Edmond Panariti: O e dëmtoj, o nuk e dëmtoj Rusinë!

Më ka zënë belaja. Shumicën e intervistave kohët e fundit i kam bërë rrugëve. O po si s’pata njëherë fat të bashkëbisedoja me politikanët në zyrë, apo nëpër studio televizive?! Edhe këtë radhë, bashkëbisedimin e bëra në rrugë, madje në një qoshe rruge. Teksa po blija te ca fshatarë, pashë një zotëri me qese në duar i cili po dridhej i tëri. “Gjynah, mendova, do jetë sëmurë”. U nisa t’i merrja qesen nga dora, kur ç’të shikoja?! Ishte Ministri i Bujqësisë, zoti Panariti…

Kaso Kosa: – Zoti Panariti! Përse po dridheni? Mos jeni sëmurë?
Edmond Panariti: – Uaaaa Kaso! Po ku je? Nuk kam gjë jo.
– Por ju po dridheni. Si s’keni gjë!?
– E kam ngaqë bleva ca perime, ndaj.
– Nuk ju kuptoj zoti Panariti. Ç’lidhje kanë perimet?
– E, mo Kaso… Nejse, se me ty flasim hapur ne politikanët. Dridhem ngaqë perimet kanë pesticide. Nuk e shikon që është kungulli sa një bunker? Po domaten, nuk e shikon që është sa një gjyle topi? Pse, si kujton ti, me se u bënë kaq? Me plehun e bajgave të lopës u bënë?
– Ju kuptova, zoti Panariti? Dmth….
(Sa desha të flisja unë, dëgjova një zile. Po binte telefoni i zotit Panariti, i cili më la në duar gjithë qeset me perime dhe filloi të fliste. “Da da, njet. Njet, po të them. Njet dhe pikë. I ka vdek mamaçka atij muhabeti” dhe e mbylli telefonin i zemëruar).
– A mund të di, kush ishte në telefon zoti Panariti, që u egërsuat aq shumë?
– Ishte ai Putini, o Kaso.
– Putini!? Vetë Presidenti i Rusisë? Po ç’kërkonte?
– U kemi vënë embargo, Kaso, nuk e ke marrë vesh? Nuk do të eksportojmë asnjë produkt bujqësor tek ata.
– Po e di, po Putini ç’kërkonte tani?
– Do që t’u heqim embargon, Kaso! “Aman, tha, se na mbetën raftet e dyqaneve bosh fare. Do çohet populli rus në protestë dhe do më heqë nga kolltuku”.
– Po ju, ç’i thatë, zoti Panariti?
– “Ashtu vuafshi, i thashë. Pse i përkrhani rusët në Ukrainë?
– Si u përgjigj Putin?
– “Po ju, pse i përkrahët shqiptarët në Kosovë?”, më tha. “Se na deshte qejfi”, i thashë.
– Ju lumtë z Panariti!
– Pale, donte edhe 1000 ton sallator, mor Kaso.
– Kush donte sallator?
– Po Putini pra! “Asnjë metër sallator nuk do lejoj të vijë nga Shqipëria në Rusi, i thashë. Gjithë sallatorët do t’i hamë vetë!”. Unë, o Kaso, o e dëmtoj atë njeri, o nuk e dëmtoj. Jam patriot unë, Kaso. S’ka llafe me mua. Ore Kaso! Se ti mbase s’e di, por ta dish. Bujqësia jonë është e aftë, jo vetëm të plotësojë nevojat e 142 milionë rusëve, por ndonjëhere plotëson nevojat edhe të 3 milionë shqiptarëve.

U largova me përshtypjet më të mira nga patriotizmi i zotit Panariti dhe rrugës u ktheva në një dyqan të vogël të blija speca… të ardhura nga Maqedonia, sigurisht…

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

(Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista”. Atë mund ta blini në gjithë pikat e shitjes në Shqipëri si dhe  në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *