Hymni i Atdheut tim!

Jam larg vendlindjes sime

Larg tokës, që vjen erë Shqipëri

Por asgjë s’më pengon

Që mendja dhe zemra ime

Gjithnjë të qëndrojë aty

Nuk duhet të jesh

Herkuli i lashtësisë greke

As romaket e vjetër

Të duash për rreth popujt

As të tregosh forcën e muskujve

Të grushtit të rëndë që të rrëzon

Kur dëgjoj hymnin e atdheut tim

Më rrënqethet mishi e gjaku më vlon

Sytë nxjerrin zjarr me afsh që përvëlon

Dhe grushti që unë tregoj

Mban erën e tokës mëmë

Që quhet Shqipëri

Hymni i atdheut tim

Më zgjon në brendësinë e shpirtit

Të bërtas me zë të lartë

Jam e lindur heroinë

Dhe thirrja ime të japë

Në zemrat e gjithkujt vetëm lumturi

Më pasuron shpirtin, më mbush me shpresë

Më bën të dhuroj te të tjerët

Dashuri-Unitet dhe Besë

T’i lexoj gjithë popujt si një libër

Të ndjej thirrjen e betimin e tyre

Si kënga e dashurisë

Që kurrë nuk harrohet

T’mësoj fëmijët e mi

E të tjerë që më rrethojnë

Ta jetojnë jetën e tyre

Ashtu siç ajo t’ju vijë

Të jetojnë me të gjithë të bashkuar

Vetëm me paqe e jo përçmim

Se hymni i atdheut tim

I virgjër siç lindi, i tillë dua të vdesë

Nuk dua asnjë grimë alfabeti

Hymnin tim ta ndryshojë

Ashtu siç e mësova atëherë fëmijë

Ashtu vazhdoj edhe sot ta këndoj! Marjana Sulejmani (Gjoka)

 

 

Karajfili i bardhë

Në albumin e fotografive

Zë vend fotografia e saj

Në dorë ajo mban, një karajfil të bardhë

Kur ditën që nga jeta ajo u nda

Unë shoqes sime të dashur

Si kujtim mbi varr

I hodha karajfilin e bardhë

Ajo fotografi gjithnjë pranë meje

Do t’jetë shoqja ime “e gjallë”

Me ata sy me bisht

Me shikimin e saj pak të rëndë

Me vetulla të bukura

Në formë gjysëm hëne

Mua do t’më kujtojnë, gjithnjë

Vendosmërinë e fjalës së saj

Unë do ta fitoj sëmundjen

Pranë jush do t’jem gjithmonë

Por shpresat ishin të lodhura

Bashkë me të, u sëmur edhe ajo

E kur shpresa të lë të vetmuar

Çdo gjë atëherë ka mbaruar

Dhe nuk vazhdon dot më

Por karajfili i mbjellë në vazo

Çdo vit vazhdon të çelë

Dhe unë nga vazoja atë e këpus

Për mallin në mungesë që kam

Mbi varrin e saj, shpeshherë e vendos

 

(V.O. këto vargje ia kushtoj nunës time e cila më pagëzoi,

znj. Agjeliki Atmatcidhie e cila u nda nga jeta 25.1.2013).

Marjana Sulejmani (Gjoka)

 

Bojë nate

Edhe kjo natë e nxori bojën
Pruri terrin t’më gënjejë
Heshtjes s’munda t’i zë gojën
Mbretëronte gjithandej!…

Fliste dendur brenda meje
Dhe jashtë meje gjithsesi
Gjaku nxehur nëpër deje
Zemrës shkruante dashuri…

Mendja nisi të trillonte
Natyrisht m’imazhin tënd
Ishte heshtja që ndihmonte
Mbretëronte në çdo vend!

Zemra rrihte e tërbuar
Mendja mbushur veç nga ti
Heshtja fliste pa pushuar
S’ mund të flija. S’ kish se si!

Kështu ndodh kur flet veç heshtja
Nuk gjen shpirti kurrë qetësi
Zemër-mendje lidh kureshtja
Zakonisht, për një njeri… Bledi Ylli

 

 

Më trishton kjo heshtja jote

Dua të prehem atje ku je ti, dashuri,

Të më falësh si dikur, qetësi e ngrohtësi!

Pa ty, e humbur lodroj në këtë botë,

Çdo çast më përvëlon kujtimet zjarri yt…

Kam mall, për ty, oh sa kam mall,

Të kërkoj në çdo skaj, po ku je vallë?

Se në ëndërr më vjen ti gjithmonë,

Si margaritar rrugën më ndriçon…

Kur krahët i zgjat e më pushton,

dhoma si nën rrezet e diellit avullon…

Ti në pëllëmbët e tua më përkund,

E unë në ninullat e tua e tëra humb…

Ku je tani, përse më je larguar?…

Apo me dikë tjetër më ke ndërruar?

Unë jam në pritje, si kurdoherë,

Petale trëndafili pres nga ti nëpër erë…

Eja dashuri, rri gjithmonë me mua,

të lodroj e të endem në pafundësitë e tua,

Dua këtë fillim tetori bashkë ta gëzojmë,

Vjeshtën me zjarr dashurie ta mbulojmë.

Më trishton pareshtur kjo heshtja jote,

Eja të shëtisim si zogjtë nëpër mote!

Psherëtimat e tua më kanë munguar…

Të pres të vish natë e ditë e përmalluar! Luljeta Gjosha Pashollari

 

Moment

I ftohtë jep ndjesinë liqeni sot

Mërzitshëm bari ka marr ngjyrë ndryshk

Ca pata bregut kot vinë vërdallë

Trëndafili i shtëpisë pa ndier u vyshk!

Dielli i përgjumur përton të dalë

Makina të fjetura rrugës shikon

Pemët po zhvishen pa patur turp

Natyra në sofër dimrin e fton.

Ashtu përgjumur ndihem edhe unë

Bile edhe kafeja mezi më bën punë

Kruspull dua të rri në gjirin e natës

Dhe me natën bashkë dua të fle gjumë

Por më shkund mengjesi, ngrihu thotë, s’ka gjumë

Flokët m’i hedh anash, dielli fshehtaz puth

Në krahë e hedh çantën mbushur me momente

Diellit i shkel syrin, jam gati për udhë. Aurora CM

 

Dashuria në fjalë-art

Preferoj të jem i humbur, përkrah teje dashuri

Se i ditur i k’saj jete që çdo ditë dhëmbët tregon

Dua shpirti im i lodhur të jetë i mbushur veç nga ti

Sepse ti, veç ti i duhesh kësaj bote. Botës sonë!

 

Ndonjëherë humb nëpër letra e mundohem të ngre lart

Duke i mbyllur sytë mizerjes edhe llumit që sundon

E ti bëhesh më p’rrallore, kur lundron në fjalë-art

Por në fundin e çdo shkrimi, prap’ vë re që ti mungon!

 

E unë shkruaj, vetëm shkruaj, zgjuar po edhe në gjumë

Për ty, vargjet dashuri sigurisht do jenë pa metër

Ti qëndromë brenda shpirtit, nuk kërkoj asgjë më shumë

Le të shkel në botën tënde e të rroj në një botë tjetër! Bledi Ylli

 

Vjen me një libër në dorë…

Çdo ditë nga larg i heshtur vije,

Në shi e dëborë, nga një fshat matanë.

Me një libër nën dorë me dije,

Sa i madh më dukeshe, gjigand!

Dashuria për shkronjat te ti,

Ish si nëna kur mban foshnjën në gji.

Me endje na këndoje dhe me lot në sy,

Ndonjë varg të Naimit, a ndonjë poezi!

Ti, mësuesi im zemërmirë,

Sa herë që shkoj në atë shkollë,

Vjen prapë me mëngjesin pa gdhirë,

Ashtu si dikur, me një libër në dorë… Eljona Bramo

 

 

Për ty ndjej mall, prapë e prapë

Ti vjen pa ftuar n’shtratin e memories

dhe më bën rrëmujë, për çdo natë

kur hapat në ikje ndihen shëtitores

për ty ndjej mall, prapë e prapë!

Ti vjen e shtrihesh memories sime

pa mend më lë, siç bëjnë shpesh gratë

pastaj ikën pa thënë e ngelesh kujtime

për ty ndjej mall, prapë e prapë!

Ikën e vjen, sa e sa herë

ëndrrat pas teje rendin me vrap

herë bëhesh fllad, herë tjetër erë

për ty ndjej mall, prapë e prapë!

Ti vjen pa ftuar, me hënën n’duar

hapat e tua, lëshojnë tinguj si harpë

turrem pas tyre, fort i penduar

për ty ndjej mall, prapë e prapë! Skender Laze Trebeshina

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *