Kjo gjë më ka ndodhur ka dy vjet.

Jam shumë e zhgënjyer nga shoqëria, pasi unë kam dhënë shumë për ata dhe në këmbim, nuk kam marrë asgjë.

Quhem Rea dhe jam nga Mirdita.

Isha një vajzë shembullore edhe fitova shkollën e lartë në Shkodër. Fitova atë degë që më pëlqente dhe gjëja që më pëlqeu më shumë është se gjeta në shkollë edhe atë që e mendoja si miken time më të mirë. Unë edhe ajo ishim shumë afërta dhe të lumtura sepse ishim në një dhomë bashkë. Çdo gjë shkonte më së miri për tre vjet me radhë, derisa filluan xhelozitë dhe fjalët e saj pas krahëve të mi. Unë nuk i vija re për momentin sepse mendoja se ca gjëra m’i bënte pa qëllim, por vonë e kuptova se ajo ishte shumë e ligë në shpirt dhe se të gjitha ligësitë i bënte me plane kundër meje.

Në fillim, bënte dallime në ushqime, veshje e në çdo gjë që ne kurrë nuk i kishim ndarë. Herë-herë ia thoja këto me shaka, edhe pse nuk e kuptoja se ku e kishte burimin gjithë ai mllef kundër meje, kur unë nuk i kisha bërë asgjë. Të gjithë në shoqërinë tonë i thonin: “Rea ka bërë shumë për ty”, “të ka futur në shoqërinë e saj” e të gjitha pasi ajo nuk kishte shokë fare nga gjimnazi. Tani, mbas tre vjetësh, e kam kuptuar se pse ajo nuk kishte shoqëri, sepse u ecte të gjithëve me hile dhe normal, asnjë nuk e donte afër. Më vonë e kuptova se ajo ligësinë e xhelozinë e kishte në zemër dhe nuk linte rast pa ta bërë të zezën, vetëm po të mos gjente mundësi. Fillova edhe unë e nuk ia lija mbarë, por ia plasja në fytyrë të gjitha me të qeshur e me të ngjeshur. Në atë periudhë ajo zuri të dashur një çun që ia kisha prezantuar unë dhe shumë herë nëpër dhomë u thoshte gocave: “Nuk më duhet shoqëria, po të kem të dashurin afër”. Ato fjalë më lëndonin shumë sepse deri dje ne ishim shoqe të ngushta e vinim te shtëpitë e njëra-tjetrës e tani, për një të dashur, i hidhte poshtë të gjithë. Nuk e kuptoja se pse i bënte ca muhabete pa lidhje si e si për të treguar se ata të dy duheshin. Nuk e kuptoja më shumë se pse i bënte në syrin tim, thua sikur mua do të më vinte inat. Unë nuk kisha pse të bëhesha xheloze, se unë i kisha lidhur bashkë! Përkundrazi, vetëm më vinte mirë, edhe pse gjërat mes nesh nuk po na shkonin shumë mirë.

Unë kisha një të dashur nga shkolla e mesme, por në atë kohë po dilja të njihja një djalë tjetër. Ky ishte një djalë që doja ta njihja për seriozisht sepse ishte shumë i mirë dhe i urtë. Dilja sepse më pëlqente dhe më jepte siguri, gjë që tek i dashuri nuk e gjeja. Shoqes sime ia kisha thënë të gjitha sepse mes nesh kishte periudha që ishim shumë mirë dhe unë, si budallaçkë, ia hapja zemrën. Ajo më tregonte, por jo aq sa unë. Një ditë unë do dilja me këtë djalin që më pëlqente dhe i tregova shoqes sime. Të dashurit i kisha thënë se do dilja me motrën për drekë. Kur u ktheva në dhomë, i dashuri më mori në telefon dhe më bërtiste e më ulëriste. Ai, në fakt, nuk kishte faj sepse ajo që ishte gabim isha unë edhe më e bukura, se nuk e pranoja, doja ta bëja edhe për budalla. Ai kishte marrë vesh gjithçka. Kjo nuk më besohej, ndaj e mohoja, mendoja se nuk i dinte gjërat aq mirë dhe e gënjeja: “Jo, kam qenë vetëm një ditë në kafe me të”, e këtej e andej. U bëra shumë keq, vetëm qaja dhe nuk më besohej që dikush ia kishte thënë. Nuk e di pse nuk më shkoi mendja te shoqja ime, por fakti që ajo bënte sikur qante me mua e më përqafonte, më bënte të mos dyshoja fare tek ajo, kur nga ana tjetër, ma kishte ngulur thikën pas shpine. Ajo më thoshte me pafajësi:

– A thua kush t’i ketë thënë, moj Rea?

Unë qaja në krahët e saj edhe nuk dija gjë se kush ma kishte bërë të keqen. Vetëm kur i mendoj ato momente, e urrej edhe më shumë e i uroj që, atë që ma ka bërë mua, t’ia bëjnë asaj njëqind fishin. Nejse, gabimin tim unë e pagova rëndë, pasi i dashuri më la dhe unë, ngaqë po e vuaja tradhtinë, i shkëputa edhe kontaktet me atë djalin tjetër. Nuk isha fare mirë. Vetëm qaja gjithë kohës dhe pyesja veten “pse?”… Ajo bënte sikur më rrinte afër, por nga ana tjetër, bënte sehir me vuajtjet dhe lotët e mi. Kaluan disa muaj dhe unë rrija e vetme, pasi edhe shoqja ime m’u largua, duke qëndruar me të dashurin. Shoqeve të tjera u kishte thënë se nuk e linte ai të rrinte me mua dhe ta do mendja që ai do t’ia kishte thënë, nëse kjo do t’i kishte folur keq për mua. Ai nuk më njihte për vajzë të keqe, pastaj, edhe ajo, përderisa më kishte pasur shoqe nuk ishte më e mirë se unë. Nejse…

Bëra shumë përpjekje për t’u pajtuar me të dashurin tim dhe më në fund, ia arrita qëllimit. Kur ne u pajtuam, ai më thoshte shpesh:

– A.-në nuk e ke shoqe të mirë! Ajo, çdo gjë, ta ka me hile!

Unë këmbëngulja për të kundërtën dhe mendoja se edhe problemet që kisha patur me të ishin thjesht mosmarrëveshje të zakonshme mes vajzash. Asnjëherë nuk do ta kisha menduar se ajo që hante e rrinte me mua gjithë ditën, më kishte shitur për asgjë. Pse vallë të kishte dashur vetëm të më bënte keq? Këtë pyetje ia bëra edhe ditën që u ballafaqova, por ajo vetëm qante e më kërkonte të falur. I thashë:

– Ti e di shumë mirë sa kam vuajtur unë, por ato që kam hequr për shkakun tënd, vetëm Zoti i gjykoftë, pasi sado gabim ta kisha, ti ishe shoqja ime dhe tradhtinë ma bëre ti mua.

Më erdhi shumë keq sepse unë i dija shumë gjëra private të sajat dhe kurrë s’e kisha hapur gojën tek askush. Fati im ishte se për pak ditë mbaronte shkolla dhe unë do të shkoja në shtëpi e nuk do kisha më të bëja me hipokrizinë e pafytyrësinë e saj. Asaj, ashtu siç kishte zemrën ia bëri Zoti sepse kaloi në stazh dhe ngeli pa marrë provimet. Unë u diplomova dhe gjërat më shkuan më së miri. Ende tani jam me atë djalin që kam qenë dhe ajo, me sa di unë, është pa shkollë e më duket se edhe me të dashurin është ndarë. Ca kohë ajo më pati kërkuar të falur me mesazhe dhe i thoja: “Unë kam harruar e t’i kam falur”, edhe pse me zemër nuk do t’ia fal kurrë. Vetëm një gjë di të them, që sot nuk ka shoqëri, pasi njerëzit, për interesa vetjake ose thjesht, për cmirë, të shesin fare lehtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *