Ajo ka thënë aq shumë gjëra për jetën e saj, sa duket sikur ka thënë gjithçka, por nuk është ashtu! Në këtë intervistë, si asnjëherë më parë, Anjeza na flet për “fiksimet” e saj, sa e fiksuar është pas sendeve, supersticioneve, veshjeve e gjithçka tjetër. Anjeza Branka, si kurrë më parë, në gazetën “Intervista”!

 

Fabjola Kuburi: – Anjeza, premton t’u përgjigjesh të gjitha pyetjeve me sinqeritetin më të madh?

Anjeza Branka: – Jam përgjigjur ndonjëherë ndryshe?! (Buzëqesh)

– Çfarë quan ti fiksim?

– Ah, e kuptova, doni të më zbuloni edhe ato pak gjëra që nuk kam zbuluar ende, apo jo?! Fiksim quaj kur e do diçka me patjetër… dhe e merr.

– Çfarë mund të ketë dikush tmerrësisht fiksim?

– Gjithçka që i pëlqen, por pa dëmtuar të tjerët për ta arritur.

– Është bukur të fiksohesh pas diçkaje, apo ndonjëherë, kjo mund të ketë rezultate negative?

– Eh, fiksimi ndonjëherë mund të sjellë edhe probleme, mund të të çojë në situata që nuk i kishe menduar më përpara, por këto janë pasojat e fiksimit.

– A është Anjeza e fiksuar, kur dashuron?

– Jo, përkundrazi, jam shumë e kuptueshme dhe sigurisht, kërkoj mirëkuptim.

– Je supersticioze, fiksohesh pas gjërave që të ndodhin gjatë ditës?

– Po, jam, por jo aq shumë sa të fiksohem pas gjithçkaje.

– Janë më fiksim djemtë shqiptarë apo të huajt?

– Nuk e di, ndoshta secili ka diçka që e bën fiksues, pavarësisht nëse është shqiptar apo i huaj.

– Çfarë duhet të fiksojmë për karakterin e Anjezës?

– Që jam e fiksuar pas sinqeritetit, që nuk gënjej dhe që do të doja që ky sinqeritet të më kthehej.

– Shoh që vishesh vazhdimisht me gusto. Je e fiksuar pas veshjeve firmato apo mjafton që veshja të jetë e bukur dhe të të shkojë?

– Unë jam e fiksuar pas gjithçkaje të bukur, mjafton të më shkojë, nuk e kam problem të jetë firmë me patjetër.

– Po pas parasë, je e fiksuar?

– Nuk më kanë munguar ndonjëherë, që të jem e fiksuar tani. As kemi shumë, por as na mbarojnë. (Buzëqesh)

– Të është ngulitur ndonjëherë ndonjë gjë aq keq në mendje, sa të është kthyer në fiksim dhe mezi e ke hequr?

– Udhëtimet i kam fiksimin që akoma nuk e kam hequr dhe nuk besoj se do ta heq ndonjëherë. Janë gjëra që i bëj me shumë qejf dhe nuk më bezdisin. Kanë pak lodhje, por kënaqësia e justifikon lodhjen.

– Të kanë ndihmuar prindërit me para, apo ia ke dalë gjithnjë mbanë vetë?

– Ta thashë edhe pak më lart, unë vij nga një familje që ka qenë gjithmonë mirë ekonomikisht dhe sigurisht që në fillimet e mia, ndihma kryesore kanë qenë prindërit. Më pas fillova të punoja dhe mësova t’ia dilja vetë.

– Je e fiksuar pas rrotacionit, pra, e bën një gjë herë pas here, edhe pse mund të jetë gabim?

– Jo, nëse diçka është gabim dhe gabova herën e parë, nuk ka kuptim që të bëhet përsëri. E kam fjalën gjithmonë për gjëra që nuk kanë të bëjnë me ndjenjat.

– Fiksohesh më shumë pas një arome parfumi apo pas një fustani?

– A mund të përgjigjem: të dyja?! Po, po, pas të dyjave fiksohem!

– Lojërat e shkathtësisë apo koleksionimi i pullave?

– Nuk jam e fiksuar pas asnjërës.

– Ping-pongu apo tenisi?

– Nuk jam e fiksuar, por të dyja më pëlqejnë mjaftueshëm.

– Fluturimi me parashutë apo motorat e ujit?

– Motorat e ujit, pa dyshim.

– Kukullat barbi apo kutitë e tualetit?

– Kur isha e vogël kisha shumë kukulla dhe i koleksionoja, por edhe kutitë e tualetit i kam pasur fiksim.

– Ke fiksim të bësh apo të të bëjnë foto?

– Fotografia është një nga pasionet e mia më të mëdha. Kam fiksim të bëj shumë foto ku objektivi të jem unë, por edhe të bëj. Pse jo, është bukur të kapësh imazhe të bukura.

– Ke fiksim të puthësh apo të të puthin?

– Varet, por më shumë të puth. (Buzëqesh)

– Je e fiksuar pas medias së shkruar apo pas asaj televizive?

– Kam qenë shumë e dashur më gazetat, televizionet dhe gazetarët. Pyetini dhe do t’ju tregojnë. Unë i respektoj të gjitha mediat sepse më kanë respektuar dhe kanë qenë të dashur me mua, sikundër unë ua kam kthyer dashurinë duke qenë gjithmonë e gatshme për ta.

– Cili vret më shumë, fiksimi apo dashuria?

– Kam përshtypjen që fiksimi. Dashuria rilind, nuk vret.

– Je e fiksuar pas yjeve apo lë realitetin të veprojë?

– Nuk jam e fiksuar, por më pëlqen ta lexoj horoskopin. Të jep njëfarë ndjesie pozitive.

– E fiksuar pas lojërave të fatit?

– Jo, nuk kam qenë asnjëherë.

– Po pas Facebook-ut?

– Jam aktive, por jo e fiksuar.

– Ke qenë e fiksuar pas notave të mira, apo ishe nxenëse mesatare?

– Kam qenë e fiksuar pas notave të mira sepse kam qenë vërtet një nxënëse e mirë.

– E fiksuar pas pabeve apo lokaleve me muzikë live?

– Janë pjesë e punës time, nuk është punë fiksimi këtu.

– Çfarë duhet të fiksojë publiku te muzika që ti këndon?

– Atë që ka fiksuar për kaq vite; që unë këndoj për publikun, jam me ta dhe për ta, gjithmonë.

– Aktualisht, ku je e fiksuar në projektet e tua?

– Atje ku kam qenë fiksuar gjithmonë, të sjell sa më shumë këngë që publiku im t’i pëlqejë, t’i këndojë, t’i kërcejë dhe t’i fiksojë për një kohë të gjatë.

– Është më mirë të fitosh një llotari apo një konkurs muzikor?

– Më mirë një festival! Llotaria është e përkohshme, kurse festivali është një ndjesi që lë gjurmë dhe shije shumë të mirë për shumë kohë.

– Kënga për ty është profesion, pasion apo stil jetese?

– Është pasion që u kthye në një profesion, që më solli këtë stil jetese që kam dhe po jetoj.

– Cilat janë gabimet që nuk do të doje t’i përsërisje më në dashuri?

– Nuk besoj se ka një recetë që ndiqet në dashuri. Gjërat ndodhin dhe kaq. Mund t’i marrësh me sportivitet, por kaq.

– Mendon se meshkujt kanë më shumë fiksim këngët e tua apo trupin tënd?

– Është pyetje për meshkujt kjo, jo për mua! (Buzëqesh)

– Në dashuri je po kaq dominante sa në këngë?

– Jam tip dominant dhe për aq kohë sa dominoj në këngë dhe ia kam arritur më së miri… Mendoje pastaj në dashuri! (Qesh)

– Cili ka qenë komplimenti më i bukur që të kanë bërë?

– Do të doja shumë të veçoja, por janë kaq shumë, sa nuk di ç’të zgjedh. (Buzëqesh)

– Po vërejtja?

– Kam qenë gjithmonë e mendimit që kritikat dhe vërejtjet ndikojnë për mirë, kudo qofshin, kështu që i kam mirëpritur.

– Çfarë të mërzit më shumë?

– Kur mundohen të më hedhin hi syve.

– Çfarë do të bësh nesër, ndonjë gjë që të ka ngelur fiksim?

– Zakonisht, nuk kam fiksime, por dëshira që i bëj realitet, por edhe po pata ndonjë fiksim, të jeni të sigurt që do ta heq. Të zgjohemi nesër, pa shohim e bëjmë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here