Sipas rezultateve të kërkimeve shkencore të një grupi studiuesish të Universitetit të Ekseterit në Angli, ka dalë se panxhari i sheqerit është një nga bimët më të vlefshme për ushqimin e njerëzve. Eksperimentet kanë treguar se lëngu i tij mund të shërbejë si burim energjie; ai e rrit rezistencën e organizmit njerëzor afro 16% më shumë se lëngjet më të mira të frutave dhe të perimeve, duke shtuar në këtë mënyrë aftësinë e konsumatorit për të përballuar ngarkesa të mëdha fizike dhe duke e ndihmuar atë të jetë më aktiv në jetë. Kjo ndodh sepse në përbërjen e kësaj perimeje ka disa kripëra minerale që pakësojnë djegien e sasive të oksigjenit në organizëm, duke shtuar kështu aftësinë e këtij të fundit, për të ruajtur energjitë njerëzore.

Sipas pohimeve të studiuesve, një efekt të tillë nuk e jep asnjë nga perimet e tjera, madje as mjetet e tjera artificiale që ka shpikur njeriu. Shkencëtarët pohojnë se ky zbulim do t’u shërbejë jo vetëm njerëzve të thjeshtë, por edhe sportistëve profesionistë për të vendosur rekorde të reja. Lëngu i panxharit të sheqerit është dopingu më i mirë për t’u dhënë atyre energji në rrugë sa më të natyrshme. Eksperimentet e mëtejshme kanë treguar gjithashtu se ai mund të përdoret si ilaç kundër çrregullimeve metabolike, për shërimin e sëmundjeve të zemrës dhe të enëve të gjakut, si dhe kundër sëmundjeve të sistemit të frymëmarrjes. Gjatë studimeve, shkencëtarët bënë eksperimente me një grup meshkujsh të moshës 19-38 vjeçare. Për gjashtë ditë me radhë, atyre u dhanë për të pirë vetëm lëng panxhari, nga gjysëm litri në ditë dhe pastaj, ata iu nënshtruan disa testeve fizike. Pas disa javësh, testet u përsëritën me lëngje të tjera. Doli ajo që pritej: Pas kurës me lëng panxhari, treguesit për të përballuar ngarkesa të mëdha fizike ishin shumë më të lartë. Më e rëndësishmja është se ky lëng të ngre shumë humorin. Mjekët nuk janë ende në gjendje të shpjegojnë me hollësi të gjithë mekanizmin e këtij ndikimi pozitiv të lëngut të panxharit mbi organizmin e njeriut, por sidoqoftë, rezultatet pozitive duken sheshit. Kërkimet po vazhdojnë. Meqë ra fjala, shkencëtarët theksojnë se gjatë eksperimenteve te pjesëmarrësit nuk u vu re asnjë ngritje e tensionit të gjakut. Ata e ndjenin veten më mirë nën ngarkesat më të larta dhe tensioni i tyre qëndronte brenda normave. Pati raste kur pjesëmarrësit patën anomali në tensionin e gjakut dhe, gjatë kurës, ato u zhdukën. Përdorimi i përditshëm i lëngut të panxharit, sjell uljen e tensionit të lartë një orë pas marrjes së tij. Pas tre-katër orësh, ulja arrin pikën e normalitetit dhe gjendja zgjat kështu për 24 orë rresht. Kjo mbase do të jetë rruga më e lehtë e shpëtimit për miliarda hipertonikë në botë sepse, sikurse dihet, më shumë se 25% e popullatës së globit vuan nga tensioni i lartë arterial, aq më tepër që pikërisht tensioni konsiderohet si një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve të zemrës. Prej tij ndodhin 50% e infarkteve dhe 75 % e insulteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *