Sulmuesi pohon se ndjen keqardhje për fitoren e munguar ndaj të kuqve, ndërsa pranon se parësore nuk ishte që Tirana t’i prishte punë Partizanit në luftën për titull. Gilman Lika ishte edhe një nga më të mirët në fushë për Tiranën. Ai ishte një rrezik konstant për të kuqtë, me krosimet drejt zonës. Sulmuesi shkodran mendon se nuk ka shumë rëndësi nëse bardheblutë i prishën punë Partizanit në luftën për titull, duke bërë që Skënderbeu t’iu afrohet të kuqve me dy pikë tashmë në renditje. Sipas Likës, e rëndësishme ishte fitorja e Tiranës në derbi, e cila nuk erdhi as këtë herë. Për këtë arsye, sulmuesi shpreh keqardhjen e tij, duke përmendur edhe ndjeshmërinë dhe padurimin që kanë tifozët e 24 herë kampionët e vendit për një sukses ndaj Partizanit. Edhe pse nuk ishte në momentin e tij më të mirë, Lika pranon të japë një intervistë për gazetën “Intervista”, menjëherë pas takimit me Partizanin…

 

Eraldo Harlicaj: – Përshëndetje Gilman! Përsëri pa fitore…

Gilman Lika: – Përshëndetje… Nuk ia arritëm përsëri.

– Derbi i 7-të radhazi pa fitore për Tiranën…

– Në fakt, janë shumë. Tifozët e Tiranës presin më shumë nga ne, sidomos në ndeshjet ndaj Partizanit. Në fund të fundit, derbi mbetet derbi dhe dëshira për të fituar është shumë e madhe nga të dyja kampet.

– Kush e dominoi ndeshjen?

– Mendoj se e kemi dominuar takimin si me raste, ashtu edhe me lojë. Tirana dhuroi një paraqitje më të mirë se Partizani në “Selman Stërmasi”. E kishim përgatitur ndeshjen gjatë gjithë javës që ta fitonim, por tani të mendojmë për takimin e radhës.

– Sërish mungon goli…

– Po, por kështu është futbolli. Jo në çdo ndeshje mund të shënosh.

– U pa një tjetër Tiranë ndaj Partizanit. Çfarë kishte ndryshuar në këtë përballje?

– Mendoj se ishte taktika që kishte përzgjedhur trajneri. Çdo ndeshje ka specifikën e vet dhe kjo mendoj se ishte mënyra më e mirë për të arritur rezultatin e kërkuar, pavarësisht se në fund morëm vetëm një barazim.

– Mendoni se nga ky barazim fiton më shumë Skënderbeu?

– Nuk është kjo ajo që na intereson. Nuk e mendojmë fare se cilit i shkon ose jo për shtat rezultati që marrim ne, kundër kujtdo kundërshtari. Na intereson vetëm Tirana dhe pikët e pozicioni që kemi ne në tabelën e klasifikimit.

– Është moment ngushëllimi fakti që frenuat Partizanin, i cili humbet terren me korçarët në renditje?

– Jo, nuk e shoh kështu. Na vjen keq që nuk arritëm të fitojmë ndaj Partizanit. E thashë, na intereson vetëm gjendja e Tiranës.

– Jeni i kënaqur me paraqitjet tuaja në javët e fundit?

– Të them të drejtën, po. Jam ndier mirë dhe shpresoj të jem edhe më mirë për t’i ardhur sa më shumë në ndihmë ekipit. Parësore është të shërbej sa më shumë për shokët e tjerë të ekipit, ndërsa për golat jam i bindur se nëse do të vijoj me këtë ritëm, nuk do të mungojnë.

– Ndihet mungesa e një sulmuesi të mirëfilltë te Tirana?

– Këto janë tema të cilat i takojnë stafit teknik dhe drejtuesve të klubit, pasi ata do të ulen për të biseduar edhe për merkaton në momentin që do të çelet afati i transferimeve në janar. Megjithatë, nëse do të vinte një sulmues, nuk do të ishte keq.

– Objektivi i Tiranës?

– Nuk mendojmë gjë tjetër përveçse të fitojmë ndeshjen e radhës. Kështu ka qenë gjatë kësaj kohe dhe kështu do të vijojë të jetë, sepse duhet të rifitojmë pikët që kemi lënë gjatë rrugës në fillim të kampionatit.

– Luani ndaj Flamurtarit?

– Po luajmë ndaj vlonjatëve dhe mendojmë vetëm për këtë takim. Duhet të rikthehemi te fitorja dhe të marrim tri pikët, pasi duhet të ngjitemi në tabelën e klasifikimit.

– A do të ndikojnë problemet e Flamurtarit në këtë sfidë?

– Si futbollist i Tiranës nuk e mendoj këtë pjesë, pasi më intereson vetëm ecuria e ekipit tim dhe të dal sa më mirë. Besoj se ndikojnë, por nuk do të jetë një sfidë e lehtë për ne. Asnjëherë nuk është e tillë me ekipet e kampionatit shqiptar.

– Ku e shihni Tiranën në fund të kampionatit?

– Këtë nuk di ta them. Ne do të punojmë që të shkojmë sa më lart.

– Kush mendoni se del kampion?

– Përsëri nuk di të jap një përgjigje.

– Si e keni gjetur veten te Tirana?

– Jam përshtatur shpejt me ekipin dhe besoj se me kalimin e kohës do të bëhet edhe më mirë. Jam afruar në merkaton e verës dhe nuk kam dashur shumë kohë që të përshtatem me bardheblutë. Këtu është një ambient i ngrohtë dhe të gjithë ma kanë bërë më të lehtë. Dua t’i falënderoj.

– Keni luajtur edhe kundër Vllaznisë. Si jeni ndjerë?

– Jam profesionist dhe do të luaj kundër ekipit të qytetit tim, por normalisht, është një emocion më i veçantë. Gjithsesi, do t’i përballojmë edhe këto momente. Më vjen keq për gjendjen e Vllaznisë dhe faktin se Shkodra ka disa sezone që po vuan.

– Gilman, do të ndikojë te ti merkatoja e janarit?

– Jo, jam i lumtur te Tirana.

– Ju uroj suksese…

– Faleminderit edhe ju…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *