– I drejtohem redaksisë për një këshillë… Jam një djalë i madh në moshë, më tërheq shumë njerka ime. Nëna ime e vërtetë ka vdekur kur unë kam qenë i vogël fare. Kam dy vëllezër të tjerë nga ana e babait që i ka njerka, për të cilën ndjej tërheqje fizike. S’kemi shumë diferencë moshe, plus që ajo është shumë e mbajtur. Kam vite që e vuaj këtë gjë dhe ia them vetes që është e gabuar kjo ndjenjë që ushqej për të. Mundohem ta fsheh, por kam frikë se kam rënë në sy sepse shpreh shenja xhelozie ndaj saj, edhe pse ajo nuk i di ndjenjat e mia. Kam pasur lidhje të tjera dhe kam edhe tani, por asnjëra nuk ka arritur të ma heqë dot fiksimin që kam për njerkën. Jam bërë i padurueshëm edhe në shtëpi. Ju lutem, më thoni, si të veproj?

Redaksia: – Përshëndetje i nderuar lexues! Kjo “tërheqje” që keni ju ndaj njerkes mendoj se është shumë e rrezikshme për familjen tuaj dhe sidomos, ndaj babait. E kuptoj që juve po ju bëhet fiksim gjithnjë e më shumë sepse duket nga ato që keni shkruar, por a e keni menduar se çfarë pasojash mund të sillte kjo gjë, qoftë dhe vetëm duke i shprehur asaj ndjenjat tuaja të vërteta? Pastaj, ne kuptojmë që ju ndoshta keni më shumë tërheqje fizike sesa dashuri të mirëfilltë.

– Fiksimi është krejt ndryshe nga dashuria e vërtetë. Duhet t’ia ushqeni vetes herë pas here siç edhe jeni shprehur, se kjo gjë është e gabuar dhe aspak e pranueshme. Sikur edhe vetëm një hap të bëni ndaj saj, do të shkatërronit ekuilibrin familjar, do të lëndonit babain dhe dy vëllezërit tuaj. Dhe, për çfarë? Për një fiksim që fare mirë mund ta shmangni duke përjetuar lidhjen që keni aktualisht.

– Nëse juve ju duket e pamundur kjo që po ju them, ju sugjeroj të largoheni nga shtëpia për disa kohë dhe të jetoni vetëm ose të ikni jashtë. Largësia do t’ju bëjë më të ndërgjegjshëm dhe do të reflektoni më shumë. Jemi të sigurtë që do ta hiqni këtë fiksim dhe më vonë mund të qeshni me këtë fiksim qesharak dhe aspak me vend në kushtet tuaja. Edhe një herë po e përsërisim, kini kujdes mos shkatërroni një familje! Mjafton të kujtoni këtë gjë dhe nëse vërtet e konsideroni të rëndësishme familjen, do ta hiqni këtë fiksim. Mendoni sikur të ishit ju në vend të babait; si do të ndiheshit nëse do të merrnit vesh që djali juaj ushqen tërheqje fizike ndaj gruas tuaj?! Është absurde, apo jo?

Kështu pra, punoni pak me veten dhe harrojeni këtë fiksim. Shikojeni njerkën me syrin e mamasë së vëllezërve tuaj. Mos shkatërroni ekuilibrin e familjes dhe tuajin njëkohësisht për një “fiksim” qesharak. Gjithë të mirat!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *