Merita Merja mund të quhet në kuptimin e plotë të fjalës një biznes-vvoman, me një biznes bukurie, parukeri-estetikë dhe tashmë edhe me një dyqan me fustane nusërie të firmave dhe koleksioneve më të reja në arenën ndërkombëtare. Sa e vështirë është për Meritën të drejtojë sipërmarrje të tilla, a e ndjen konkurrencën dhe a ka ndjekur ndonjë strategji për të arritur këtu ku është?!
– Merita, ja ku u ritakuam, këtë herë për të folur për një sipërmarrje të re. Ti drejton një biznes i cili është relativisht i vështirë, parukeri-estetikë dhe një dyqan me fustane nusërie, je një nënë e përkushtuar dhe njëkohësisht, e pranishme në shumë evente të përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare. Si arrin t’i menaxhosh të gjitha këto dhe njëkohësisht, të kesh sukses?!
– E gjitha është çështje organizimi. Nuk ka asgjë që nuk bëhet. Nëse ekziston dëshira dhe pasioni në punët që merr përsipër, atëherë pa dyshim që përkushtohesh në maksimum për realizimin e tyre.
– Cilat ngjyra mbizotërojnë në koleksionet e reja të fustaneve të nuseve?
– E bardha që është edhe ngjyra kryesore për dasma elegante. Këtë vit mbizotërojnë nënngjyrat, pasteli dhe e mëndafshta.
– Dita e dasmës është një nga ditët më të lumtura në jetën e një vajze. Çfarë mund të gjendet në dyqanin tënd? Cilat firma mund të bëhen pjesë e dasmës së klienteve të tua?
– Dyqani im është një magji. Aty ka firma si Armani Prive, Christian Dior, Elie Saab, Alexis Mabille, Marchesa, Zuhair Murad, Valentino, Giambattista Valli, Alexandre Vauthier e shumë të tjera. I kam përzgjedhur vetë, duke parë edhe detajet më të vogla.
– Cila ka qenë mbështetja jote më e madhe në punë dhe jashtë saj?
– Më duhet ta them e ta përsëris; vetëm familja!
– A ka Merita një recetë suksesi jo vetëm si grua biznesi, por edhe si femër e realizuar?
– Unë kam ecur gjithnjë sipas parimit: “puno shumë, por qëndro me këmbë në tokë” dhe besoj se kjo është ajo që më ka bërë të kem sukses.
– Si i ke marrëdhëniet me kohën?
– Angazhimet e mia janë aq të mëdha sa ndonjëherë do të doja që dita të kishte më shumë se 12 orë. (Buzëqesh)
– Sa e vështirë është të jesh një grua biznesi në Shqipëri? A ndihet konkurrenca?
– Të them të vërtetën, vendi ynë nuk është aq i përshtatshëm dhe i sigurt për biznes, madje është shumë i vështirë, ama nëse i vihesh punës me themel, asgjë nuk është e pamundur. Konkurrencë ka, por është e dobishme, sepse të vë në rrugë të mirë për të ecur përpara.
– E jotja, mund të quhet pa diskutim një sipërmarrje femërore e suksesshme. Kujt i dedikohet e gjithë kjo?
– Të them të vërtetën, është një sipërmarrje shumë e madhe dhe kam edhe staf që më ndihmon. Çdo ditë duhet të mbyllet siç duhet, që çdo detaj e shërbim sado i vogël të bëjë të lumtur klientët tanë. Kjo është një punë kolosale e shumë njerëzve që me përkushtim kujdesen për detajet, në mënyrë që finalja të jetë ajo që shohin klientet në ditën e dasmës.
– Cila është strategjia që ka përdorur Merita për të qenë e suksesshme në sipërmarrjet e saj?
– Nuk përdor ndonjë strategji, thjesht jam vetvetja. Nuk jam munduar asnjëherë të jem dikush tjetër. Kam mësuar të përzgjedh atë që dua e jo atë që duhet.
– Këshillat e suksesit në biznes i mban sekret, apo i ndan edhe me miq e dashamirës?
– Punë, punë dhe vetëm punë, ky është sekreti.
– Po puna me nxënëset që duan të përvetësojnë artin e bukur, si po vijon?
– Tashmë kam në dorë edhe punë dhe projekte të miat, por i kushtoj një kohë të mirë mësimdhënies për të gjitha vajzat që duan artin e parukerisë dhe të estetikës dhe duan të mësojnë gjithçka rreth artit të së bukurës. Te Merita, do gjejnë kushte mësimdhënieje dhe gjithçka që duhet të kenë në dispozicion për të marrë një diplomë parukiere ose estetiste.
– Çfarë ka në horizontin e projekteve të Meritës?
– Gjithmonë kam synuar sjelljen e gjërave të reja dhe shërbimeve të reja, si në dyqanin e parukerisë dhe estetikës, ashtu edhe në dyqanin e fustaneve të nusërisë. Puna është goxha e madhe, por me të rejat që kam sjellë, shpresoj të mbetemi të kënaqur të gjithë.
Në dyqanin tim të fustaneve të nusërisë, ka pa fund jo vetëm për nuset, por edhe fustane mbrëmjeje për vajzat dhe zonjat. Gjithashtu, jam tepër e lumtur që këtë vit koleksionet e mia të vitit 2016 përbëhen nga markat më të mira në botë në fushën e fustaneve të nusërisë. Kënaqem pa fund që i shoh ato fustane aq të veçanta te klientet e mia.