Nuk emocionohem më, kur shkruajnë për mua

 

Elita bukuroshja e “Expres rozë’ është ndër moderatoret më të lakuara për momentin. Në emisionin e saj ka intervistuar shumë nga personazhet më të njohura shqiptare, por këtë herë vihet vetë në rolin e të intervistuarës. Ne zgjodhëm të bënim një nga ato bisedat me pyetje flesh për të mësuar sa më shumë rreth karakterit dhe tipit të Elitës e cila, siç thotë edhe vetë, e gjeti mjaft mirë veten në këto pyetje. E bukur, e zgjuar, e shkathët… Çfarë tjetër? Mësojeni në këtë intervistë…

 

Mia Buci: – Elita, përshëndetje! Si ka nisur dita për ty sot?

Elita Rudi: – Si çdo ditë, jam zgjuar shumë herët, për shkak të angazhimeve që kam me emisionin. Orët e para të mëngjesit i kalova në sallonin e bukurisë Sellma dhe Kaçi, për shkak të xhirimeve që fillonin në orën 10.00. Kështu ka nisur dhe ka përfunduar dita ime, me punë e tani që ora po shkon drejt mesnatës, unë ende jam me punë, duke iu përgjigjur pyetjeve të Mias. (Buzëqesh)

– Cili ishte lajmi i parë rozë që mësove sot?

– Mësova se gruaja e të madhit Sabri Fejzullahu, Nera, ka kënduar shumë bukur, por pas lidhjes me Sabriun ajo e la këngën. Këtë lajm e mësova nga vetë këngëtari Sabri Fejzullahu, i cili ishte mysafiri im në studio sot.

– Në emisionin tënd “Ekspress rozë”, shtylla kryesore janë lajmet e shoubizit dhe të ftuarit VIP. Çfarë synon realisht ai?

– “Express rozë” u themelua nga disa entuziastë të gazetarisë, të bashkuar rreth idesë që t’i ofrojnë teleshikuesit një qasje më kreative të informimit për shou bizin shqiptar.

– Duke qenë pjesë e këtij lloji emisioni, a bëhesh edhe ti pjesë e shoubizit padashur? Të pëlqen kjo?

– Para se të bëhesha pjesë e emisionit “Express Rozë” më kanë penguar lajmet që janë shkruar për mua. Por, tani që jam pjesë e Express Rozë, kam filluar të përshtatem me botën e shou bizit, lajmet më duken më normale dhe i marr pa emocione.

– Ç’më thua për historinë me basketbollistin Dardan Berisha?

– Aq sa audienca duhet të dijë për këtë çështje, unë e kam treguar edhe atë publikisht. Tani po bëhet një kohë e gjatë që kjo lidhje ka përfunduar dhe i takon së kaluarës sime.

– Nëse bëjmë një krahasim mes shoubizit kosovar, maqedonas dhe atij shqiptar, çfarë mund të themi për secilin?

– Nuk ka shumë dallime. Skena shqiptare tashmë është pothuajse e tëra e bashkuar dhe kjo falë medias, që i ka bashkuar të gjithë artistët shqiptarë. Të gjithë së bashku jemi kontribues, pasi që tani është ndërtuar një skenë e vetme, e mirëfilltë e shoubizzit mbarëshqiptar.

– Cili është tipari që vlerëson më tepër te dikush dhe cili, vesi që s’e toleron kurrsesi?

– Tipari që më pëlqen më së shumti është sinqeriteti, por edhe pozitiviteti i njerëzve, kurse nuk i dua fare afër vetes njerëzit fallco.

– Çfarë bën Elita në shtëpi?

– Kur jam në shtëpi, i përkushtohem familjes sepse tërë ditën e kaloj në punë.

– Bën punë shtëpie?

– Përveç punëve të shtëpisë duke i ndihmuar mamit, do të habiteni se sa e zonja jam në kuzhinë!

– Të kujtohet puthja e parë?

– Po! Ishte një puthje e paharrueshme, shpirtërore, e sinqertë që nuk mund të vijë nga kush tjetër përpos nënës sime. (Buzëqesh)

– Mendimi yt për figurën e femrës sot në Shqipëri…

– Femra shqiptare e ka kaluar fazën e errët dhe tani në shekullin e ri kemi një femër shumë moderne, punëtore e cila di të bëjë edhe ndryshime në shoqërinë tonë.

– Po raportet femër-mashkull?

– Edhe këtu shqiptarët po shkojnë drejt modernizimit. Të rinjtë kanë filluar të vetëdijësohen, por mendoj që edhe femrat, edhe meshkujt duhet të kenë sjellje të ndershme dhe reciproke karshi njëri-tjetrit. Këto raporte po na çojnë drejt të drejtave të barabarta të femrës me mashkullin.

– Një mashkull duhet të jetë…

– Tiparet kryesore që duhet të ketë një mashkull janë sinqeriteti dhe morali. Ama, këto të dyja nuk mund të ndërtohen pa një dashuri.

– Shoqërohesh me dikë momentalisht?

– Jo. I jam përkushtuar e tëra punës!

– Çfarë ta bën të afërt një person?

– Sjellja dhe përkushtimi i sinqertë më bën që ta ndjej më të afërt një person!

– Çfarë të bën të ndihesh e bukur?

– Kur puna ime rezulton e suksesshme, ndihem e bukur shpirtërisht.

– Për çfarë gjërash ndjek instinktin dhe për çfarë, arsyen?

– Unë patjetër që e ndjek instinktin, por nuk e ndjek pa arsye. Edhe këtu gjithmonë kërkoj ta gjej një të mesme.

– Fakti që të njohin, ka bërë që…

– …përkushtimi im dhe vendosmëria për karrierën më bën të arrij këtu ku jam tani.

– Për çfarë ndodh të dalësh e gëzuar nga shtëpia?

– Për familjen!

– Cilat janë fjalët e duhura për të të përshkruar ty?

– Besoj që deri me tash, lexuesi do të mund ta ketë krijuar një imazh për mua. Besoj se u kam lënë mjaft imagjinatë atyre.

– Gjërat ia lë në dorë fatit, apo është më mirë t’i marrësh vetë në dorë?

– Në epokën tonë, timonin e fatit duhet ta drejtosh vetë.

– Ke nevojë për dashuri sepse…

– …është ndjenja më e bukur në botë kur ke pranë një person që të do dhe të respekton, të përkëdhel dhe të ngroh me praninë e tij…

– Ndonjëherë, ke frikë nga dashuria ngaqë…

– Frikësohem se nuk do të mund ta takoj personin ideal apo mbase idealja nuk ekziston… Hëm..

– Do kishe qenë vajza më me fat në botë, nëse…

– …do të arrija qëllimet që i kam vënë vetes…

– Çfarë bën kur pendohesh për një gabim?

– Mundohem që të mësoj nga ai gabim dhe të mos e përsëris më!

– Ke arritur të kapësh gjithmonë momentin e duhur në jetë e karrierë?

– Ende jam e re… Ndoshta kësaj pyetjeje do të mund t’i përgjigjem më mirë pas disa viteve… Por, për moshën që kam deri më tash, në bagazhin tim numëroj një mori suksesesh në një spektër të gjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *