– Kur bëhet sterilizimi kirurgjikal?

– Sterilizimi kirurgjikal bëhet kryesisht nga gratë te të cilat një shtatëzani e re mund të ketë pasoja mjekësore të rënda, ato që nuk tolerojnë asnjë metodë kontraceptive efikase, ose që kanë pësuar dështime me këto metoda. Bëhet fjalë këtu për lidhjen e tubave me anë të operacionit ose histeroskopisë.

– Është e vërtetë që mjekët ngurrojnë të bëjnë një sterilizim kirurgjikal?

– Po, mjekët ngurrojnë ta bëjnë sterilizimin para njëfarë moshe, sepse disa rrethana mund të të bëjnë të pendohesh për këtë metodë kontraceptive të parikthyeshme (për shembull, vdekja e bashkëshortit, e një fëmije ose më shpesh, divorci dhe rimartesa). Përqindja e “pendesave” nuk mund të mos merret parasysh.

– Si bëhet lidhja e tubave?

– Ajo zakonisht bëhet me celioskopi (domethënë, nuk bëhet një çarje e madhe e barkut, por vetëm një çarje e vogël poshtë kërthizës) dhe me anestezi të përgjithshme. Ndërhyrja është e shpejtë dhe kohëzgjatja e shtrimit në spital, një ose dy ditë. Gjatë operacionit, mjeku kap një copë tubi me kapëse ose me një unazë të vogël plastike, duke e mbyllur.

– A mund të hapen përsëri tubat?

– Ndërhyrja është e pakthyeshme. Edhe nëse hiqet kapësja apo unaza, pjesa e tubit që ka qenë kapur, nuk mund ta kryejë më funksionin e saj. Nëse doni një shtatzani të re, duhet të bëni një fekondim artificial.

– Si bëhet sterizimi nga poshtë (me histeroskopi)?

– Ekziston një metodë sterilizimi femëror nga rrugët natyale, me histeroskopi. Kjo metodë konsiston në vendosjen e një mikro-implanti në secilin tub. Pas vënies së tij, rreth e rrotull formohet një ind bashkues. Duhen tre muaj që ky ind bashkues të mbyllë tubat. Procedura zgjat afro gjysëm ore dhe mund të realizohet edhe në kushte ambulatore, pa anestezi të përgjitshme dhe pa u shtruar në spital.

– Cilat janë përparësitë e sterilizimit kirurgjikal?

– Ai është i parikthyeshëm dhe më pas, nuk ke më probleme kontracepsioni. Sterilizimi nuk prek asnjë funksion hormonal dhe ciklet vazhdojnë si më parë.

– Ka ndikim sterilizimi te seksualiteti?

– Sterilizimi nuk ka asnjë ndikim te feminiteti, as te dëshira dhe kënaqësia seksuale.

– Cilat janë anët e tij negative?

– Fakti i të qenit i parikthyeshëm përbën njëkohësisht përparësinë dhe anën e tij më të madhe negative. Në rast pendimi, është shumë e vështirë dhe shpesh, e pamundur të kthehesh mbrapsht. Ky rrezik kufizohet nëse vendimi është marrë pas një reflektimi të mirë nga gruaja dhe çifti. Duhet evituar sterizilimi te gratë që kanë probleme psikologjike, si për shembull, pas një ndërprerjeje të vullnetshme shtatzanie, ose kur ka probleme lidhjeje, etj.

– Çfarë është vazektomia te burrat?

– Te burrat, vazektomia konsiston në lidhjen e kanaleve që sekretojnë spermatozoidet. Ndërhyrja e thjeshtë dhe e shpejtë, mund të bëhet me anestezi lokale dhe nuk është i nevojshëm shtrimi në spital. Si lidhja e tubave, vazektomia duhet konsideruar e pakthyeshme. Para se të bëhet ajo, mund të parashikohet vendosja e spermës në një bankë sperme, për t’u dalë parpara rasteve të pendimit në të ardhmen.

– A ka ndikim vazektomia te seksualiteti?

– Vazektomia nuk ka asnjë ndikim te dëshira seksuale dhe burrëria.

Kontracepsioni pas lindjes

– Kur rivijnë menstruacionet, pas një lindjeje?

– Pas lindjes, mitra që ishte hapur shumë gjatë shtatzansë, do të mblidhet progresivisht për të rimarrë madhësinë normale, zakonisht, pas një ose dy muajsh. Në vazhdim të lindjes, ekzistojnë disa sekrecione me gjak, që i korrespondojnë cikatrizimit të zonës ku placenta lidhej me mitrën. Në fillim, këto janë të bollshme dhe me shumë gjak, pastaj pakësohen dhe sasia e gjakut në to, ulet. Ato zgjasin afro tre javë, por nganjëherë, më gjatë, bile deri në ardhjen e ciklit normal. Nëse nuk i jepni gji fëmijës, cikli i rregullt menstrual fillon afro një muaj e gjysmë (6-8 javë) pas lindjes.

– Kur i vjen cikli një gruaje që ushqen me gji?

– Nëse e ushqeni fëmijën me gji, hormoni që favorizon prodhimin e qumështit, bllokon ovulimin dhe rifillimin e ciklit, që do të bëhet pasi mbaron ushqimi me gji. Megjithatë, nëse e ushqeni fëmijën për një kohë shumë të gjatë, për shumë muaj, mund të ndodhë që të vijnë menstruacionet edhe nëse jeni duke e ushqyer fëmijën me gji. Për këtë arsye, është mirë të përdorni një metodë kontraceptive edhe kur ushqeni me gji.

– Mund të ndodhë një shtatzani e re, ndërkohë që je duke ushqyer fëmijën me gji?

– Pas lindjes, hipofiza sekreton një hormon, prolaktinën, që do të prodhojë qumështin dhe do të bllokojë aktivitetin e vezoreve. Megjithatë, ky mekanizëm bllokimi mund të pësojë ndonjë problem dhe nuk përjashtohet një ovulim. Megjithëse kjo është diçka që ndodh rrallë, është mirë të ndiqet një metodë kontracepsioni.

– Kur mund të vihet sterileja pas një lindjeje?

– Duhen pritur afro 2-3 muaj derisa mitra të marrë madhësinë normale e të shërohet. Edhe pas një dështimi të vullnetshëm ose të pavullnetshëm, këshillohet të pritet një cikël.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *