëm përmes muzikës. Janë artistë që tregojnë se muzika nuk ka nevojë për fjalë për të përcjellë emocione, dhe kjo është diçka që dua ta arrij edhe unë.

-Në fund, do të na thuash ëndrrën tënde më të madhe…

-Ëndrra ime më e madhe është të ndërtoj një karrierë ndërkombëtare në muzikë dhe një ditë ta shoh veten duke performuar si baterist me banda dhe artistë të njohur në skenat dhe festivalet më të rëndësishme të botës.

Muzika është pasioni im dhe më pëlqen ta eksploroj në forma të ndryshme. Përveç baterisë, më tërheq shumë edhe bota e DJ-ve dhe muzika elektronike është një pjesë shumë e rëndësishme e frymëzimit tim.

Shpresoj që në të ardhmen të kem mundësinë të performoj si baterist, por edhe si DJ dhe artist në skena të mëdha ndërkombëtare, në festivale dhe evente ku bashkohen njerëz nga e gjithë bota. Do të ishte një ëndërr të isha pjesë edhe e skenave si Tomorrowland.

Për mua, gjëja më e rëndësishme është të vazhdoj të mësoj, të krijoj dhe të përcjell emocione përmes muzikës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here