Sa herë që takohem me Andosin, më pëlqen mënyra se si ai flet me aq dashuri për muzikën. Nëse shumë artistë e shohin muzikën si mjet jetese, tek ai ndodh e kundërta; Andosi së pari realizon muzikë për të kënaqur veten dhe më pas, fansat e tij. Sa i përket stilit të muzikës, ai gjithmonë mundohet të jetë sa më afër prodhimeve evropiane, amerikane, etj. Me shumë pasion tregon se në këngët e tij i luan vetë të gjitha instrumentet muzikore përveç baterisë, pra, një përkushtim tejet i madh dhe tepër serioz në çdo material që ai realizon në studion e tij në Kosovë. Në intervistën e mëposhtme, Andosi ka zbuluar gjithçka rreth realizimit të videoklipit të ri të këngës “Dëgjo zemrën time që të don”, të rejat rreth albumit muzikor, por edhe preferencat e tij për femrën ideale…

Ai është një ndër kantautorët më të suksesshëm nga Kosova. Karrierën e nisi në vitin 2000 si kitarist me grupin “7 me 7”, ku qëndroi tre vjet. Më pas u bashkua me Mentor Hazirin, duke formuar grupin “Kthjellu”, ku qëndroi për katër vite me radhë (2003-2007) si kitarist dhe njëkohësisht tekstshkrues i materialeve të njohura “Mundohem të harroj”, “Doja të ishe ajo”, “Kërkoj”, “Pafundësia”, “Hera e fundit”, etj. Në vitin 2007 ishte koha e duhur kur Andosi u bind se duhet të bënte karrierë si solist. Puna e parë si kantautor erdhi në bashkëpunim me Naim Bunjakun (Xuxin) me këngën “Free spirit” dhe pas kësaj, çdo këngë e tij e punuar me pasion dhe profesionalizëm, ka marrë suksesin e merituar.

Sava Lena: – Përshëndetje Andos dhe urime për këngën tënde më të re “Dëgjo zemrën time që të don”! Kishte ndonjë burim të veçantë frymëzimi kjo këngë?
Andos Sinani: – Nuk kishte ndonjë burim të veçantë, ishte thjesht një burim i zakonshëm, por i punuar me shumë kujdes dhe për këtë arsye më ka marrë mjaft kohë, derisa u sigurova që gjithçka ishte mirë si nga ana melodike, ashtu edhe sa i përket tekstit të këngës.
– Realizimi i videos në shkretëtirë, tregon gjë për shkretëtirë në shpirtin e vajzës?
– Jo, aspak! Në të vërtetë, ndodhesha për pushime në SHBA dhe aty më lindi ideja për videoklipin. Një nga dëshirat e mia në jetë ka qenë që të vizitoja shkretëtirat e Amerikës Veriore dhe në momentin që m’u dha mundësia të shkoja, mendova t’i bashkëngjisja edhe këto imazhe të mrekullueshme me melodinë time.
– Ndërsa shihja videon e kësaj kënge, isha gati të të thoja: “Kujdes more djalë se mos biesh!”. Si guxove të ngjiteshe në trungun e asaj peme të thatë?!
– Trungu i asaj peme më ra në sy menjëherë dhe mu duk diçka shumë interesante. Realisht, ke të drejtë, ishte shumë e rrezikshme, por nuk mund ta lija pa e bërë një xhirim aty, sado që kam rrezikuar… Tani ndihem vërtet mirë sa herë e shoh atë videoklip.
– Hase momente të tjera të vështira përgjatë xhirimit të videoklipit?
– Përveç kohës, pasi frynte shumë erë dhe binte shi ndonjëherë, vështirësi të tjera specifike nuk kam patur. Më ka mbetur vetëm një merak shumë i madh, që nuk pata me vete një dron që të xhiroja nga lart. Shpresoj që në ndonjë videoklip të ardhshëm të sjell diçka më interesante se këtë herë.
– Po momente të bukura?
– Besoj se vetë videoklipi shfaq dhe reflekton shumë momente të bukura.
– Si po ecën puna me studion tënde?
– Do të mundohem të sjell albumin tim këtë vit, ndërsa gjatë kësaj vere besoj se do të vij me një këngë tjetër të re. Jam duke menduar për momentin se cilën këngë nga materialet e mia, të përzgjedh për ta regjistruar.
– Kënga e famshme “Mundohem të harroj” e grupit Kthjellu është shkruar nga ti. A bën pjesë në repertorin tënd kjo këngë në ditët e sotme?
– Tekstin e kemi bërë bashkë me Mentorin, po sigurisht, ka raste që bën pjesë edhe në repertorin tim…
– Cila pjesë e këngës është më e vështira për t’u realizuar?
– Teksti.
– Cilat janë synimet e tua me muzikën në vazhdim?
– Unë jam gjithmonë me shpresën që të bëj këngë sa më të mira.
– Do të të kemi pjesë të festivaleve?
– Të shohim, ndoshta…
– Për çfarë arsyeje do të hiqje dorë nga muzika?
– Nga muzika nuk dua të heq dorë kurrë, por kjo gjë mund të ndodhë vetëm për arsye ndoshta familjare ose shëndetësore.
– Dhe, cili është profesioni i dytë që do ta bëje me po aq pasion sa muzika?
– Do të isha arkitekt ose astronaut.
– Ke ndonjë dedikim apo falënderim për të bërë veçanërisht?
– Falënderoj shumë shkretëtirat e Arizonës që ma kanë zbukuruar videoklipin. Falënderoj gjithashtu Kushtrim Junikun (KUJU Studio, Tiranë) për super montazhin e videoklipit, si dhe motrën time, Kadisha Sinanin, për finalizimin e tekstit të këngës. Shpresoj që t’ju pëlqejë kënga dhe videoklipi. Ju premtoj se materiale gjithmonë e më të bukura do të vijnë në vazhdim.
– Çfarë do të shtoje së fundi?
– Dërgoj një përshëndetje për të gjithë adhuruesit e muzikës sime, por edhe një falënderim për ty Sava, për përkrahjen që më jep gjithmonë.

Si do të ishte partnerja jote?

– Partneren tënde do ta zgjidhje muzikante?
– Atë gjë nuk mund ta kontrollosh dot.
– Mund të jetë partnerja jote një adhuruese e muzikës tënde?
– Pse jo?!
– Më mirë një brune apo një bjonde?
– Ngjyra e flokëve nuk ka rëndësi.
– E pasur apo e varfër?
– As kjo nuk është e rëndësishme në një marrëdhënie.
– Xheloze apo indiferente?
– Indiferente, por ku ka dashuri, sigurisht që ka edhe xhelozi.
– Më të mira janë vajzat nga Shqipëria apo nga Kosova?
– Kemi femra shumë të bukura si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *