Nuk e di nëse do mund të tregoj gjithçka që kam kaluar apo ndjerë në krah të atij njeriu që nuk gjej dot fjalë ta përshkruaj. Isha vetëm 15 vjeçe kur prindërit vendosën të më fejonin. Sot jam 25 vjeçe, më quajnë Ela, jetoj në Londër dhe ende nuk e kam kaluar stresin, makthin dhe, bashkë me këto, edhe vdekjen e të dy prindërve të mi. Të gjitha këto ai njeri m’i la peshqesh për ato 3 vite që ne jetuam bashkë. Nuk doja në mënyrë absolute të fejohesha, por më vinte keq për prindërit se i kisha të sëmurë dhe nuk doja të bëheshin edhe më keq. Koha dhe vitet treguan që unë do bëhesha shumë më e pjekur se shoqet e mia, do të rritesha para kohe. Ai nuk ishte shumë i pasur, por nuk i mungonte asgjë, ndërsa mua dhe familjes sime na mungonin shumë gjëra. Nuk e di se kush ia propozoi babit tim atë njeri, por unë e mallkoj me gjithë shpirt kushdoqoftë. Unë, ende fëmijë, ndërsa ai, 10 vjet më i madh se unë. U fejuam. Ai në fillim nuk vinte shumë, ndërsa më pas, filloi të vinte në shtëpinë tonë dhe bënte sikur të na kishte blerë sepse sillte ushqime dhe paguante shpenzimet tona më të mëdha. I bleu babait tim telefon dhe disa gjëra të tjera. Ai nuk kishte ndërmend të më merrte te shtëpia e tij, por një ditë vendosi të transferohej në shtëpinë tonë, me pretekstin se do na qëndronte afër dhe se do na përgjigjej për gjithçka, meqë prindërit e mi ishin të sëmurë. Ai ishte shumë i ashpër e skeptik dhe për çdo gjë, thoshte se ishte bërë keq. Sipas tij, ai që e bënte keq, qofsha kjo edhe unë, duhet të dënohej. Babai dhe nëna ime sa vinin e po treteshin dhe unë nuk kisha ç’të bëja, nuk kisha asgjë në dorë. Kaluam kështu 3 vjet bashkë dhe bashkëjetesa me të po bëhej e padurueshme. Një ditë erdhi shumë i inatosur në shtëpinë tonë dhe më tha mua që të bëhesha gati, të merrja disa rroba me vete dhe i nxori babait një letër. Mbaj mend se si iu hakërrye atij dhe po e kërcënonte, duke i thënë që nëse nuk e firmoste atë letër, do mbante pasojat, ai do ikte nga shtëpia dhe do na linte pa asnjë ndihmë. Nga njëra anë kur dëgjova ato fjalë ndjeva një gëzim të madh në zemër sepse të paktën do çlirohesha nga kthetrat e një njeriu të sëmurë që nuk linte asnjë mënyrë dhune pa përdorur tek unë, ndërsa nga ana tjetër, trembesha se mos ikte ai dhe na linte pa asnjë qindarkë sepse unë nuk i kisha mbushur ende tetëmbëdhjetë vjetët dhe ai nuk më linte të punoja. Ai ishte shumë xheloz. Qoftë edhe te dera të dilja unë, ai çmendej dhe fillonte dhuna, në sy, në fytyrë e ku të mundte. Pra, po ju thoja, ai po kërcënonte babain dhe unë nuk po kuptoja asgjë. Babai ia preu shkurt që nuk do ta firmoste dhe ai, pasi shtyu babain tim mbi divan, doli nga shtëpia si i tërbuar. Pasi u sigurova që ai ishte larg shtëpisë, iu afrova babait dhe duke qarë e duke e përqafuar, e pyeta se çfarë kishte ndodhur. Mes lotëve, babai më kërkoi falje që më kishte shkatërruar jetën, sepse e dinte shumë mirë që unë gjithçka e kisha bërë për ta, gjithçka e kisha sakrifikuar për ta. Nuk mund të ndalnim lotët as unë e as ai dhe, mes ngashërimesh, më tregoi që ai donte firmën e babait ku vërtetohej se ai kishte marrë leje që të më merrte me vete në Itali sepse unë ende nuk kisha mbushur tetëmbëdhjetë vjeçe dhe duhej leja e njërit prej prindërve që unë të udhëtoja me një të huaj. Unë, në gjendje civile, figuroja beqare sepse ne nuk kishim bërë asnjë lloj celebrimi. Më dhimbte në shpirt kur e shihja babain tim që ecte me shkop dhe mamanë time që vuante në shtratin e vdekjes nga një sëmundje zemre. Ai kishte ikur si i çmendur dhe unë me zemër uroja të mos kthehej kurrë. I thashë babait që, nëse ai donte, unë do shkoja me të, sepse më pikonte në zemër t’i lija pa ndihmë prindërit e mi. Babai nuk pranonte në asnjë mënyrë, madje e ndjente veten fajtor për të gjitha torturat që kisha kaluar unë dhe, për më tepër, të gjitha ishin bërë në sy të tyre. Nuk e doja veten. U ula në divan pranë babait dhe, pasi u mendova gjatë, e vendosa që nuk do ta pranoja më në shtëpi. Unë nuk kisha asnjë të metë që të mos punoja vetë dhe ta mbaja vetë familjen time. E sigurtë te vetja, lajmërova një familjarin tim që nëse do ta merrte babai im në telefon, ai duhet të lajmëronte policinë, pa i treguar detaje sepse do t’i shpjegoja gjithçka më vonë. E dija që pas atij vendimi, gjërat nuk do të shkonin mirë. E prita dhe, me qetësinë më të madhe, i thashë që ai duhet të largohej dhe se unë nuk do shkoja atje ku donte ai, që të më nxirrte rrugëve, ashtu si pjesa më e madhe e moshatareve të mia në atë kohë. Nuk do t’i lija kurrë prindërit e mi. Ai u çmend, erdhi drejt meje dhe filloi të më gjuante me sa kishte fuqi. Babai që pa të gjithë skenën, mori në telefon personin që kisha lajmëruar unë dhe, për disa çaste, policia mbërriti në shtëpinë tonë. Unë e denoncova atë për dhunë dhe, pas deklarimeve të mia, policia më sugjeroi ta denoncoja edhe për tentativë për shfrytëzim të miturash për prostitucion. Ashtu bëra, me gjithçka u mor policia, ai doli në gjyq dhe e dënuan me shumë vite burg. Unë nuk e mora veten shpejt, por pas disa kohësh, një shoqja ime e fëmijërisë më gjeti punë në një parukeri, si ndihmëse. Dy vjet më vonë prindërit e mi ndërruan jetë; në fillim mamaja dhe më pas, babai. Ishin goditjet më të mëdha të jetës time; nuk krahasohen me goditjet që mora prej tij, për tre vjet. Tani jetoj në Londër, me një shoqe, e cila më mori nga Shqipëria dhe më risolli në jetë sepse unë nuk kisha më asnjë arsye për të qëndruar atje. Tani punoj në një qendër estetike këtu në Londër, pasi bëra edhe një kurs për estetikë. Tani punoj dhe jetoj, edhe pse më mungojnë dy njerëzit më të rëndësishëm të jetës time.

Ela Londër

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *