Fëmija im ka lindur pa tiroide
– Përshëndetje Doktor Dashamiri! Unë jam një prind që interesohem për shëndetin e fëmijës tim 12 vjeç, i cili ka lindur pa gjëndrën e tiroides. Sëmundjen e kemi marrë vesh në muajin e tretë të jetës dhe që nga ajo kohë, ai merr një mjekim në mëngjes. Doja t’ju pyesja, a ka shanse që ky mjekim të ndërpritet dhe si mund ta marrim vesh nëse bari është i dëmshëm?
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – I nderuar prind, e kuptoj drejt shqetësimin tuaj. Sigurisht, problematika që ju përshkruani është e rrezikshme në qoftë se nuk diagnostikohet në kohë dhe nëse fëmija nuk i merr barnat në kohën e duhur. Në gjuhën mjekësore, kjo quhet hipotireozë kongjenitale ose mungesa e gjëndrës tiroide e për pasojë, edhe mungesë e hormoneve që prodhon kjo gjëndër. Në të vërtetë, kjo sëmundje nuk është shumë e shpeshtë, por nuk mund të konsiderohet as shumë e rrallë. E vlerësoj kështu këtë element edhe për arsyen e vetme se shpesh jo vetëm prindërit, por edhe konsultoret harrojnë të bëjnë një vlerësim të funksionit të tiroides! Rëndësi ka të vlerësohet funksioni i tiroides që në momentin e lindjes së fëmijës ose brenda gjashtë mujorit të parë të lindjes. E kemi sqaruar disa herë, por nuk është e tepërt ta rithemi se gjëndra tiroide është një gjëndër shumë e rëndësishme endokrine, e cila fillon të funksionojë pas tre mujorit të parë të jetës së fëmijës në barkun e nënës dhe gjatë gjithë jetës së individit. Thuajse është e pamundur të kemi një zhvillim të mirë fizik dhe psikologjik nëse do të mungonte funksioni i kësaj gjëndre, si në rastin e fëmijës tuaj. Por kjo vlen edhe për raste të tjera kur mund të kenë gjëndrën tiroide, por niveli hormonal që ajo prodhon nuk është i plotë, aq sa organizmi ka nevojë.
– Pa u ndalur me shumë në detaje, ju informoj se dëmet më të mëdha mungesa e tiroides i shkakton në zhvillimin mendor. Fëmijët e lindur me këtë sëmundje nëse nuk diagnostikohen brenda gjashtë muajve të parë dhe maksimumi brenda vitit të parë, vuajnë gjithë jetën nivele të ndryshme të prapambetjes mendore. Kretinizmi është formë e rëndë e kësaj prapambetjeje e cila është totalisht e lidhur me mungesën e hormoneve të gjëndrës tiroide. Fëmijët që kanë mungesë të hormoneve të gjëndrës tiroide nuk zhvillohen në gjatësi, janë të shëndoshë, kanë lëkurë të thatë nëse defiçiti është i rëndë, ndonjëherë mund të marrin edhe ngjyrë të verdhë, nuk kanë zhvillim të mirë në riprodhim, vajzat vuajnë vonesën e ciklit, ndërsa djemtë nuk janë në gjendje të kenë spermatozoidë në formë dhe shpejtësi normale. Duke u kthyer sërish te rasti juaj, mendoj se duhet të ndiheni me fat nga pikëpamja që sëmundjen e keni kapur shpejt dhe mjekimin e keni filluar në kohë. Përsa i përket pyetjes suaj, nëse do të ndërpritet ndonjëherë mjekimi, nuk mund t’ju jap një përgjigje 100 %. Sërish po shtjelloj një tjetër element të kësaj sëmundjeje, që ka të bëjë me faktin se në momentin që përcaktohet diagnoza, fillohet menjëherë mjekimi i cili fillimisht përllogaritet të jetë për një periudhë tre vjeçare dhe në moshën 3 vjeçare bëhet sërish testi i provës për të kuptuar përfundimisht nëse gjëndra tiroide është kthyer në gjëndër funksionale apo jo. Në rastin e fëmijës suaj, meqenëse ai vazhdon ta marrë mjekimin edhe në këtë moshë, do të thotë që defiçiti ka qenë total dhe i parikthyeshëm. Besoj se edhe mjekimi në rastin tuaj do të jetë i përhershëm gjatë gjithë jetës. Në lidhje me pjesën e fundit të pyetjes nëse mund të bëjë dëm ky bar, ju garantoj se bari që jepet për këtë sëmundje nuk është gjë tjetër veçse hormoni që i mungon fëmijës tuaj. Duke qenë diçka natyrale, mundësia është thuajse zero që të krijojë probleme alergjike, helmuese etj. Pavarësisht se nuk paraqesin efekte të tilla të dëmshme, fëmija rregullisht 2-4 herë në vit duhet të bëjë një analizë që reflekton se sa i ngopur është organizmi me këtë bar. Analiza quhet TSH dhe nëse kjo është në vlerë normale, nuk ndryshohet doza e barit, por në rastet kur kjo paraqitet me vlera të larta ose më të ulëta, atëherë është kompetencë e një specialisti që të modifikojë dozën e barit. Ju siguroj se pavarësisht sëmundjes, fëmija juaj do të ketë një jetë të gjatë dhe me cilësi, nëse mjekohet rregullisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *