ANTIDROGA NJË HISTORI SUKSESI

Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri:

Jepini vetes pak sekonda kohë e mendoni sa të largët në kohë ju duken titujt e mediave, për autobotë të ujësjellsit apo zjarrrfikseve që ujisnin parcelat e drogës?

Për linjat e rregullta të furgonëve dhe autobuzave me punëtorë mëditës, që niseshin nga qëndra e qytetit për në parcelat e drogës?

Për mbi 300 fëmijë që shfrytëzoheshin për të ujitur e mirëmbajtur parcelat e drogës?

Për reportazhet e mediave botërore dhe madje udhëtimet turistike të të huajve që u kthyen thuajse në tendencë për të parë nga afër “parajsën e drogës”.

I nderuar Z. Kryeministër,

Të nderuar Ambasadorë, të zgjedhur vendorë, përfaqësues të medias, punonjës policie, të nderuar qytetarë,

Sigurisht duket sikur ka kaluar shumë shumë kohë, jo për shkak të kohës, por për shkak të punës.

Duken aq larg ato kohë kur shtetit bënte sehir ndërkohë që nën hundë i rritej droga pikërisht sepse në këto dy vjet kemi luftuar dhe shkatërruar kultivimin e lëndëve narkotike me të atillë vendosmëri dhe rezultat sa gjithçka që ka ndodhur përpara se ne të merrnim detyrën duket gati si një realitet tjetër që nuk i përket as vendit dhe as kohës sonë.

Tani lajmet janë të një tjetër lloji. Nuk ka më raportime herë me kamera të fshehtë apo herë pa u fshehur fare për lulëzim të drogës mu në buzë të rrugës apo ndonjë here edhe në fusha futbolli madje, por ka raportime të përditshme të punës që bën policia për të shkatërruar çdo parcele në çdo cep të Shqipërisë.

Nuk janë të paktë njerëzit që më kanë thënë se lajmet e përditshme për aksionet e policisë në shkatërrimin e drogës jepnin efektin e kundërt në fakt, krijonim perceptimin e gabuar sipas të cilit meqë po shkatërron shumë drogë policia i bie që ka akoma më shumë, pa shtuar këtu kuptohet edhe abuzimin politik.

Dhe në fakt nuk është fare e gabuar si teknologji, por unë vazhdoj të besoj se është lajm më i mirë kur shkatërrohet një parcelë droge, siç ndodh sot, sesa lajmi kur ujitet një parcelë drogë me autobotet e zjarrfikëses dhe shteti nuk lëviztë gishtin, siç ndodhte dje.

Është lajm më i mirë kur kapet një sasi drogë nga policia shqiptare apo nga bashkëpunimi i policisë shqiptare me partnerët e huaj sesa kur nuk kapej fare, e për rrjedhojë nuk kishte as lajm e as debat, shto këtu edhe akuzat e opozitës për kryeministrin për ministrin, për drejtuesit e Policisë, për Policinë në tërësi sa herë kapet drogë dhe arrestohen trafikantë, aq sa duket se qënkërka më kollaj të mos e luftosh fare fenomenin, të mos shkatërrosh asnjë parcelë drogë, të mos arrestosh askënd se nuk ka lajm, kështu nuk ka as lajm, as akuza.

Por ne kemi zgjedhur një tjetër rrugë, duke besuar se kostot e perceptimit të gabuar atëherë kur ndodh nga lajmet e përditshme për shkatërrimin e drogës janë gjithmonë kosto më të vogla sesa kostot e heshtjes, e pajtimit me krimin, e të mos bërit asgjë, e duke e lënë drogën lum të vërtitet si rrezik jo i vogël për të ardhmen e të rinjve në Shqipëri dhe Evropë.

Po përtej gjithçkaje të debatueshme ka disa të vërteta të padiskutueshme. Këto janë të vërtetat e statistikave zyrtare, të vërtetat e shifrave, janë të vërtetat e misionit Italian të Guardia di Finanzia-s të Universitetit të Barit nën kujdesin e Ministrisë së Punëve të Brendshme Italiane, kanë bërë një punë kolosale duke ndihmuar Policinë e Shtetit dhe që gjej rastin ti falenderoj për përkushtimin njerëzor, infrastrukturor dhe buxhetor pa të cilin do të ishte tepër e vështirë të arrinim rezultate që kemi arritur deri më sot.

Janë edhe statistikat zyrtare të konfirmuara e të konfirmueshme në çdo kohë të Policisë së Shtetit dhe duhet ta shfrytëzoj këtë rast për të falenderuar Drejtorin e Policisë së Shtetit, strukturën drejtuese të Policisë së Shtetit dhe çdo punonjës e punonjëse të Policisë së Shtetit që është angazhuar pa kursim dhe madje me sakrificë në këtë betejë kolosale me parcelat e drogës, që veç kriminelëve, kishin në krah edhe të shkuarën që po lëmë pas, për të mos folur pastaj edhe për sulmet politike tërësisht të padrejta.

Unë duke ju kërkuar ndjesë për përdorimin e shifrave do mundohem t’i them sa më thjesht:

Në vitin 2013 kur qeveria e kaluar ishte në detyrë, një sipërfaqe 323 hektarë u kultivua me bimë narkotike, këto të identifikuara nga fotografimi ajror i Guardia di Finanzia. Nga këto policia shkatërroi 7.5% të të gjithë parcelave të fotografuara nga ajri.
Sipas këtyre të dhënave, viti 2015, sipërfaqja e kultivuar është 44 hektarë. Të identifikuara nga fotografimi ajror i Guardia di Finanza-s.

Kjo është 8 herë më pak sesa sipërfaqja e mbjellë në vitin 2013. Do të thotë në Shqipëri në vitin 2015 është kultivuar 8 herë më pak drogë sesa në vitin 2013 dhe nga kjo sipërfaqe e kultivuar sot policia ka shkatërruar deri ditën e sotme 99.2% të sipërfaqeve të idnetifikuara nga fotografimi ajror i Guardia di Finanza-s.

Qe nga shtatori 2013 kur ne kemi filluar detyrën policia e shtetit ka shkatërruar 94.7% më shumë drogë sesa të tetë vitet e qeverisë së kaluar të mbledhura së bashku dhe të gjitha këto nuk janë as bimë dhe as parcela pa përgjegjës para ligjit siç shpesh në fakt aludohet.

Numri i autorëve të identifikuar për t’u vënë para ligjit vetëm këtë vit është ende më i madh sesa numri i autorëve të identifikuar gjatë 8 viteve të qeverisë se kaluar të mbledhur bashkë.

Dhe po kështu numri i autorëve të ndaluar dhe të arrestuar për kultivim të lëndëve narkotike që nga dita e parë e detyrës sonë është më i lartë se të gjithë të ndaluarit dhe të arrestuarit e gjatë 8 viteve të qeverisë së kaluar të mbledhur bashkë.

Ka nga ata që thonë se kemi arrestuar argatët apo punëtorët dhe jo organizatorët.

Në fakt procedimet penale thonë të kundërtën dhe statistikat zyrtare janë aty dhe gjithsesi analizën mund dhe ndoshta duhet ta bënin më mirë katedrat apo vrojtuesit e faktorëve kriminogjen. Por edhe mendja më mesatare e kupton se është për shkak të presionit të policisë dhe luftës pa kompromis që kemi bërë gjatë këtyre kohëve që parcelat janë zhvendosur nga buzë rrugëve nacionale në zonat më të thella dhe mjaft të thepisura të Shqipërisë.

Mjafton një e dhënë parcela e fundit që u fotografua nga Guardia di Finanza dhe u shkatërrua nga policia ndodhej në kuotën 1500 metra mbi nivelin e detit u shkatërrua dhe atje në atë lartësi ekzemplare të denjë për studime akademike.

Dhe mendja më mesatare e kupton se është lufta jonë pa kompromis që e ka detyruar krimin të gjejë rrugë dhe shtigje alternative duke mbjellë parcela fare të vogla kryesisht në tokë pa pronar shumë larg qendrave të banuara dhe në mes të kulturave të tjera bujqësore apo masive pyjore.

Ndryshe nga ajo që ndodhte dje që parcelat fillonin buzë rrugës të dukshme me sy të lirë dhe nuk kursenin as oborret e shkollave. Dhe kush kupton pak më shumë nga kjo punë e kupton qartë se trafikantët bëjnë përpjekje të vazhdueshme të trafikojnë lëndë narkotike me çdo lloj mjeti.

Po përderisa shkojnë deri tek çmenduria me avion do të thotë që e kanë shumë më të vështirë ta bëjnë trafikimin serbes nëpërmjet tokë apo nëpërmjet detit siç e bënin deri dje kur jo rrallë makina policie i shoqëronin për të çuar drogën deri në destinacion.

Lufta jonë me drogën fillon më së pari fillon nga vetja, ndaj punonjësve të policisë që bashkëpunojnë me kultivuesit dhe trafikantët e drogës.

Vetëm gjatë vitit 2015 janë 721 punonjës policie në procedim disiplinor dhe procedim penal për abuzim me detyrën dhe këtu përfshihen edhe ata që janë arrestuar për bashkëpunim me kultivuesin dhe trafikantë e drogës.

Që kur ne kemi filluar detyrën janë 18% e të gjithë trupës Policisë së Shtetit që i janë nënshtruar procedimeve dhe dënimeve qofshin disiplinore qofshin penale që tregon më së miri nga njëra në trashëgiminë e errët që kemi gjetur më Policinë e Shtetit, por nga ana tjetër tregon vendosmërinë tonë për të luftuar fenomenin duke filluar nga vetja më së pari dhe duke mos lejuar asnjë model abuzimi të cilës do natyrë brenda radhëve të Policisë së Shtetit.

Pavarësisht akuzave të opozitës ndaj kujtdo kryeministrit, ministrit, drejtuesve të policisë si me demek kapot më të mëdhenj të drogës sa herë arrestohet ndonjë punonjës policisë apo drejtues policie i përfshirë në vepra penale ne zgjedhim të vazhdojmë këtë rrugë sepse besojmë që është detyra e duhur duke luftuar fillimisht brenda radhëve të policisë duke mbajtur larg punonjësit e policisë nga abuzimet e detyrës dhe korrupsioni për të qenë në gjendje për të pasur rezultate solide në luftën kundër krimit në rrugë.

Është njëlloj si dje kur Lulzim Basha marr shembull ishte ministër i Jashtëm dhe policia italiane kapte drogë në makinë e ambasadës tonë në Romë për ne sigurisht do të ishte e tepërt të thonim se koka e trafikut në atë kohë ishte Lulzim Basha, por në qoftë se atëherë ministri fshihej dhe nuk pipëtinte, ne sot përballemi me krimin dhe korrupsionin me më shumë arsye dhe forcë kur këto gjenden brenda radhëve të policisë duke bërë të pamundurën për ta pastruar policinë nga abuzuesit dhe të korruptuarit. Dhe kjo është sigurisht më mirë sesa të heshtim e ta lëmë policinë të drejtojë edhe trafikun e drogës siç jo rrallë ndodhte dje.

Mjaftojnë këto pak shifra për të dëshmuar seriozitetin përkushtimin dhe vendosmërinë tonë në luftën kundër drogës dhe rezultatet janë të qarta si drita e diellit për kë ka sy të shohë, veshë të dëgjojë dhe arsye të kuptojë.

Dallimi është i qartë, po bëjmë një luftë që qeveria e kaluar as e ka menduar e as e ka imagjinuar e jo më ta synonte.
Është kjo arsyeja që vetëm këtë vit janë shkatërruar mbi 690 mijë rrënjë kanabis, tregues ky i suksesit të padiskutueshëm të Policisë së shtetit me ndihmën e vyer të Guardia di Finanza.

Ashtu siç besoj e patë në grafikun që shfaqet pas meje se vitet që është shkatërruar më pak në historinë e luftës së shtetit kundër drogës janë vitet 2010, kur ishte ministër Lulzim Basha, gjithsej 37 mijë rrënjë; viti 2011 kur gjysmën e parë ishte ministër Lulzim Basha dhe pastaj Bujar Nishani, janë gjithsej 21 mijë rrënjë dhe vitit 2012 kur ministër ishte Flamur Noka gjithsej 33 mijë rrënjë për të mos folur për vitin 2013 sepse statistikën e përmirësojnë dukshëm 3 muajt e fundit të vitit 2013 kur ne morën detyrën.

Unë nuk ekzagjeroj fare kur them se Luli dhe Muli kanë qenë dy kampionët më spektakolarë të dështimit në luftën e shtetit kundër drogës, siç janë sot dy kampionët më spektakolarë të akuzave dhe shpifjeve ndaj policisë, sa herë policia bën sukses.

Kuptohet, Kryeministër ishte i njëjti, Sali Berisha, që edhe sikur të ulet të mbledhë shifrat zyrtare të 8 viteve të punës së tij në luftën kundër drogës, nuk kalon dot kurrë rezultatet tona të vetëm një viti.

Qoftë viti që jemi, qoftë 2014-ta. Dhe është mjaftueshëm krahasimi i të dhënave zyrtare për të parë dallimin ndërmjet punës që bëjmë ne sot dhe punës që nuk kanë bërë këta që shajnë sot.

Dhe as mjafton këtu ajo shprehja e famshme bëje mirë bëje vetë,
sidomos kur katandisesh e të gënjesh publikun në mënyrën më fyese, sa zor se mund të ketë provuar ndonjëherë ndonjë politikan.

Pas meje besoj e keni parë një fotografi që kryetari i PD e publikoi në rrjetet sociale. Ndërkohë që media zyrtare e opozitës e quajti provën e lidhjes time me krimin. Më akuzoi se ishte drogë, me demek në fshatin e prejardhjes së familjes time.

Edhe sikur të ishte e vërtetë fotografia, është akuzë më e pakta miope, por mjaftonte vetëm një verifikim fare i shpejtë për të kuptuar se kryetari i PD kishte manipuluar fotografitë e policisë në aksionet kundër shkatërrimit të drogës, vetëm e vetëm që të sulmonte politikisht.

Dhe unë e kuptoj luftën politike. Unë e kuptoj dhe nevojën për të akuzuar kundërshtarin, por unë nuk kuptoj dot kurrë, për asnjë rrethanë se si mund të katandiset përfaqësuesi më i lartë i opozitës deri në këto nivele fyese përballë raportit që duhet të kemi të gjithë bashkë me të vërtetën.

Dhe për më tepër, duke manipuluar fotot e një aksioni policor, për shkatërrimin e një parcele droge, aksion që nuk duhet të ndante askënd, pavarësisht politikës apo partive.

Dhe as duhet të krijonte motiv për sulm politik, por duhet t’i bashkonte të gjithë në përpjekjen e përbashkët për të fituar sa më shumë në luftën kundër drogës dhe për të fituar mbi të gjitha të ardhmen e sigurt për fëmijët tanë.

E kur opozita katandiset të manipulojë edhe fotot me kompjuter, është më thjeshtë të kuptohet si akuzojnë policinë apo përfaqësuesit politikë, si të lidhur me krimin, edhe atëherë kur policia shqiptare, bashkë me policinë italiane bëjnë hetime disamujore që rezultojnë me sukses në arrestimin e trafikantëve në Shqipëri dhe në Itali, qoftë dhe ata që kanë përdorur apo kishin ndërmend të përdornin një avion apo të kuptosh se sa shumë lutet opozita që një avion që kapet me trafik brenda Italisë, të ketë ardhur patjetër edhe në Shqipëri.

Por unë vijoj të besoj se koha e shpifjeve ka mbaruar, për me tepër atëherë kur opozita zgjedh të bëjë politikë me punën dhe sukseset e Policisë së Shtetit. ashtu siç vijoj të besoj se lufta kundër krimit, për me tepër lufta kundër drogës, nuk njeh asnjë fund.

Lufta vazhdon, madje me më shumë forcë, me më shumë vendosmëri, sepse janë pikërisht këto rezultate, ashtu siç është pikërisht bashkëpunimi ynë me partnerët tanë të huaj që është në nivele fare të panjohura më parë, që na inkurajon të vazhdojmë betejën në çdo cep të Shqipërisë ndaj kujtdo, sepse është shumë e rëndësishme të mos njohim asnjë të pandëshkueshëm.

Pa njohur njerëz që pas politikës, pas medias, pas bizneseve, apo pas çdo lidhjeje tjetër të cilësdo natyrë, ta çojë nëpër mend se mund të kenë ndonjëherë ndonjëfarë imuniteti përballë ligjit.

Lufta jonë me krimin, me drogën, me antiligjin, nuk ka mbaruar. Ka kosto të lartë, është sigurisht e vështirë, por lufta vazhdon.

Do vazhdojmë deri atëherë kur paratë dhe pasuritë kriminale që prodhon dhe riciklon krimi, të shkojnë para drejtësisë. Sepse kjo është e vetmja mënyrë, për ta bërë Shqipërinë më të sigurt, më të denjë, ku ligji vlen njëlloj për të gjithë e ku drejtësia bën drejtësi sipas ligjit, jo sipas xhepit.

Kemi ende shumë për të bërë. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë, por një gjë nuk e bëjmë dot, nuk kthehemi dot pas. Për asnjë motiv. Kjo nuk është vetëm lufta jonë, as vetëm lufta e Policisë, as vetëm e qeverisë dhe e mazhorancës, por është pa asnjë dyshim lufta e shoqërisë.

Është luftë, përfshirë këtu dhe opozitën dhe cilindo qytetar që beson se Shqipëria është realisht vendi që mund të ëndërrosh e që mund të bëhet. Duhet punë, shumë punë për ta bërë vendin më të mirë.

Ne po reformojmë Policinë, po rinovojmë trupën e Policisë me të rinj e të reja që përkushtohen me idealizëm në këtë betejë. Po edukojmë gjeneratën e re të Policisë së Shtetit, po rrisim pagat, po shtojmë investimet në infrastrukturë dhe teknologji, po luftojmë bakshishin, korrupsionin dhe abuzimin me detyrën në radhët e Policisë së Shtetit dhe po forcojmë dukshëm, po konsolidojmë marrëdhënien me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Është kjo arsyeja që Byroja Kombëtare e Hetimit do të shënoj një hap deciziv në luftën tonë kundër krimit dhe mbi të gjitha pasurive të krimit.

Ne po bëjmë atë që askush ne 25 vjetët e shkuara nuk e ka bërë dot dhe suksesi nuk është vetëm i joni është i të gjithëve; është i shoqërisë në tërësi dhe nuk kemi asnjë merak të themi që është sukses që e ndajmë bashkërisht edhe me opozitën, mjafton dhe as kemi ndërmend madje që të mos i përplasim në fytyrë gjërat që bëjmë Ne dhe ata nuk i kanë bërë dot kurrë.

Në mbyllje, ndonëse u zgjata pak, dua t’ju falenderoj për durimin, dua të falënderoj sigurisht Kryeministrin për mbështetjen që i ka dhënë Policisë së Shtetit, kolegët deputetë dhe në mënyrë të veçantë Komisionin e Sigurisë.

Dua të falenderoj Misionin e Guarda di Financia dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme të Italisë si dhe drejtuesit dhe punonjësit e Policisë për punën e palodhur që kanë bërë deri më sot.

Lufta jonë vazhdon sigurisht me më shumë forcë.

Ju faleminderit të gjithëve!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *