– Jam një vajzë që e lexoj rregullisht këtë rubrikë. Unë kam një problem; ha shumë shpejt dhe me nxitim.

Kam edhe shumë neps dhe sapo i shoh gjërat në tavolinë, dua t’i provoj shpejt e shpejt, aq shumë më joshin.

Pastaj filloj të ha si e babëzitur. Jam 20 vjeçe dhe jam shumë e shëndoshë. Shumë vetë më thonë se e kam ngaqë ha shpejt, sepse nuk është se konsumoj shumë ushqime si sasi. A është e vërtetë që po të hash shpejt, shëndoshesh më lehtë?

Diego Hoxha, fitness instruktor, Fitness&Box Sport Albania, Rr Bajram Curri, pranë maternitetit të ri, tel +35544534743:- : Sigurisht që është e vërtetë dhe për këtë do t’ju japim argumentet e vërtetuara nga shumë revista shkencore dhe nga vetë ne instruktorët. Një nga shumë arsyet që sjellin shëndoshjen është edhe e ngrëna shumë shpejt. Nëse e përtypim ushqimin mirë dhe me qetësi, ne konsumojmë më pak; e gjitha është meritë e hormoneve të ngopjes. Në tavolinë, fjala e duhur duhet të jetë gjithmonë një dhe e vetme: Qetësi. Sekreti për të shmangur shëndoshjen është të hash ngadalë dhe duke e përtypur mirë ushqimin. Arsyeja është shumë e thjeshtë: Kush ha duke nxituar (sepse mund t’i jetë bërë zakon ose është i stresuar nga puna) nuk ka kohë ta shijojë ushqimin dhe, pasi ka ngrënë pak, ndihet i ngopur. Një fjalë e urtë popullore, thotë: “Kush ecën ngadalë, shkon larg dhe shëndetplotë”. Lidhur me dietën, kjo shprehje mund të zbërthehet kështu: “Kush e përtyp ngadalë ushqimin, mbetet i shëndetshëm dhe konsumon pak ushqim”. Të gjithë e dimë se të hash ngadalë dhe duke e shijuar ushqimin, është më mirë sesa të konsumosh një vakt për pesë minuta. Shumë prej nesh kanë dëgjuar të thuhet se e ngrëna shpejt mund të sjellë konsum të tepërt të ushqimit dhe obezitet. Ky është një problem pothuajse për të gjithë njerëzit: duke qenë se nuk kanë shumë kohë në dispozicion, ata hanë shumë dhe shpejt, i futen pjatës ose panines me shpejtësi dhe për tri minuta, i japin fund drekës ose darkës. Me sa duket, kjo praktikë është mënyra më e mirë për të pasur ende uri dhe për të ngrënë më shumë, por ata nuk e dinë se të ushqyerit në mënyrë të gabuar, dëmton shëndetin. Pra, nëse sinjali i ngopjes nuk arrin në tru, atëhere ne do të vazhdojmë të hamë: gjithmonë kur mungon “komunikimi” tru-stomak jemi të prirur ta ekzagjerojmë dhe të hamë diçka më shumë. Nga studimet është zbuluar se kur hamë shpejt, niveli i hormoneve mbetet i ulët dhe për pasojë, ne nuk arrijmë ta “ndezim” sinjalin e ngopjes. Pra, me sa duket, ende të uritur, vazhdojmë të hamë dhe vetëm pasi jemi rënduar, e kuptojmë se kemi ngrënë shumë. Kjo është edhe arsyeja pse dietologët këshillojnë që mënyra e të ushqyerit të jetë e rregullt dhe të ngrihemi nga tavolina gjithmonë pa u ngopur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *