“Klanifornia” rinisi sezonin e saj por edhe këtë herë është pa publik për shkak të situatës së krijuar në të gjithë botën si pasojë e Covid-19. Një nga aktorët më të mirë shqiptarë dhe pjesë e këtij spektakli humor i cili shkrin së qeshuri publikun me rolet e tij, Visjan Ukcenaj vjen në një intervistë të shkurtër por duket se i ka thënë të gjitha. Ndjesinë që i krijon mungesa e publikut, energjia e duartrokitjeve, dashurinë që ka për aktrimin dhe planet pas pandemisë…

-Visjan, si të gjeti sezoni i ri i “Klanifornia”?

-Na gjeti gati se kishim pushuar mjaftueshëm. Me vrull për të krijuar. (Buzëqesh)

-Me virusin si i keni punët?

-Ne mirë i kemi punët me virusin, po virusi s’i ka mirë punët me ne.

-Jeni përshtatur me kushtet e reja të punës, pa publik me duartrokitje të shtuara?

-Shfaqja pa publik është si kafja pa sheqer, kafeina dhe ngjyra nuk mungojnë, por mungon shija.

– Nga 1-10 sa ju mungon publiku?

-Mua personalisht publiku më mungon pafund. Energjia që të japin të qeshurat dhe duartrokitjet live nuk krahasohen me asgjë.

-Gjërat që nuk bën dot tani që jemi nën masa sigurie për shëndetin?

-Nuk bën shfaqje me publik. Nuk teshtin ku të të dojë kokrra e qejfit. Nuk futesh dot pa maskë nëpër banka ose qendra tregtare. Nuk përqafon dot të afërm, miq . Ke frikë të te kapë çikë gripi se t’u sulën dynjaja. (qesh)

-Po ti vetë çfarë beson dhe çfarë jo nga kjo histori globale?

-Besoj që sëmundja ekziston besoj, po ashtu se është krijuar qëllimisht nuk është aksidentale. Maska dhe kurat janë thjesht biznes.

-Pas gjithë këtyre viteve në filmografi, teatër dhe spektakle humori, je gati për të mësuar breza të rinj e për t’i treguar sekretet e suksesit?

-Patjetër që po . Për pak mbush 32 vjeç, kam pothuaj 9 vite në ekran. Do të ishte kënaqësi për mua të ndaja eksperienca sfida, përpjekjet e mia për një target grup të interesuar.

-Cili është mesazhi më i bukur që ke marrë prej ndjekësve që afektohen nga rolet e tua?

-“Ti më mbush jetën me gëzim dhe pozitivitet”. S’ka gjë më të bukur dhe vlerësuese se ky mesazh . Ky është misioni jonë, përpos mesazheve dhe thirrjeve, të cilave duam t’i transmetojmë me humorin, që bëjmë mbushja e jetës me gëzim dhe pozitivitet është gjëja primare.

-Më trego një situatë, të cilën ti sa herë e kujton të bën të qeshësh me lot?

-Kur kam kërkuar, ku kam telefonin ndërkohë që po flisja në telefon. Dhe personi nga ana tjetër po më ndihmonte ta gjeja deri kur u kujtova që telefonin e kisha në dorë.

-Pak muzikë. Kënga e re pati shumë impakt, a është një frymëzim për të vazhduar më tej?

-Pak a shumë më ndihmoi të fokusohen në atë stil, në të ardhmen nëse do dua të bëj akoma muzikë për qejfin dhe pasionin tim gjithmonë. (Buzëqesh)

-Çfarë ka në planet më tej?

-Një biznes, që pres të hapet së shpejti sapo të mbarojë pandemia.

-Dy fjalë ose dhe njëzet për ta mbyllur alla Visjan Ukcenaj këtë intervistë…

-Jeta është më e bukur kur një personi të nevrikosur i buzëqeshni. Buzëqeshja fiton ndaj një fytyre të vrenjtur. Qofshi mirë dhe të shëndetshëm!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *