– Jam lexuese e rregullt e kësaj rubrike. Problemi që kam unë është dhjami që kam në bark. Jam e dobët përgjithësisht sepse bëj aktivitet fizik jashtë në natyrë, vrapoj, i jap biçikletës etj., por barku më ka ngelur. Si ta heq dhjamin me ushqime apo ndonjë ushtrim në veçanti? Ju falënderoj dhe jam në pritje të përgjigjes tuaj.
Mario, instruktor: – Së pari, do t’ju sugjeroja të mos hiqni dorë nga ushtrimet që i përmendni edhe vetë ju, siç është vrapi dhe biçikleta. Të dyja këto, që hyjnë tek ushtrimet kardio, ndihmojnë shumë në heqjen e dhjamit në bark. Por, duke qenë se ju nuk jeni ende e kënaqur me fizikun tuaj, kombinojini ushtrimet edhe me një regjim ushqimor. Unë do t’ju ilustroj disa përbërës të cilët ndihmojnë shumë në heqjen e dhjamit, sidomos te pjesa e barkut.
– Në mëngjes është mirë të konsumoni 2 lugë tërshërë të tretur në kos pa yndyrë dhe një lugë çaji fara liri. Farat e lirit mund t’i gjeni edhe në formen e vajit dhe të pini çdo ditë esëll 1 orë para ngrënies, 2 lugë të vogla kafeje me vaj. Kjo përbërje, përveçse është shumë ushqyese dhe përmban shumë fibra, ndihmon në shkrirjen e dhjamit në bark dhe për më tepër, ju jep energji për pjesën tjetër të ditës. Do t’ju sugjeroja gjithashtu boronicat, të cilat janë të pasura me antioksidues dhe janë kundër çdo lloj inflamacioni. Studimet e fundit kanë arritur në rezultatin se boronicat si në formën e çajit, ashtu edhe të konsumuara drejtpërdrejt, ndihmojnë në reduktimin e dhjamit të barkut dhe sulmojnë shumë sëmundje të zemrës, diabetin etj. Konsumoni kosin, siç e përmendëm edhe më lart, por mundësisht, pa yndyrë. Sipas studimeve të fundit, ky përbërës është shumë efikas dhe lufton dhjamin trupor, sidomos atë që mblidhet në bark dhe kjo për shkak të kalciumit dhe të aminoacideve që përmban.
– Së fundmi, do t’ju këshilloja të përdorni spinaqin sa më shpesh të jetë e mundur. Mund ta përdorni të zier, të kombinuar me fileton e pulës, apo në formë sallate. Në çdo lloj forme ta përdorni, spinaqi është shumë i mirë sepse është burim i vitaminës C dhe i hekurit. Spinaqi lufton hormonet e stresit, i cili dihet se ndikon shumë në krijimin e dhjamit në trup edhe te femrat, më shumë te pjesa e barkut. Pra, spinaqi redukton stresin veç efekteve të tjera pozitive që ka mbi shëndetin dhe fizikun tonë.
– Për ta mbyllur, do t’ju këshillja të bëni sa më shumë ushtrime në tapet, përveç ushtrimeve kardio. Ushtrimet e barkut janë shumë të rëndësishme dhe pas çdo seance ushtrimesh, ato duhet të mbyllin orën e stërvitjes. Ushtrimet e barkut nuk duhet të lihen kurrë pas dore, duhet t’i bëni çdo ditë, mundësisht. Duke ndjekur këtë regjim ushqimor dhe ushtrimet përkatëse, do të shikoni rezultate pozitive shumë shpejt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *