Renato Karlos Martins Junior është emri i tij i vërtetë, por për të gjithë, njihet si Renatinjo. Klubi korçar zyrtarizoi afrimin e sulmuesit 28-vjeçar nga Brazili gjatë kësaj merkatoje. Lojtari është mjaft teknik dhe mund t’i shërbejë shumë Skënderbeut në këtë kampionat. Por, përveç aftësive të mira si futbollist, braziliani ka fituar famën e të gjithëve edhe për shkak të miqësisë që ka me yllin e Barcelonës, Nejmarin. Përveç fotove të publikuara në llogaritë e tij sociale, pak ditë më parë ishte vetë ylli i Barçës që i ktheu përgjigje në Instagram, pas urimit të këtij të fundit për ditëlindjen e tij. Renatinjo ka vetëm pak javë në Shqipëri, por se sa dhe si është përshtatur, ai e tregon nëpërmjet kësaj interviste…

 

Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje Renatinjo! Si ndiheni në Shqipëri?

Renatinjo: – Përshëndetje Eraldo dhe përshëndetje të gjithë shqiptarëve. Mjaft mirë. Më kanë pritur shumë ngrohtë dhe jam i lumtur për këtë fakt. Nuk jam përshtatur akoma krejtësisht, por e përgjithshmja është pozitive.

– Ju pëlqen qyteti i Korçës?

– Nuk e kam vizituar akoma krejtësisht, por më pëlqen. Është qytet i vogël, por i bukur.

– Nuk keni pasur miq që t’jua tregonin?

– Jo, nuk ka lidhje, por ne kemi qenë të grumbulluar në Durrës te vendi ku qëndrojmë e që nuk po ia kujtoj dot emrin tani… (Qesh)

– Si e shihni ekipin?

– Niveli është i lartë dhe ka lojtarë mjaft të mirë në përbërje. Nuk mund të jap një gjykim më tepër, pasi mua më duken të gjithë të mirë.

– I njihni të gjithë lojtarët tashmë?

– Po, pasi u bë një muaj në Shqipëri dhe jam stërvitur me skuadrën.

– Keni luajtur në dy ndeshje. Si është të shijosh aktivizimin?

– Kam luajtur kundër Kukësit dhe Vllaznisë. Ndihem mirë, por natyrisht, dua më shumë minuta në dispozicion për të treguar më të mirën time.

– A keni arritur të krijoni një përshtypje për nivelin e kampionatit tonë?

– Jo, akoma, është herët për ta bërë diçka të tillë, por deri tani më duket me konkurrencë. Skënderbeu kampion, natyrisht. (Qesh)

– E ke mësuar apo ta kanë mësuar këtë frazë?

– Jo, jo e mendoj vërtet!

– Cilin shihni si sulmuesin më të mirë në ekip?

– Për Salihin më kanë folur shumë mirë dhe e shoh nivelin e tij edhe në stërvitje. Xhejmsi është një lojtar me potencial. Konkurrenca është e madhe, por unë jam këtu për të luftuar për një vend në formacion.

 

Braziliani dhe Shqipëria

– Një fjalë në shqip?

– Ujë.

– Ekipi i cilit qytet është Skënderbeu?

– I Korçës.

– Tifozët e ekipit tuaj?

– Ujqërit e dëborës.

– Kryeqyteti ynë?

– Tirana.

– Monedha jonë?

– Lek.

– Heroi ynë Kombëtar?

– (Qesh) Këtë ma kanë mësuar, e pranoj. Skënderbeu.

– Qyteti më verior?

– Nuk e di.

– Më jugori?

– No, no. (Qesh)

– Ushqimi tradicional i Korçës?

– Ej, akoma nuk e njoh aq mirë. (Qesh)

 

Renatinjo dhe Nejmari

– Te ne ka bërë shumë përshtypje miqësia juaj me Nejmarin…

– Nejmarin e kam mik dhe është një shok i mirë.

– Si keni krijuar afrimitet ju të dy?

– Në Brazil kemi dalë të dy nga Akademia e Santosit dhe aty jemi miqësuar. E ruajmë respektin reciprok.

– Bëri shumë bujë edhe fakti që ai ju ktheu urimin e ditëlindjes…

– Nuk ka asgjë për t’u çuditur. Është një urim mes miqsh.

– Si është të kesh mik një yll të futbollit botëror që luan me Barcelonën?

– Nuk është një fakt që ka rëndësi, pasi ai është një njeri i thejshtë, paavarësisht se është ndër më të mirët në botë.

– Keni biseduar për transferimin në Shqipëri?

– Është në dijeni, por nuk kemi folur shumë pasi kemi qenë të dy të impenjuar.

– Do të vijë në Shqipëri për t’iu shikuar në ndonjë takim?

– Nuk e di… nuk e kam biseduar ndonjëherë këtë gjë me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *