EDI RAMA
Nuk mundëm të intervistonim këtë javë kryeministrin tonë, Edi Rama. Megjithëse, jam i sigurt, ai do të donte një intervistë në lidhje me futbollin e me Kombëtaren tonë, ne deshëm ta intervistonim jo për atë, po për përmbytjet e kësaj jave në jug të vendit. Në Facebook ai akuzoi PD-në duke thënë se ajo po bënte politikë me shiun: “Vajmedet PD që bën politikë edhe me shiun e që u qan hallin njerëzve nga streha e Shqup-it për qeverinë e keqe që nuk kufizon prurjet e shiut», shkroi Rama këtë javë. Ndërkohë që ne na duket se nuk është kështu, zoti Rama. Nuk e ka shiu fajin për përmbytjet. Ai, së paku, mund ta kishte vjet, kur Fieri e Vlora u përmbytën keqas. Po sivjet që kjo dihej, çfarë bëtë ju për të shmangur, ta zëmë vërshimin e Gjanicës, apo Vjosës, pikërisht atje ku përmbyti vitin e kaluar? Pastaj, shiu e ka fajin që, siç deklaroi Ministri juaj i Bujqësisë, hidrovorët që duhet të thithin ujin, kishin 18 orë pa energji elektrike?! Shiu e ka fajin që, në zonën e Skelës në Vlorë, as kur është kohë e mirë nuk ecën dot nga era e jashtëqitjeve të njerëzve që banojnë në pallatet e reja?! Se shumica e ndërtuesve, për të kursyer paratë, nuk i kanë lidhur pallatet me kolektorët qendrorë të ujërave të zeza, por me ata të ujërave të bardha… Shiu e ka fajin që kujtohemi për përmbytjen vetëm kur na futet uji në shtëpi? Apo nuk e dini, zoti Rama, atë fjalën popullore: “Çatia nuk ndreqet kur bie shi!»?!
ILIR BEQJA
Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja, këtë javë deshëm ta pyesnim në lidhje me punën që bënte para se të ishte ministër e pikërisht për kompaninë “Intech+”, ku ai ishte një nga drejtuesit dhe aksionerët kryesorë. A është bërë pishman ai që shiti aksionet e tij në këtë kompani? Pyesim kështu, se kompania e tij ka bërë “namin”. Në më pak se 22 muaj, ka fituar plot 29 tendera! Brenda një kohe të shkurtër, ajo, siç thotë zoti Sali Berisha në Facebook, ka fituar nga tenderimet publike rreth 13 milionë dollarë, ndërkohë që ai, në momentin e zgjedhjes deputet, për të qenë në rregull me ligjin, i shiti aksionet e tij në këtë kompani për vetëm 125 mijë euro. Apo ia vlen të sakrifikosh duke lënë milionat e eurove për një rrogë deputeti, për të ndihmuar sadopak Shqipërinë, për të bërë shtet, siç thotë kryeminsitri ynë i nderuar?!
ARDIAN FULLANI
Këtë javë, siç e mësuam të gjithë nga shtypi, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani u shpall i pafajshëm nga gjykata. Nuk duam të diskutojmë këtë vendim të gjykatës, edhe pse e dimë si është sistemi gjyqësor në Shqipëri. Ne deshëm ta takonim zotin Fullani e ta pyesnim se: Kush e ka fajin për vjedhjen e 7 miliardëve lekë në Thesarin e Shtetit e zëvendësimin me libra? Po për 30 milionë eurot që iu dhanë qeverisë për blerjen e Hotel Dajtit, kush është fajtor?! Po për 2 miliardë lekë që u harxhuan për rikonstruksionin e ndërtesës së Bankës së Shqipërisë?! Po për 6 milionë eurot që u paguan për qiratë e ndërtesës për Bankën, ngaqë u zvarrit rikonstruksioni i ndërtesës kryesore?! Po për 1 miliard e 500 milionë lekë që iu dhanë direkt një biznesi për bankën e Gjirokastrës, apo për 500 milionë lekë që u investuan për kamerat e sigurisë, që kushtonin vetëm 20 milionë lekë, kush është fajtor?! Po për 110 milionë lekë të harxhuara për ushqimin e punonjësve të Bankës e dhënë një njeriu të afërt me ju?
Më mirë se ai, asnjeri nuk di t’u përgjigjet këtyre pyetjeve, apo jo? Shpresojmë që të kemi një përgjigje nga ai. Jo vetëm për të shuar kuriozitetin tonë, por edhe që, ai që është fajtor, të marrë dënimin e merituar, se janë lekë e jo copëra letrash, në fund të fundit…
LULZIM BASHA
Ndërkohë, kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, këtë javë deshëm ta intervistonim për një temë pak më të lehtë, për Ballist Morinën, që vazhdon të jetë ende në burg, sepse u kap nga policia me dy armë në makinë. Dhjetëra e dhjetëra njerëz bënë e bëjnë çdo ditë thirrje që ai të lirohet nga burgu. Nuk është çudi kjo, sepse ai ka shumë tifozë për atë që bëri në Beograd. Çudia është që edhe vetë kryetari i PD-së, Lulzim Basha, këtë javë, bëri thirrje në Facebook “Lironi Ballist Morinën!”. E jo vetëm kaq, por edhe vuri foton e tij si foto të faqes kryesore të Facebookut të tij zyrtar… Ne deshëm të pyesnim: Përse e bëri këtë zoti Basha? Është tifoz i madh futbolli, apo thjesht sepse do të marrë ca vota më shumë nga tifozët e Ballistit?! Si mendon ai, me çfarë neni do të lirohet Ballisti? Si do ta justifikojë gjykata lirimin e një njeriu që kapet me dy pistoleta në mes të Tiranës?! Kështu do të bëjë ai, nëse një ditë do të zgjidhet kryeministër?! Do t’i lirojë njerëzit nga burgu, në kundërshtim me ligjet?!
Blerta