Andrea Vesho është një djalosh nga Vlora që punon e jeton prej shumë vitesh në Greqi dhe që pasioni për muzikën e përkushtimi i tij e kanë bërë që të arrijë të integrohet në tregun muzikor. Kënga e parë e tij “Mos harroni Shqipërinë” e lançuar në vitin 2012, ka qenë një këngë ku ka shpalosur qartë dashurinë e këngëtarit dhe të gjithë emigrantëve për atdheun, dashuri që ai e ka pasqyruar përmes këngës. Shumë shpejt, Andrea do të sjellë për publikun tre projekte të reja muzikore…

 

Fabjola Kuburi: – Andrea, përshëndetje dhe mirëserdhe në faqet e gazetës sonë! Amund të bësh një prezantim për lexuesit e “Intervista”?

Andrea Vesho: – Përshëndetje! Unë vij nga një familje që e ka trashëgimi muzikën. Jam me origjinë vlonjate dhe muzikën e kam dashur që në fëmijëri. Kur erdha në Greqi u njoha me një njeri që e kam shumë mik, Dashamir Vrapin, i cili, kur më dëgjoi të këndoja, më dha kurajo dhe më mbështeti për t’u marrë me muzikë dhe për të mos e lënë pas dore atë. Kështu, derisa lançova këngën time të parë.

– Pra, ti punon dhe jeton në Greqi…

– Po, unë jetoj prej vitesh në Greqi dhe punoj në të njëjtën kohë këtu.

 – Si iu fute rrugës së muzikës?

– Kam integruar në muzikë duke kënduar fillimisht këngët e njohura të kolegëve të mi. Kënga ime e parë e lançuar në Folk Plus me titull “Mos harroni Shqipërinë” në vitin 2012 me tekst të Akrem Lamajt dhe produksion të Alban Hoxhajt, ka qenë impakti im i parë me publikun e gjerë.

– E mban mend si je ndjerë kur ke kënduar për herë të parë?

– Për herë të parë kam kënduar në një studio muzikore dhe ato momente kanë qenë shumë të veçanta, me ankth, të mbushura me emocione.

– Cili është vendi që zë muzika në jetën tënde? Sa e rëndësishme është ajo për ty?

– Kënga për mua është gjithçka, më jep jetë dhe frymëzim që të jetoj. Është motiv jete.

– Përveç muzikës, merresh me diçka tjetër?

– Sigurisht që po. Përveç muzikës, kam studiuar në Itali për stilist flokësh dhe e ushtroj këtë profesion edhe këtu.

– Për disa, muzika është pasion, ndërsa për disa të tjerë profesion. Për ty, çfarë është?

– Muzika për mua ka qenë një pasion shumë i madh, por me kalimin e viteve është kthyer edhe në profesion. Muzika është jetë.

– Të kënduarit live, sigurisht që ka edhe shumë përfitime financiare. Ti, e shikon këtë anë të muzikës?

– Kur dikush ka dhuratë zërin, muzika, të kënduarit live në fillim bëhet për kënaqësi të vetes dhe publikut e pastaj për anën financiare. Unë të paktën kështu e shikoj dhe e mendoj.

– Ta kanë thënë shumë njerëz që “ti di të këndosh bukur”?

– Sigurisht që ata që më kanë dëgjuar që herën e parë, miq e kolegë të muzikës shqiptare, më kanë thënë se di të këndoj.

– Me cilën nga këngët e tua ndihesh më i lidhur?

– Më i lidhur jam me këngën time të parë “Mos harroni Shqipërinë” ndoshta ngaqë ka qenë ajo që më ka njohur me publikun.

– Ndërkohë, më the që po punon me disa projekte…

– Po, me tre projekte. Njëra është një këngë popullore me tekst të Armand Trebickës dhe dy i përkasin muzikës së lehtë. Bashkëpunëtorët e mi janë: në klarinetë Ervis Rapaj, orkestrim Vani Rushiti dhe këngët e lehta,  si teksti, ashtu edhe orkestrimi, janë nga Vani Bica.

– Pse bashkëpunove pikërisht me këta producentë?

– Kam përzgjedhur pikërisht këta emra sepse edhe bashkëpunoj në evente të ndryshme ku shkojmë dhe punojmë.

– Cila është mbështetja jote më e madhe?

– Mbështetja ime është familja dhe publiku, që dua t’i falënderoj sepse më bëjnë të ndihem kaq mirë!

– Në një kohë dhe në një treg të tillë si tani, ku gjithçka është materializëm, a ka ende këngëtarë të mirëfilltë?

– Mund të mos jenë shumë,  ama ka akoma këngëtarë të mirëfilltë.

– Je njeri që të pëlqejnë ndryshimet?

– Të them të vërtetën, më shumë më pëlqejnë ndryshimet në profesion, për t’u përmirësuar…

– Je i lodhur nga nata, meqë ti ke vite qe këndon live?

– Jeta e natës është e lodhshme, por duke qenë në kontakt me publikun ndihesh shumë mirë dhe kalon edhe lodhja.

– Me cilin këngëtar apo këngëtare do të doje të kishe një bashkëpunim?

– Kam shumë dëshirë që të bashkëpunoj me një nga zërat më të bukur të muzikës shqiptare Eli Farën ose me Aurela Gaçen.

– Ndonjë gjë për të shtuar? Harruam gjë?

– Na ka ngelur ende shumë për të thënë, por do të takohemi përsëri, pasi të nxjerrim këngët e reja për publikun. Respekte. Andrea.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here