Anila është një nga figurat më të dashura të ekranit shqiptar, sidomos kur bëhet fjalë për emisionet e pasdites. Sapo ka nisur sezoni i parë i “Rrugëtim me Anilën” me Anila Çelën si moderatore dhe ka ardhur me një fytyrë të re në ekranin e News 24. Anila në këtë intervistë rrëfen të rejat e këtij sezoni dhe shumë gjëra për veten të cilat i tregon me aq çiltërsi sa në fund të intervistës buzëqeshja do jetë vizatuar në fytyrat tuaja!

-Anila, cili ishte mendimi i parë me të cilin u zgjove sot?

-Sot (e dielë) zgjim pa zile gjë, që e shijoj shumë, pasi java është goxha e ngarkuar dhe si me fëmijë të vegjël nuk kam shans të fle pak më shumë në mëngjes. Mendimi i parë ishte: mund të rri edhe pak në krevat më në fund.

-Pasditet e tua tashmë mbajnë një emër: “Rrugëtim me Anilën” në News 24. Cilat janë veprimet rutinë që bën para dhe pas emisionit?

-Para emisionit veprimet rutine janë, kontrolli i skaletës, të pyes nëse kanë mbërritur të ftuarit, vendosja e mikrofonit. Pas emisioni zakonisht janë bisedat me të ftuarit, që vazhdojnë pas kuintave, të vishem me veshjet e përditshmërisë dhe të përshëndes kolegët.

-U bë kohë që je pjesë e televizionit zakonisht me emisione pasditesh. Çfarë ke fituar duke qenë pjesë e tij?

-Kam fituar shumë eksperiencë, jam rritur profesionalisht, kam mësuar të menaxhoj çdo situatë të papritur, kam fituar shumë miq të mirë.

-Ka ndonjë gjë që e bën më të lehtë suksesin?

-Nuk mendoj se suksesi ka recetë. Mund të dështosh kur nuk e pret, dhe mund te kesh sukses pa u lodhur shumë. Puna intensive dhe me dashuri mendoj se janë një nisje drejt suksesit.

-Po të vështirë çfarë e bën?

– Të vështirë suksesin (në botën e medias) e bën konkurenca, interneti që ka sunduar bindshëm. Mungesa e ideve të reja mund ta bllokoje suksesin, gjithashtu edhe publiku, nëse s’të do lodhesh kot. (qesh)

– Personazhi që të ka lënë shijen më të mirë gjatë emisionit tënd të ri, por më pak të tillë?

– Me vitet në këtë profesion kam arritur që pjesën më të madhe të të ftuarve ti kem miq shumë të mirë. Jam shumë e lumtur që pranojnë me kënaqësi ti bashkohen studios. Kjo më mbush plot energji dhe na e bën punën më të lehtë. Unë i vlerësoj të gjithë që lënë angazhimet e tyre të ditës dhe vijnë në studio televizive (kushdo qoftë ajo/ai). Ka ndonjë rast të rrallë që ta bën punën e vështirë, për shembull në rast kur nuk janë korrekt me orarin, duke qenë live nuk është e lehtë të marrësh masa në çdo rast të tillë. Por, gjithsesi kalon…

– Ndodhesh në një qytet ku s’të njeh njeri… Çfarë do të bëje diçka që nuk mund ta bësh zakonisht kur je në vendin tënd?

-Unë jetoj shumë e lirë dhe pa komplekse, nuk dal në rrugë me idenë që më njohin. Ndoshta do të këndoja me zë të lartë në mes të shiut.

-Kush është njeriu i fundit që i thua “Natën e mirë”? Po “Mirëmëngjes”?

-Natën e mirë, bashkëshortit. Mirëmëngjes dashuri, djalit të vogël, nga ai e nis zgjimin e familjes. (qesh)

-Je tip që më shumë kërkon falje apo fal?

-Nuk e kam menduar ndonjëherë, por mendoj se jam tip që më shumë fal.

-Kujt i ke kërkuar falje së fundi?

-Mikeshës sime, pasi më duhet të anuloja takimin tonë të rradhës.

-Nëse ka diçka të pamundur, cila është ajo?

-Të kthej kohën pas.

-Çfarë të bën të ndihesh mirë?

-Shtëpia ime, familja ime, një libër, një xhiro.

-Çfarë ta prish humorin?

-Arroganca, keqdashja.

-Cilin emocion nuk do të arrije ta shpjegoje dot me fjalë?

-Emocionin e të bërit nënë.

-Me kë të shijon një kafe e mirë?

-Me Vilmën, mikeshën time.

-Je vonë për diku… Si justifikohesh?

-Nuk para më ndodh, pasi jam shumë korrekte. Nëse ndodh do të ketë një arsye, ndaj them arsyen e vërtetë.

-Paragjykon apo përpiqesh gjithmonë t’i kuptosh të tjerët?

-Përpiqem ti kuptoj të tjerët. Nëse paragjykoj e quaj “përshtypje fillestare” gjë që përgjithësisht nuk më zhgënjen nuhatja.

-Çfarë nuk do të kishe guximin ta bëje kurrë?

-Të largohesha për kohë të gjatë nga fëmijët e mi.

-Çfarë do të doje të të ndodhte nesër?

-Asgjë e veçantë, të jem mirë bashkë me njerëzit e mi të dashur.

-Cila është lumturia për ty?

-Lumturia është koha që kaloj me familjen time, është një bisedë me miqtë, është një telefonatë, një mesazh i papritur, një vlerësim në punë. Ka shumë mënyra për tu ndjerë e lumtur.

-Në jetë duhet të bëjmë atë që na bën të lumtur apo atë që duhet bërë?

Në jetë duhet të bëjmë atë, që na bën të lumtur, dhe nëse përkon edhe me atë, që duhet bërë, lumturia bëhet e shumëfishtë.

-Jeta do të ishte e mërzitshme pa…

-Pa njerëzit e shtrenjtë.

-Çfarë do të të bënte të humbisje qetësinë?

-Mungesa e sinqeritetit.

-Nga gjithçka që të rrethon, çfarë të duket më e çuditshme?

-Fëmijët, ende kur i shoh nëpër shtëpi pyes veten: si u rritën kaq shpejt. (Buzëqesh)

-Në këtë moment ngërçi jete, do të doje një biletë avioni për ku?

– Oh kudo, vjeshta është ideale për udhëtime… Në një vend pa Covid për shembull.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *