1. Avokat, unë që po ju shkruaj jam Armando nga Tirana por me banim në Gjermani. Kam disa vite që jetoj në Gjermani dhe i kam plotësuar të gjitha kriteret për të marrë shtetësinë gjermane. Republika Federale Gjermane nuk i lejon dy shtetësi ndaj dhe unë dua të heq shtetësinë shqiptare. A mundet të heq dorë nga shtetësia shqiptare dhe a merret zyra juaj me këtë procedurë?

 

Përshëndetje zoti Armando, ju falenderoj për letrën dërguar rubrikës “ju pyesni, avokati përgjigjet”! Gjermania, ndryshe nga vendet e tjera të Bashkimit Europian apo dhe shteteve të tjera të cilat nuk janë pjesë e Unionit Europian nuk e lejon dy shtetësin. Pra, marrja e shtetësisë gjermane e bën të detyrueshme heqjen dorë nga shtetësia shqiptare. Ndonëse kohët e fundit është zhvilluar debat i gjerë publik lidhur me ndryshimin e këtij kriteri me ndryshime ligjore. Por, akoma nuk është ndërmarrë një nisëm ligjore nga Kuvendi i Republikës Federale Gjermane. Në këto rrethana, është e pamundur mbajtja e dy shtetësisë, pra marrjen e shtetësisë së Republikës Federale Gjeramane duke patur në të njëjtën kohë edhe shtetësinë e Republikës së Shqipërisë.

Për të kryer procedurën e kërkuar nga ju, pra heqjen e shtetësisë shqiptare, fillimisht duhet të autorizoni një avokat nëse nuk do të jeni prezent për kryerjen e procedurës për heqjen e shtetësisë shqiptare. Rregullimi ligjor për heqjen e shtetësisë e bën ligji nr. 8389 datë 5.8.1998 “Për Shtetësinë Shqiptare”.

Ky ligj përcakton se: Shtetësia shqiptare është një lidhje e qëndrueshme juridike, që shprehet në të drejtat dhe detyrat e ndërsjellta të personit fizik dhe të shtetit shqiptar. Shtetësia shqiptare fitohet, rifitohet, humbet apo lihet në përputhje me dispozitat e këtij ligji, i cili respekton normat e parimet e njohura të së drejtës ndërkombëtare në fushën e shtetësisë të pranuara nga Republika e Shqipërisë.

Askujt nuk mund t’i hiqet arbitrarisht shtetësia shqiptare. Çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të heqë dorë nga shtetësia shqiptare me kusht që të ketë një shtetësi tjetër, të ketë fituar një shtetësi tjetër apo t’i jetë garantuar nga organet kompetente të shtetit të huaj dhënia e një shtetësie tjetër.

Fitimi dhe rifitimi i shtetësisë shqiptare, si dhe heqja dorë prej saj, nga të miturit bëhet me miratimin e prindërve. Çdo ndryshim në shtetësinë e të miturve, të moshës 14-18 vjeç, bëhet duke marrë edhe pëlqimin e fëmijës.

Kërkesa për fitimin, rifitimin ose heqjen dorë nga shtetësia shqiptare paraqitet në organet e Ministrisë së Rendit Publik të vendbanimit të personit ose, në rast se personi banon jashtë shtetit, në përfaqësitë diplomatike ose konsullore të Republikës së Shqipërisë jashtë shtetit e shoqëruar me dokumentet e kërkuara.

Në rast se dokumentet e nevojshme nuk janë të plota, organet kompetente, brenda një muaji, i’a kthejnë kërkuesit për plotësime të mëtejshme.

Ministria e Rendit Publik brenda 6 muajve nga dita e paraqitjes së kërkesës së individit, në bazë të kushteve të përcaktuara në ketë ligj për fitimin, rifitimin ose humbjen e shtetësisë shqiptare, vendos për paraqitjen ose jo të kërkesës për fitimin, rifitimin ose humbjen e shtetësist pranë Presidentit të Republikës.

Kërkesa e Ministrisë së Rendit Publik shoqërohet me dosjen e plotë individuale te kërkuesit. Vendimi për bërjen ose jo të kërkesës nga ana e Ministrisë së Rendit Publik i bëhet e njohur subjekteve të interesuara, të cilat, në rast se nuk jane dakord me përmbajtjen e tij, mund të ngrenë padi në gjykaten e rrethit Tiranë.

Presidenti i Republikts, brenda 3 muajve nga paraqitja e kërkesës së Ministrisë së Rendit Publik, nxjerr dekretin përkatës. Në rast se kërkesa nuk është e plotë, materiali i kthehet për t’u plotësuar Ministrisë së Rendit Publik brenda 1 muaji nga dita e paraqitjes.

Kopje e dekretit për fitimin ose humbjen e shtetësisë shqiptare u dërgohet Ministrisë së Rendit Publik dhe Ministrisë së Drejtësisë për të bërë veprimet e duhura. Dekreti botohet në Fletoren Zyrtare.

Personit që ka fituar shtetësinë shqiptare i jepet dokumenti përkatës, ndërsa atij që e ka humbur shtetësinë shqiptare i jepet një dokument identifikimi i përkohshëm.

Në përfundim të këtij arsyetimi, nëse ju i plotësoni të gjitha kërkesat për të fituar shtetësin gjermane, mund të autorizoni një avokat për të ndjekur procedurat për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare. Studio Ligjore “Duraj” përveç trajtimit të rasteve të tjera, është e specializuar për kryerjen e procedurave ligjore për të cilat ju jeni i interesuar. Për më shumë informacion mund të kontaktoni me e-mailin tonë!

(Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista” të kësaj jave. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *